Lajme

Dështon sërish së themeluari Komisioni për rezervat, Hoti: Deputetët e VV-së po marrin urdhra prej komisarëve të partisë

Autori: Gazeta inFokus 19:27 | 24 October 2023

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje “marrin urdhra prej komisarëve të partisë”, për mos themelimin e komisionit hetimor për rezervat shtetërore.

Ai, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ka thënë se vazhdon të qëndrojë nëpër seminare.

”Edhe sot, për të pestën herë, ka dështuar konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dyshimet për procedurat për sigurimin e rezervave shterërore. Urdhërat që i detyrojnë deputetët e mazhorancës të mos paraqiten në komision vijnë nga komisarët e nga kryeministri, i cili gjysmën e vizitave jashtë i ka në seminare e shkolla politike të së majtës në Greqi e vende tjera”.

-Advertisement-

Hoti deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i ka cilësuar si pjesë të “maskaradës politike”.

”Fatkeqësisht, këta deputetë janë bërë pjesë e maskaradës politike të Kurtit, i cili po angazhohet me ngulm që t’i pamundësoj opozitës të ushtrojë rolin e saj mbikëqyrës të punës së Qeverisë”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka kritikuar Qeverinë për injorimin e opozitës si në rastin e mos dhënien e përgjigjeve për deputetët opozitarë, duke shtuar se kjo do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

”Mospjesëmarrja e mazhorancës në seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita, mospërgjigja e Kryeministrit në pyetjet parlamentare të opozitës, si dhe pamundësimi i punës së Komisionit Hetimor Parlamentar përbëjnë akte antikushtetuese dhe pamundësojnë funksionimin e demokracisë parlamentare në Kosovë. Padyshim se kjo anomali do të dëmtojë procesin e anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku respektimi i praktikave demokratike dhe lirive janë shumë të rëndësishme. Kjo anomali do të mbetet njollë e zezë dhe episod fatkeq në demokracinë parlamentare të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Reagimi i plotë:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera