Lajme

Gërvalla i reagon Hoxhajt: Ku e merr atë guxim të thuash që për Kosovën s’do të ketë liberalizim të vizave

Autori: Gazeta inFokus 15:59 | 12 April 2022

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se politika e jashtme e Kosovës është e përcaktuar me miqësi të përhershme me ShBA-në dhe me partneritet me NATO-n dhe BE-në dhe nuk ka nevojë për ripozicionim.

Ajo këto i ka bërë si kundërpërgjigje ndaj ish-ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili tha se politika e jashtme për të cilën po diskutohet në Kuvend, ka nevojë për ripozicionim.

“Më vjen keq të dëgjoj nga një ish-ministër i Jashtëm i Kosovës që politika e jashtme duhet të ripozicionohet. Kosova është pozicionuar shumë qartë sa i përket politikës së jashtme, miqësi e përjetshme me ShBA-në, partneritet me NATO dhe BE-në, kjo është shumë e qartë si me qeveritë e kaluara ashtu edhe me këtë, prandaj nuk e di se për çfarë ripozicionimi të politikës së jashtme flet Hoxhaj”, tha Gërvalla, raporton teve1.info.

-Advertisement-

Ajo ka komentuar edhe deklaratën tjetër të Hoxhajt i cili tha se për Kosovën nuk ka e as që do të ketë njohje të reja, liberalizim të vizave e as anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gërvalla pyet se ku e merr këtë guxim Hoxhaj.

“Ku e merr këtë guxim Hoxhaj, unë e di që kemi një kundërshtarë të qartë në politikën e Jashtme që është Serbia dhe unë nuk do të doja të interpretoja në atë formë, por një shije të keqe të lë vendosmëria e z.Hoxhaj për të na treguar se nuk do të ketë procese në të cilat Kosova do të ketë përparim në politikën e jashtme”, tha ajo.

Ndërsa, Hoxhaj ka ironizuar me Gërvallën duke thënë se po heq dorë nga debati.

“Kush kënd e ka thirr në telefon në politikë të jashtme nuk di se çka bën njeri, po heq dorë prej debatit po i them ministres vetëm vazhdo, faleminderit shumë”, tha Hoxhaj.
Gërvalla ka prezantuar edhe punët që ka bërë ku ka përmendur disa vizita jashtë vendit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?

Të tjera