Lajme

Dialogu mes presidentëve, ende pa u zbatuar marrëveshjet e arritura Kosovë-Serbi

Autori: Gazeta inFokus 20:14 | 23 December 2017

Dialogu Kosovë-Serbi zyrtarisht pritet të hyjë në fazën e tij të tretë dhe përmbyllëse duke iu deleguar presidentëve të dy shteteve.

Megjithëse faza paraprake e këtij dialogu konsiderohet e mbyllur, të paktën 6 marrëveshje të arritura ende nuk janë zbatuar tërësisht.

Dialogu që filloi në vitin 2011 u udhëhoq në të dy fazat e tij nga Edita Tahiri, Zëvendës Kryeministre dhe ministre për Dialog. Faza e parë e dialogut që u quajt teknik, një vit pas u shndërrua në dialog politik për normalizim të marrëdhënieve.

-Advertisement-

Edita Tahiri qe Kryenegociatore e dialogut deri këtë vit, kur edhe qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa u rrëzua me një mocion të mosbesimit.

Tahiri si ministre në këtë qeveri po ashtu la postin duke i deleguar punët qeverisë tashmë të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, së bashku me një raport të punës së deritanishme.

E pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, lidhur me marrëveshjet e arritura dhe zbatimin e tyre, Tahiri iu referua raportit të punës që e kishte dorëzuar në korrik të këtij viti.

Sipas saj, në të dy fazat e dialogut janë arritur rreth 33 marrëveshje ndërkaq nuk ka ndryshime të gjendjes së zbatimit të marrëveshje deri më tani nga raporti që ka bërë.

Sipas këtij raporti, disa nga marrëveshjet e pazbatura janë të bllokuara nga Serbia ndërsa disa të tjera janë vonuar në zbatim nga ana e Kosovës.

Në përgjithësi, si të pazbatuara konsiderohen marrëveshja e energjisë, për diplomat, për kadastër, për mbrojtjen civile, largimi i strukturave paralele dhe asociacioni për komunat me shumicë serbe.

Marrëveshja për energjinë e cila është negociuar për gjashtë vite është bllokuar nga shteti i Serbisë, dhe arsyet për këtë bllokadë janë përshkruar në raportin e Tahirit.“Ne besojmë se prapa këtyre pengesave qëndron mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e energjisë, për shkak të interesave të saja politike dhe ekonomik”, thuhet në raport.

Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave është po ashtu e pazbatuar për shkak të mosgatishmërisë së Serbisë.
Sipas Edita Tahirit, kjo marrëveshje do të ishte veçanërisht për studentët që vijnë nga Presheva.“Motivet për bllokadë duket të jenë të natyrës politike, të orientuara kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët veçanërisht kanë nevojë për pranimin e diplomave të tyre, duke qenë se studiojnë në Kosovë, në mungesë të Universitetit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës në Serbi dhe të cilët kërkojnë të kthehen dhe të shërbejnë në sektorin e arsimit ose të punësohen në sektorë të tjerë publikë në Luginën e Preshevës”, konstatoi ajo.Në vitin 2011, Kosova me Serbinë po ashtu kishte arritur marrëveshje që dokumentet kadastrale të cilat janë marrë dhunshëm nga Serbia gjatë luftës kundër Kosovës në vitet 1998-1999 të kthehen në Kosovë.

Sipas raportit, fillimisht vonesat kishin ardhur nga ana e Kosovës miratimin e Ligjit për Agjencinë Teknike mbi krahasimin dhe verifikimin e dokumenteve kadastrale që do të kthehen në Kosovë, ndërsa pas miratimit të këtij ligji, Serbia ende po refuzon të kthejë këto dokumente.

Serbia po ashtu konsiderohet bllokuese e zbatimit të marrëveshjes së arritur në vitin 2015, për mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga struktura e quajtur ‘Mbrojtja Civile’ në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sipas raportit, Serbia ka sabotuar zbatimin e kësaj marrëveshje në mënyra të ndryshme.
“Kosova ka paguar paga për 378 persona për 18 muaj me radhë, por ata nuk mund të punojnë, sepse lokalet që kemi marrë me qira janë bombarduar dhe qiradhënësi është kërcënuar.

Përveç kësaj, objektet e ish “mbrojtjes civile” të cilat duhej t’i dorëzoheshin Qeverisë së Kosovës, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, dorëzimi nuk është bërë ende”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, Kosova është shkas për mos zbatimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe.
Kjo sipas Tahirit po bëhet për ta kushtëzuar Serbinë për të larguar strukturat paralele të instaluara brenda Kosovës.“Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim i cili nënkupton se në njërën anë zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat paralele të saj në Kosovë, duke përfshirë strukturat ilegale komunale në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera