Lajme

Dy vjet e gjysmë qeverisje, Kurti: Gëzojmë besimin e 56% të qytetarëve

Autori: Gazeta inFokus 21:00 | 14 October 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar qeverisjen e tij gjatë këtyre 2 viteve e gjysmë.

Kurti  këtë e ka bërë duke përmendur  disa raportet ndërkombëtare. Kryeministri ka thënë se “nuk ka raport kredibil ndërkombëtar që nuk e ka njohur përparimin në demokraci, në të drejtat e njeriut, luftim të korrupsionit, sundim të ligjit, dhe qeverisje të mirë këto dy vjet e gjysmë”.

Ai ka përmendur Raportin e  BE-së për Vendin i vitit 2022, që siç thotë kryeministri  ishte më i miri që ka pasur Kosova deri më tani

-Advertisement-

“Aty nuk kishte asnjë fushë pa progres të shënuar dhe asnjë fushë me regres të evidentuar”, shkruan Kurti.

Tutje, kryeministri ka përmendur  raportin e Transparency International, të cilët thotë ai, në Indeksin e tyre të Perceptimit të Korrupsionit kanë renditur Kosovën për 20 vende më lartë,  dy vjet e gjysmë pas, Qeveria e 50.2% të zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit 2021, gëzon besimin e 56% të qytetarëve,  që siç thotë ai, më të lartin në mesin e të gjithë qeverive të Ballkanit Perëndimor, sipas matjeve të Balkan Barometer 2023.

Postimi i plotë:

Dy vjet e gjysmë qeverisje, përmes objektivit ndërkombëtar.
Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah. Nuk ka raport kredibil ndërkombëtar që nuk e ka njohur përparimin tonë në demokraci, në të drejtat e njeriut, luftim të korrupsionit, sundim të ligjit, dhe qeverisje të mirë këto dy vjet e gjysmë.

Fillimisht, Raporti i BE-së për Vendin i vitit 2022 ishte më i miri që ka pasur Kosova deri më tani. Aty nuk kishte asnjë fushë pa progres të shënuar dhe asnjë fushë me regres të evidentuar.

Transparency International në Indeksin e tyre të Perceptimit të Korrupsionit na ka renditur për 20 vende më lartë. Sivjet jemi në pozitën më lartë që kemi mbajtur ndonjëherë. Për 22 vende më lartë jemi renditur në Indeksin e Lirisë së Medieve, sipas Reporterëve pa Kufij. Në vitin e parë të qeverisjes kishim shënuar përmirësim rekord brenda një viti, duke u ngritur për 17 vende, kurse në vitin e dytë kemi arritur renditjen më e lartë ndonjëherë në këtë indeks. Pra, përmirësim i dyfishtë.
E për përmirësim në të drejtat politike dhe liritë civile, raporti i Freedom House i këtij viti, renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, të dytën në Evropë dhe të tretën në botë. Për nga përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, të dytët në botë na rendit edhe raporti i Projektit të Drejtësisë Botërore, i cili për të dytin vit me radhë të qeverisjes sonë, e nxjerr Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor.
Të parët në Ballkanin Perëndimor për Demokraci Elektorale dalim edhe sipas vlerësimit të Institutit V-Dem. Njashtu edhe sipas raportit të vitit 2022 të Fondit Ndërkombëtar Monetar për sa i takon rritjes së grumbullimit të të hyrave, edhe atë pa ndryshuar politikat fiskale. Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, Kosova krahas pakos mbështetëse më të madhe (si përqindje e BPV-së) në rajon për qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, ajo pritet të ketë rritjen më të madhe reale ekonomike në rajon për tre vitet e ardhshme. Projeksione të njëjtë ka edhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, e cila thotë se vendi ynë pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor për këtë vit dhe vitin tjetër. E një raport tjetër i Bankës Botërore, ai mbi Indeksin e Maturitetit të Teknologjisë, e ka ngritur Kosovën nga grupi C në atë B për fokus në qeverisje digjitale.

Dy vjet e gjysmë pas, Qeveria e 50.2% të zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit 2021, gëzon besimin e 56% të qytetarëve, më të lartin në mesin e të gjithë qeverive të Ballkanit Perëndimor, sipas matjeve të Balkan Barometer 2023.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera