Lajme

Deri në 87 mijë vende të reja pune në Kosovë? Pengesat drejt realizimit

Autori: Gazeta inFokus 16:32 | 23 November 2026

Tetëdhjetë e shtatë mijë vende të reja pune në një vend ku, sipas të dhënave të fundit, 11 për qind e fuqisë punëtore ishte e papunë.

Deri në 1.5 miliard dollarë investime private në një ekonomi ku pjesa dërrmuese e kapitalit të huaj përfundon në patundshmëri dhe shërbime financiare.

Këto janë mundësitë që Banka Botërore sheh për Kosovën gjatë dekadës së ardhshme.

-Advertisement-

Por, rruga drejt realizimit të tyre pengohet nga probleme të njohura prej vitesh: furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike, mungesa e punëtorëve të kualifikuar, burokracia dhe pasiguria juridike.

Në një raport të publikuar në fund të tetorit, Banka Botërore identifikon tri fusha ku reformat mund të nxisin investime dhe punësim: energjinë e ripërtëritshme, shërbimet e biznesit dhe prodhimin e komponentëve për ndërtim.

Por, çfarë duhet të ndryshojë që këto investime dhe vende pune të bëhen realitet?

Investimet vijnë, por ku përfundojnë?

Kosovës nuk i mungojnë investimet e huaja, por pjesa më e madhe e tyre përqendrohet në sektorë që kanë ndikim të kufizuar në rritjen e prodhimit dhe të eksporteve.

Sipas raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, gati 82 për qind e investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2025 shkuan në patundshmëri dhe në veprimtari financiare e të sigurimeve.

Ndërkohë, varësia e vendit nga importet mbetet e lartë.

Nga janari deri në tetor të këtij viti, sipas Doganës së Kosovës, u importuan mallra në vlerë prej mbi 6.3 miliardë eurosh, ndërsa eksportet arritën në rreth 960 milionë euro.

Kjo do të thotë se për çdo 100 euro mallra të importuara, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej vetëm rreth 15 eurosh.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë ishte 11 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2025, ndërsa inflacioni vjetor arriti në 7.1 për qind në tetor të vitit 2026, duke rënduar koston e jetesës.

Këta tregues nxjerrin në pah nevojën për investime që krijojnë vende pune, rrisin prodhimin vendor dhe eksportet.

Ku janë mundësitë për investime?

Banka Botërore sheh potencialin më të madh për tërheqjen e kapitalit privat në prodhimin e energjisë elektrike nga dielli dhe era.

Deri në vitin 2035, ky sektor mund të tërheqë rreth një miliard dollarë investime private dhe të mbështesë krijimin e rreth 8.300 vendeve të punës.

Kosova synon që deri në vitin 2031 ta rrisë në 63 për qind pjesëmarrjen e burimeve të ripërtëritshme në kapacitetet e instaluara për prodhimin e energjisë elektrike, nga 23 për qind sa ishte në vitin 2024.

Por, për tërheqjen e investimeve, Banka Botërore rekomandon një kalendar shumëvjeçar të ankandeve për energjinë e ripërtëritshme, rregulla më të qarta për marrëveshjet e blerjes së energjisë dhe garanci për përmbushjen e detyrimeve të pagesave ndaj investitorëve.

Mundësi të tjera shihen në sektorin e shërbimeve të biznesit, që përfshin teknologjinë informative, përpunimin e të dhënave, shërbimet administrative dhe mbështetjen për klientët e kompanive të huaja.

Sipas Bankës Botërore, ky sektor mund të tërheqë nga 68 deri në 177 milionë dollarë investime dhe të krijojë nga 32 mijë deri në 46 mijë vende pune.

Ndërsa, prodhimi i komponentëve për ndërtim mund të mobilizojë deri në 296 milionë dollarë investime dhe të krijojë deri në 33 mijë vende pune, duke shfrytëzuar kërkesën në Kosovë dhe në tregjet evropiane.

Në total, reformat në këta tre sektorë mund të nxisin nga 1.2 deri në 1.5 miliard dollarë investime dhe të mbështesin krijimin e 61 mijë deri në 87 mijë vendeve të punës, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, brenda pesë deri në dhjetë vjetësh.

Megjithatë, këto shifra paraqesin potencialin e vlerësuar, jo investime apo vende të garantuara pune. Realizimi i tyre varet nga reformat dhe kushtet që do të krijohen për investitorët.

Çfarë po i pengon investimet?

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë thonë se potenciali i identifikuar nga Banka Botërore mund të shfrytëzohet edhe më shpejt, nëse institucionet ndërmarrin hapa konkretë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka investitorë të interesuar, por se atyre u duhen kushte më të favorshme për të investuar.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë të presë një dekadë për të tërhequr investime të konsiderueshme. Me vullnet politik dhe angazhim institucional, disa nga mundësitë mund të shfrytëzohen edhe brenda një viti.

“Jo vetëm 1.5 miliard, por edhe më shumë… Kosova mund të realizojë investime private pa problem. Vetëm nëse ndërmerr veprime konkrete qysh tani, përmes reformave në politikat fiskale, në sundimin e ligjit dhe në arsim”, thotë Rafuna.

Ndër masat që ai i konsideron të nevojshme dhe lehtë të zbatueshme janë lirimi nga taksat doganore për pajisjet e linjave të prodhimit, rishikimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe eliminimi i procedurave administrative që, sipas tij, po u krijojnë pengesa bizneseve.

“Duhet të digjitalizohen sa më shumë procedura, në mënyrë që investitorët të mos humbin kohë duke u marrë fizikisht me çështje administrative”, thotë Rafuna.

Por, pengesat shkojnë përtej burokracisë.

Banka Botërore identifikon edhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, vështirësitë në financim, konkurrencën nga ekonomia joformale dhe furnizimin e paqëndrueshëm me energji elektrike.

Sipas raportit, gati gjysma e bizneseve të anketuara kanë raportuar ndërprerje të furnizimit me energji.

Mungesa e punonjësve të kualifikuar, veçanërisht në teknologji dhe prodhim, ngre pikëpyetje nëse Kosova do të mund t’i plotësojë nevojat për fuqi punëtore, në rast se investimet e parashikuara realizohen.

Banka Botërore vëren se emigrimi dhe largimi i punëtorëve të kualifikuar e vështirësojnë zhvillimin e bizneseve. Sipas saj, rreth një e treta e personave të lindur në Kosovë jetojnë jashtë vendit.

Për këtë arsye, raporti rekomandon përmirësimin e arsimit profesional, përshtatjen e aftësive me nevojat e tregut dhe ndryshime në rregullat e punës.

Edhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, vlerëson se vendi ka përparësi që mund t’i shfrytëzojë për të tërhequr investitorë, për të rritur prodhimin dhe për të zgjeruar eksportet.

“Kosova ka pozitë të mirë gjeografike, fuqi të re punëtore dhe qasje në tregjet evropiane”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, sipas Mehmetit, investitorët potencialë kërkojnë fillimisht stabilitet institucional, siguri juridike, furnizim të qëndrueshëm me energji dhe procedura të parashikueshme administrative.

Ai thekson se problemi nuk qëndron domosdoshmërisht te mungesa e ligjeve, por te zbatimi i tyre në praktikë.

“Investitorët nuk e vlerësojnë vetëm atë që shkruan në ligj, por, mbi të gjitha, mënyrën se si funksionojnë institucionet në praktikë”, thekson Mehmeti.

Për t’i adresuar këto pengesa, Banka Botërore propozon masa të veçanta për secilin nga tre sektorët e identifikuar.

Për shërbimet e biznesit, rekomandon qartësimin e rregullave për punën në distancë, njohjen ligjore të nënshkrimeve elektronike në kontratat private dhe përmirësimin e procedurave të inspektimit të punës.

Për prodhimin e komponentëve të ndërtimit, kërkon përshpejtimin e lejeve për objektet industriale, lehtësimin e qasjes në tokë dhe financim, si dhe forcimin e aftësimit profesional.

Ndërsa, në sektorin e energjisë, rekomandon një kalendar shumëvjeçar të ankandeve dhe garanci financiare që do t’u jepnin investitorëve më shumë siguri.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar tashmë masa për lehtësimin e investimeve dhe rritjen e prodhimit vendor, por nuk ka sqaruar se cilat nga rekomandimet e Bankës Botërore do t’i zbatojë dhe brenda çfarë afati.

Një miliard euro importe të zëvendësohen me prodhime vendore?

Përveç sektorëve të identifikuar nga Banka Botërore, mundësi për rritjen e prodhimit vendor shihen edhe te mallrat që Kosova aktualisht i importon.

Platforma për analiza ekonomike, Data4X, ka prezantuar Agjendën Një Miliard Euro, e cila synon që deri në vitin 2030 të zëvendësojë importe në vlerë prej një miliard eurosh me produkte të prodhuara në Kosovë.

Bashkëthemeluesi i kësaj platforme, Shpend Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë analizuar më shumë se 9.000 produkte të importuara, për të identifikuar ato që kanë potencial të prodhohen brenda vendit.

Sipas tij, pijet, biskotat, makaronat, produktet e bulmetit, pemët dhe perimet, mishi, mobiliet dhe komponentët e ndërtimit janë ndër kategoritë ku Kosova ka kapacitete për të rritur prodhimin vendor dhe për të zvogëluar varësinë nga importi.

Vetëm këto kategori produktesh, gjatë vitit të kaluar, janë importuar në vlerë prej rreth 760 milionë eurosh.

Ahmeti thotë se kompanitë vendore janë të gatshme të zgjerojnë aktivitetin dhe kapacitetet prodhuese, por nga institucionet kërkojnë përshpejtimin e procedurave për pajisjen me leje, monitorim më të mirë të tregut, mbështetje për eksport dhe ndryshime ligjore.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Data4X, mbi 76 për qind e kompanive të anketuara presin rritje të shitjeve në vitin 2027, ndërsa 74 për qind e prodhuesve të anketuar kanë një projekt konkret investimi.

Po ashtu, 33 për qind e tyre planifikojnë të punësojnë më shumë se dhjetë persona.

Por, zëvendësimi i importeve nuk është vetëm çështje e zgjerimit të kapaciteteve prodhuese.

Për të fituar një pjesë më të madhe të tregut, kompanitë vendore duhet të ofrojnë produkte që konkurrojnë me mallrat e importuara, si në çmim, ashtu edhe në cilësi.

Prandaj, vlera e produkteve që aktualisht importohen, nuk nënkupton se e gjithë ajo shumë mund të zëvendësohet automatikisht me prodhim vendor.

Çfarë po planifikon Qeveria?

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të sqaruar se cilat reforma planifikon të ndërmarrë dhe brenda çfarë afati, për të shfrytëzuar potencialin për investime dhe punësim të identifikuar nga Banka Botërore.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se synimi i Qeverisë është që brenda katër vjetësh të zëvendësojë me prodhime vendore importe në vlerë prej mbi një miliard eurosh.

“Do të thotë fabrika të reja, vende pune e produkte vendore në raftet tona, por edhe eksport”, tha Kurti më 18 nëntor, në konferencën “E ardhmja e biznesit: Nga mundësitë tek investimet”, të organizuar nga Data4X.

Ai bëri të ditur se është hartuar një plan veprimi me dhjetë kërkesa të bizneseve, secila me institucion përgjegjës dhe afat për zbatim.

Plani përfshin çështje që lidhen me pagesat e vonuara, grantet, lejet ujore, certifikatat e eksportit dhe procedurat tatimore e doganore.

Kurti paralajmëroi se përparimi në zbatimin e masave do të vlerësohet në pranverën e vitit 2027. /REL

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy