Ekspertja e turizmit Flora Xhamani Baba tha se duhet të jemi më të vëmendshëm me turistët që vijnë nga Kosova dhe duhet t’i konsiderojmë ata si një fluks më të rëndësishëm turistësh, pasi ata vijnë gjatë gjithë vitit.
E ftuar në Euronews Albania ajo tha se nuk duhet të vazhdojmë më me vendosjen e standardeve të ndryshme për turistët dhe se turistët e Kosovës duhet të paguajnë të njëjta çmime që paguajmë dhe ne në bregdet.
“Ne nuk duhet ta marrim për të mirëqenë turistin nga Kosova. Edhe atij duhet t’i bëjmë hyzmet. Duhet ta trajtojmë mirë, jo me dy standarde, jo çmime shqiptare, çmime kosovare, por një çmim unik nga të gjitha strukturat. Të gjitha strukturat pritëse të bregdetit shqiptar duhet të kuptojnë se vërtet kemi sezon të ulët, sezon të mesëm dhe sezon të lartë”, tha ekspretja.
“Turistët nga Kosova duhet të trajtohen si çdo turistë tjetër që vjen nga Tirana nga Gjermania, nga Amerika nga kudo qoftë, sepse edhe ata janë një fluks të cilin jo vetëm që nuk duhet ta marrim të mirëqenë, por duhet ti gëzohemi sepse e kemi gjatë gjithë vitit. Nuk kemi turistë të tjerë në dimër veç turistëve nga Shqipëria, kemi dhe Kosovën e cila na vjen gjithë vitin. Duhet ta konsiderojmë si një fluks më të rëndësishëm se flukset e tjera që janë 100 mijë, 200 mijë, 300 mijë”, tha ekspertja Flora Xhamani Baba. /Telegrafi