Lajme

Drejtori i Ortopedisë jep detaje për gjendjen e të plagosurve mbrëmë në Prishtinë

Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 02 September 2024

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavit Gashi ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen e tre pacientëve të cilët kanë pësuar lëndime nga përleshja e mbrëmshme mes grupeve “Sekiraqa-Capat” e të cilët kanë kërkuar ndihmë në këtë klinikë.

Ai tha se njëri nga ta është operuar urgjent nga ekipi i Kirurgjisë bashkë me atë të Ortopedisë, dhe ka lëndime në pjesën e ekstremiteteve.

“Është bërë një operim provizor për çështjen urgjente, ai është duke u trajtuar tani në Kliniken e Kirurgjisë Abdonimale”, tha Gashi, njofton Klankosova.tv.

-Advertisement-

Tutje, Gashi tha se dy pacientët e tjerë kanë poashtu lëndime në të dyja ekstremitetet dhe po qëndrojnë në Qendrën Emergjente, pasi siç tha ai, policia ende nuk e ka siguruar perimetrin.

“Ata janë ende në Qendrën Emergjente pasi policia ka kërkuar për të siguruar perimetrin, nuk ka pasur ende. Momentin që bëhet sigurimi i perimetrit do të vazhdojnë trajtimin në klinikën tonë. Kemi ndarë një hapësirë të veçantë për këto raste që konsiderohen me rrezikshmëri”, tha ai.

Ndërkohë, Gashi tha se ndonëse pacientët kanë lëndime të shumëfishta, gjendja e tyre është stabile, por shtoi se është herët për prononcim për detaje shtesë se si do të shkojë gjendja më tutje.

“Ky është me lëndim me armë zjarri në pjesën e barkut, ka më shumë lëndime dhe ka disa plagë tejshkuese, e ka gjendjen pak më të rëndë por në gjendje stabile. Ndërsa këta dy i kanë lëndimet në këmbë të djathtë, por me vetfaktin që kanë lëndime të shumëfishta është herët të prononcohemi se si shkon gjendja më tutje”, u shpreh ai.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera