Fokus

Donika Gervalla i mban sekret kontratat e konsulentëve të jashtëm, jep qasje vetëm në kontratën e Gani Jakupit

Autori: Gazeta inFokus 16:53 | 24 January 2024

Luksi me pagën e majme prej 7,500 euro në muaj, konsulentit Gani Jakupi do t’i përfundojë në muajin qershor të këtij viti. Plot 90,000.00 euro do ti marrë për një vit ky konsulent në emër të lobimit për Kosovën.

E kjo është kontrata e vetme në të cilën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe diasporës i ka lejuar qasje Gazetës Infokus.

Pas shumë kërkesave, vështirësive e ankesave, më në fund ministria në krye me Donika Gërvallën i ka dërguar Infokusit, kontratën 1 vjeçare të punës së Gani Jakupit.

-Advertisement-

Mirëpo e njëjta nuk ndodhi edhe me kontratat e tjera.  Infokusi ka kërkuar qasje edhe në listën e pagave të konsulentëve të tjerë që paguhen nga kjo ministri për të lobuar për Kosovën jashtë vendit e ministrja Gërvalla edhe kësaj here ato i konsideroi “konfidenciale” siç e cilësonte në fillim edhe pagën e kontratën e punës së Gani Jakupit.

Gazeta Infokus qysh me 23 tetor të vitit 2023, kishte dërguar kërkesë në ministrinë e Gërvallës, mirëpo nga kjo ministri nuk hezituan të thyenin edhe Ligjin për Qasje në Dokumente duke kaluar çdo afat të mundshëm kohor, për ti mbrojtur sekretin e pagave, këshilltarëve apo siç po quhen nga ministria, lobuesit për Kosovën.

LEXO EDHE: Gazeta Infokus kërkoi qasje në kontratën e Gani Jakupit, Donika Gërvalla thotë se është konfidenciale

E vetëm pasi redaksia bëri ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), për shkelje të ligjit për qasje në dokumente, nga MPJD-ja morën mundin për tu marrë me këtë kërkesë.

Por përsëri paga të cilën këta këshilltarë e marrin nga buxheti i shtetit të Kosovës, për Donika Gërvallën po konsiderohet informacion i klasifikuar duke u thirrur në ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.

“Fillimisht ju kërkojmë ndjesë për vonesën e përgjigjes.. Bazuar në Ligjin Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, si dhe Bazuar në Vendimin  Nr. 105/2020 mbi Listën e Informacioneve të Klasifikuara që prodhohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk mund të publikojmë detaje që kanë të bëjnë me lobimin për njohje të reja, përfshi listën e këshilltarëve të angazhuar që lobojnë për Kosovën në botë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Megjithëse nuk dihet se për çfarë lobojnë e në cilat shtete dhe as kush janë ose a i kanë sjellë ndonjë njohje Kosovës, sipas ministrisë publikimi i çdo detaji mund të dëmtojë proceset e tilla dhe raportet ndërshtetërore.

Derisa Gazeta Infokus ka kërkuar qasje në listën e këtyre këshilltarëve që lobojnë për Kosovën jashtë vendit, listën me emra dhe listën e pagave, të gjitha këto po konsiderohen sekret shtetëror.

“Vendimi Nr. 105/2020, Pika 12: Klasifikohen konfidenciale të gjitha materialet që kanë të bëjnë me procesin e njohjes së shtetit të Kosovës nga shtetet të cilat Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës vlerëson se publikimi i tyre rrezikon procesin, raportet ndërshtetërore dhe interesat e Republikës së Kosovës.  Vendimi  Nr. 105/2020, Pika 15: Klasifikohen si konfidenciale të gjitha dosjet që kanë të bëjnë mbi shpenzimet e veçanta me karakter lobimi, publikimi i të cilave vlerësohet se do të dëmtonte interesat shtetërore të Republikës së Kosovës. Nisur nga kjo, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kërkon mirëkuptimin tuaj dhe të opinionit publik”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të MPJD-së.

Por si për çudi konfidenciale më nuk po konsiderohet kontrata e Gani Jakupit, paga dhe puna për të cilën është angazhuar.

“Ndërsa, lidhur me pyetjen e dytë, bashkëngjitur ua përcjellim kontratën për shërbime “Konsulent i jashtëm për çështjet kulturore dhe mediatike”, të nënshkruar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel dhe z. Gani Jakupi, brenda së cilës gjeni të gjitha detajet e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

90 mijë euro në vit për një konsulent i cili është i angazhuar për shërbimet si më poshtë:

 

Por sa është buxheti i kësaj ministrie për vitin 2024 dhe sa ishte në 2023?

Për vitin 2024, nga buxheti i shtetit për ministrinë e Donika Gërvallës, janë ndarë hiq më pak se 59 milionë e 344 mijë euro.

Prej tyre 33 milionë euro janë të ndara për ambasadat dhe 2 milionë të tjera për shërbime të konsulencës.

Ndërsa në vitin që lamë pas, buxheti i MPJD-së ishte 46 milionë euro. Shifra më e madhe ishte për ambasadat apo afro 36 milionë. Ndërsa për shërbimet konsulente në vitin 2023 u ndanë nga buxheti mbi 2 milionë euro./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera