Lajme

Forumi i organizuar nga Osmani kritikohet për mospjesëmarrjen e grave që kanë shkruar historinë e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 16:15 | 22 October 2022

Nga sot në Prishtinë ka nisur punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet me iniciativë të presidentes Vjosa Osmani.

Ky edicion i këtij forumi pritet të grumbullojë mbi 400 pjesëmarrës që janë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.

Por, ky organizim që në fokus ka trajtimin e çështjeve që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë, është kritikuar për mospërfshirje të grave që kanë kontribuar para dhe pas luftës në Kosovë.

-Advertisement-

I pari që reagoi ishte Drejtori Ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu, i biri i aktivistes për të drejtat e grave, Flora Brovinës, i cili tha se një gjë e tillë nuk i bën nder Kosovës si nikoqire e as nuk mund ta rishkruajë historinë.

“Me u organizu në Kosovë një konferencë për gra & rolin e tyre në paqe, dhe mos me ftu as si mysafire gratë dhe vajzat me kontributin më të çmuar para, gjatë & pas luftës, si shembull të dëshmuar në botë nuk i bon nder Kosovës si nikoqire, por edhe historinë nuk e rishkruan”, tha ai në Twitter.

Një reagim të ashpër për mospjesëmarrjen e grave që kanë kontribuar për vendin në këtë forum e pati edhe anëtarja e LDK-së Melihate Tërmkolli, e cila e quajti “fake presidente” Vjosa Osmanin.

“Historia, pra edhe roli dhe kontributi grandioz i grave shqiptare për Liri, Pavarësi, Paqe e Demokraci, nuk mund të fshehet nga askush, aq më pak nga një ‘Fake Presidente’. Nderim të gjitha grave që punuan e sakrifikuan dhe ende punojnë për këtë vend!”, u shpreh Tërmkolli.

Edhe Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, pati kritika për presidenten e vendit duke thënë se ftoi gratë e botës që të flasin për luftën dhe paqen dhe injoroi ato kosovare që kanë shkruar historinë e vendit tonë.

“Hipokrizia e ka pamjen e Vjosa Osmanit. Ajo i thërret gratë e botës që të vijnë të flasin për luftën, paqen e lirinë dhe i injoron gratë e Kosovës që guxuan të marrin armën për luftën, paqen dhe lirinë e Kosovës. Sa shumë ka urrejtje kjo grua për çdo shqiptar/e që ka luftuar për vendin e vet”, tha Gjoshi në një postim në Facebook.

E ndonëse u kritikua se harroi gratë kosovare që dhanë kontribut për Republikën e Kosovës, Osmani në fjalën hapëse në këtë forum përmendi kontributin e grave para, gjatë dhe pasluftës në Kosovë.

“Historia e Kosovës është historia e secilës grua që e ka hequr një gur nga rruga drejt barazisë”.

Më pastaj, e para e vendit ndau edhe medalje presidenciale për gratë ukrainase.

“Sot e shprehim mirënjohjen e Ukrainës dhe në veçanti shprehim solidaritet me gratë e Ukrainës që s’po luftojnë vetëm për vendin e tyre, por në të njëjtën kohë janë cak i torturave çnjerëzore, përfshirë edhe përdhunimin”, deklaroi Osmani para të pranishmëve në Forum.

Lidhur me kritikat drejtuar presidentes Vjosa Osmani për organizimin e këtij forumi, Klankosova.tv ka provuar të flasë me dikë nga Zyra e Presidentes, por deri tash kjo gjë ka qenë e pamundur.

Ndryshe, edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i është kushtuar trashëgimisë së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Forumi në edicionin e parë të tij do të mbledhë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera