Fokus

Fruthi shfaqet në rajon – IKSHPK tregon se a ka raste në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 16:43 | 24 January 2024

11 raste me fruth u raportua se janë konfirmuar në Shqipëri nga Instituti i Shëndetit Publik.

Këto raste janë të konfirmuara në qytetin e Tiranës dhe në Durrës.

Ndonëse rastet me fruth u paraqitën në shtetin fqinj, në Kosovë aktualisht nuk është asnjë rast.

-Advertisement-

Kështu ka konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës për Infokus, duke thënë se nuk përjashtohet mundësia e shfaqjes së rasteve sporadike.

Mirëpo, sipas IKSHPK-së nuk pritet ndonjë shpërthim i rasteve për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit të fëmijëve kundër fruthit.

“Kjo nuk do te thotë qe nuk mund të këtë raste sporadike, por nuk pritet të këtë ndonjë shpërthim, për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit të fëmijëve kundër fruthit”, thuhet në përgjigjen e këtij instituti për Infokus.

Ndërkaq, gjatë vitit që lamë pas, ka qenë vetëm një rast me fruth, i cili ka ardhur nga jashtë vendit.

“Gjatë gjithë vitit 2023 ka qenë 1 rast, i ardhur nga jashtë vendit, i cili është zbuluar, është bërë zbulimi i shkaktarit dhe është trajtuar”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

Gjithashtu, nga IKSHPK-ja kanë njoftuar se shkalla e vaksinimit të fëmijëve kundër fruthit ka qenë mbi 90 për qind.

“Kundër fruthit në Kosovë aplikohet vaksina MMR për fëmijët në moshën 6 muajsh (Doza e parë) dhe doza e dyte në moshën 6 vjeçare.

Shkalla e vaksinimit te fëmijëve me vaksinën kundër fruthit ka qenë mbi 90% (në disa vjet prej 95- 99%), por qe ka pasur një rënie si edhe në vendet e tjera gjatë kohës së pandemisë COVID-19 për shkak te periudhës se izolimit dhe kufizimeve të tjera”, konfirmon IKSHPK-së./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera