Lajme

Dënohen me burg shtatë të akuzuarit për dhunimin e 11-vjeçares, njëri lirohet

Autori: Gazeta inFokus 10:40 | 23 April 2024

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 62 vite burgim të akuzuarit për dhunimin e 11 vjeçares, rasti i rëndë që ndodhi në qershor të vitit 2023.

Sipas vendimit të Gjykatës i akuzuari me inicialet B.Rr është dënuar me 12 vite burgim ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R  janë dënuar me 10 vite burg.

“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari  B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R  janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh,  secili veç e veç”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

-Advertisement-

Derisa njëri nga të akuzuarit me inicialet G.S është liruar sipas Gjykatës në mungesë të provave, shkruan Gazeta Infokus.

“I akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale të Dhunimit, i pandehuri D.RR është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit, i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale  Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit. Të akuzuarve  B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S dhe M.R. iu është caktuar masa e paraburgimit deri ne plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, është deklaruar nga Gjykata.

“Të akuzuarit janë obliguar të kompensojnë shpenzimet e procedurës penale, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për kërkesën pasurore. Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, theksohet në njoftim.

Kujtojmë se rasti i rëndë kishte ndodhur në qershor të vitit 2023 ku fillimisht dyshohej se 5 persona e kishin dhunuar një 11 vjeçare vazhdimisht për më shumë se 7 orë. Më pas ishin arrestuar dy të dyshuar nga ku edhe u ngritën dyshimet se aktin e rëndë e ndaj të miturës e kishin kryer 7 persona./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera