Lajme

Takimi i sotëm në Strasburg përfundon pa e futur Kosovën në agjendën për mbledhjen e Komitetit të Ministrave

Autori: Gazeta inFokus 20:31 | 07 May 2024

Takimi i sotëm në Strasburg i zëvendësministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës ka përfunduar pa e futur në agjendë kërkesën e Kosovës për anëtarësim për mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Ministrave këtë muaj.

Zëdhënësi i kësaj organizate, Dusan Vojnovic, ka thënë për Gazetën Express se kërkesa e Kosovës vazhdon të mos jetë ende pjesë e agjendës së mbledhjes së ardhshme.

“Diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Në këtë fazë Kosova nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, tha ai, derisa shtoi se do të informojnë në rast të ndonjë zhvillimi.

-Advertisement-

Droja që Kosova mund të mos përfshihet fare në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 16-17 maj është rritur pas kërkesës që vetë liderët e Francës dhe Gjermanisë ia bënë kryeministrit Albin Kurti për hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit.

Gazeta Express më herët ka pyetur Presidencën e Lihtenshtajnit, shtet kryesues, nëse janë duke zhvilluar konsultime për atë se a do të futet në agjendë anëtarësimi i Kosovës gjatë ministerialit të vendeve anëtare në Strasburg.

Në përgjigje u tha se “rendi i ditës do të miratohet përfundimisht nga Ministrat e Jashtëm më 17 maj dhe do të bëhet publike pas mbledhjes së bashku me të gjitha vendimet që do të marrin ministrat”.

Për këtë takim të sotëm, dje në zyrën e kryeministrit Albin Kurti shkuan ambasadorët e vendeve të Quint’it.

Kurti atyre u përmendi raportin e grekes Dora Bakoyannis, për të cilin tha se u konfirmua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe se  “kanë konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate”.

Po ashtu, kryeministri Kurti tha se me vendimin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit dhe letrën e dërguar nga tre krerët e vendit – ku zotohen për themelim të Asociacionit – “Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”.

Si përgjigje për kërkesën e Francës e Gjermanisë, Kurti u ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

“Procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Përkundër kërkesës që Kosova të bëjë hapat konkretë për Asociacionin, kryeministri Kurti përsëriti qëndrimin e tij se “neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera