Lajme

Francezin “non-grata” në Kosovë, Vuçiqi e angazhon që t’i luftojë “rrenat” e mediave perëndimore për Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 21:55 | 03 September 2024

Arnaud Gouillon (Arno Gujon) është vetëm 38-vjeç, por ka qenë shumëçka gjatë jetës së tij. Në mesin e të njëzetave, ai deshi të bëhej president i Francës për ekstremistët e krahut të djathtë “Bloc Identitaire”. Kandidatura dështoi në mungesë të nënshkrimeve.

DW raporton se Gujon ishte ndikuar më së shumti nga ngjarjet e luftës së Kosovës më 1999. Në atë kohë, NATO deshi të ndalonte krimet sistematike serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe intervenoi me bombardime nga ajrit.

E Gujon nuk po e pranon këtë krim të Serbisë, dhe po thotë se “i tërë populli ishte demonizuar në atë kohë”.

-Advertisement-

Francezi ka jetuar në Beograd për një kohë të gjatë dhe pretendon se është i përfshirë në punë humanitare për pakicën serbe në Kosovë, mes tjerash. Flet serbishten perfekt, ka gruan serbe dhe pasaportë serbe, sikurse edhe kartelën e anëtarësisë së partisë udhëheqëse në Serbi, Partisë Përparimtare Serbe (SNS), përmes së cilës edhe është zgjedhur deputet.

Por tani, ai ka marrë një detyrë të re: është bërë drejtor i zyrës së sapothemeluar për Diplomaci Publike dhe Kulturore (KJKD). Në të ardhmen, punonjësit e saj do t’i kontrollojnë në mënyrë sistematike mediat ndërkombëtare për materiale negative për Serbinë dhe më pas do të intervenojnë tek zyrat editoriale për të “lustruar” imazhin e vendit.

“Ata që janë mësuar të publikojnë gënjeshtra dhe aspekte negative për ngjarjet në Ballkan dhe Serbi duhet ta dinë se tani do të marrin përgjigje nga ne secilën herë”, ka thënë Gujon për “Vecernje novosti”, e cila, siç shkruan DW, është njëfarë zëdhënësi jozyrtar i qeverisë serbe.

DW shkruan se imazhi i Serbisë në mediat e huaja është shumë i keq dhe, nga këndvështrimi i presidentit Alleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij, i pajustifikuar. Vuçiqi është kryetar i plotfuqishëm shteti që e ka kthyer Serbinë në një autokraci. Një vend ku media e lirë, gjyqësori i pavarur dhe opozita janë të mbytur dhe ku punë për bizneset e mëdha dhe punë për njerëzit e vegjël u jepet vetëm atyre që kanë kartelën e duhur partiake.

Vuçiqi shpesh portretizohet si “telashexhiu” i rajonit. Ideja e tij për “botën serbe” – me zona të ndikimit në Kosovë, Mal të Zi dhe Republika Sërpskan e Bosnje Hercegovinës – shpesh klasifikohet si shumë e rrezikshme.

Por, kush është Gujon?

Gjashtë vjet më parë, Arno Gujonit i ishte ndaluar hyrja në Kosovë.

Burri nga Franca, me nënshtetësi serbe, që udhëheq organizatën e quajtur “Solidariteti për Kosovë”, ishte parë si rrezik për shtetin, derisa pritej edhe të shpallej person i padëshiruar.

Siç raportonte Klan Kosova asokohe, duke u thirrur në informacione operative, policia kosovare Gujonin e kishte identifikuar si person me mision të fshehtë andaj kishte ndodhur edhe ndalimi i hyrjes së tij.

Në pikën kufitare Merdare, forcat e rendit e kishin ndaluar falë informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Një burim nga AKI i kishte treguar Klan Kosovës se franko-serbi ka mision dëmtimin e Kosovës.

“Ne kemi identifikuar lidhjet e këtij personi me njerëz dhe organizata të dyshuara të profilizimit ruso-serb. Zotëria në fjalë thotë se në Kosovë vjen për të shpërndarë ndihma për njerëzit në nevojë. Por kjo, sipas identifikimeve tona operative, është mbulim i punëve të rrezikshme që ky person bashkë me organizatën e tij i bënë në dëm të shtetit të Kosovës”, thoshte ky burim, raporton Klankosova.tv.

Vetë francezi deklaroi asokohe për mediat serbe se u mbajt për tre orë në Merdare duke u pyetur nga autoritetet e Kosovës në detaje, për t’iu kumtuar më pas lajmi se nuk mund të hyjë në Kosovë.

Për aktivitetin kundërthënës të Gujon, që jeton në Beograd, Klani kishte raportuar edhe në fund të vitit 2017. Bile, ishte hera e parë që një televizion kosovar kishte xhiruar ndarjen e ndihmave që ky e bënte enkas për serbët në Kosovë, krejt nën petkun e Kishës Ortodokse.

“Nuk dua të flas për politikën e lartë, që është prezente këtu në Kosovë por dhe në vende tjera. Ne do të kursehemi rreth këtyre zhvillimeve të mëdha dhe do bëjmë diçka konkrete për fëmijët dhe njerëzit që jetojnë këtu”, pati thënë ai.

Autoritetet kosovare patën pranuar për Klanin se nuk e kishin asnjë informacion për këtë aksion të dhjetorit 2017, në fshatin Kuzmin të Fushë-Kosovës.

Gujon më 2017 për Klan Kosovën thoshte në Kosovë vepron që nga 2004. Po ashtu, ai deklaronte se gjësendet që i mbledh kryesisht në Francë, i sjellë në Kosovë nëpërmjet Kishës Ortodokse, e cila si institucion favorizohet për të mos paguar Doganë për plot artikuj.

Gjithashtu, raportohet se i njëjti është shpallur edhe person i padëshiruar (non-grata) në Kosovë.

Më 18 gusht të vitit 2022, kompania Twitter i kishte pezulluar llogaritë e disa deputetëve dhe politikanëve të Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi, dhe të një zyrtari qeveritar.

Twitter thoshte se vazhdon të zbatojë politikat e sigurisë për llogaritë në këtë rrjet social.

Në mesin e personave që u ishte pezulluar llogaria në rrjetin social Twitter ishte edhe Arno Gujon, asokohe drejtor i Drejtorisë për bashkëpunim me diasporën dhe serbët në rajon, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 2020 nga Qeveria e Serbisë.

“Twitter sapo pezulloi llogarinë time ku kisha 34.000 ndjekës, pa dhënë asnjë shpjegim”, thoshte Gujon përmes një postimi në Facebook.

Edhe pse Gujon është i njohur për publikun në Serbi si një humanist që ndihmon serbët në Kosovë, aktiviteti i tij politik është i lidhur me lëvizjen identitare të ekstremit të djathtë.

Twitter pezulloi më 18 gusht 2022, llogaritë e 12 anëtarëve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Alleksandar Vuçiq.

Në mesin e llogarive të pezulluara ishte edhe llogaria e organizatës joqeveritare CRTA që monitoron punën e Kuvendit. Në mesin e personave që u ishin pezulluar llogaritë në Twitter ishin: Nevena Gjuriq, Sandra Bozhiq, Milica Nikoliq, Jelena Obradoviq, Aleksandar Markoviq, Kërsta Janjusheviq, Dushan Radojeviq, Jelena Zhariq-Kovaçeviq, Aleksandra Tomiq, Stasha Stojanoviq, Zoran Tomiq dhe Andrijana Vasiq.

Kompania Twitter po ashtu kishte pezulluar llogaritë e disa anëtarëve të lartë të SNS-së, përfshirë edhe kryetarit të asaj kohe të qytetit të Beogradit, Mirosllav Çuçkoviq, si dhe Sllavisha Miçanoviqit, që sipas mediave, udhëhiqte ekipin për media të SNS-së.

Siç thuhet në faqen zyrtare, Twitter ka të drejtë të pezullojë llogari nëse këto llogari shkelin rregullat e kompanisë.

“Shumica e llogarive që ne pezullojmë, pezullohen sepse ato janë të rreme ose paraqesin rreziqe të sigurisë për Twitter apo për këto që përdor Twitter-in”, thuhet në faqen e kësaj kompanie.

Megjithatë, një ditë më pas, kompania Twitter pati deklaruar se ka suspenduar gabimisht llogaritë e disa politikanëve në Serbi.

“Në këtë rast, ne morëm gabimisht masa për të suspenduar një numër të llogarive dhe tani ato janë rikthyer. Prioriteti ynë kryesor është të mbrojmë diskutimet e shëndetshme në Twitter”, kishte thënë kompania në një përgjigje me shkrim për “Radion Evropa e Lirë”.

Në një deklaratë për median serbe në Kosovë, “Kosovo Onllajn”, drejtori i Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore të Serbisë, Arno Gujon, tha se ekipet speciale që do të merren me luftimin e “lajmeve të rreme” kundër Serbisë do të jenë në pesë gjuhë dhe se do të monitorojnë edhe raportet për Kosovën si një ndër temat më të shpeshta në mediat botërore.

Kosova “është një temë e shpeshtë në mediat perëndimore dhe në mediat botërore në përgjithësi, dhe ne duhet të veprojmë në mënyrë racionale dhe të shpjegojmë se çfarë janë në të vërtetë gjërat. Në rrafshin politik, gjithmonë duke theksuar se çfarë është dakorduar, çfarë është nënshkruar, çfarë nuk është nënshkruar, çfarë është respektuar nga Serbia dhe çfarë jo nga Prishtina. Dhe njerëzit duhet ta dinë këtë në çdo nivel, sepse kjo na bën dobi sepse Serbia ka qenë gjithmonë konstruktive, Serbia gjithmonë e ka mbajtur fjalën e saj, dhe kjo nuk është rasti me Prishtinën. Si pjesë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ne duhet të punojmë për këtë”, tha Gujon.

Ai madje pretendoi se shumë gazetarë në Perëndim kanë bërë karrierë duke u bazuar në lajme të rreme për Ballkanin dhe Serbinë dhe si shembull përmendi gazetaren e CNN, Christiane Amanpour.

“Njerëz të tillë, që atëherë ishin gazetarë të thjeshtë, sot janë shumë më të fuqishëm, disa prej tyre janë redaktorë, drejtorë botimesh… Ndërsa unë isha vetëm kryetar i një organizate humanitare dhe përpiqesha të promovoja realitetin se si jetojnë njerëzit në Kosovë, jam përballur me atë autocensurën ku gazetari interesohet, ku dëshiron të shkruajë dhe në fakt merr karton të kuq nga redaktori apo drejtori i botimit, sepse nuk shkon me atë që ata bënë dhe si raportuan vite më parë. Kjo vë drejtpërdrejt në pikëpyetje besueshmërinë e tyre”, deklaroi Gujon. /Klankosova.tv

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera