Fokus

Dejona Mihali, “masha e kontrollit” të deputetëve të LVV-së, Elezi: Ajo kontrollon edhe Albin Kurtin e AKI-në

Autori: Elvira Haxhiu 21:15 | 16 February 2023

Emri i Dejona Mihalit, të enjten ishte kryefjala e mediave kosovare. Kjo pasi deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, tha se ajo e kontrollon grupin parlamentar të kësaj partie.

E përveç deputetëve, sipas ekspertit të Sigurisë, Bedri Elezi, Mihali kontrollon edhe vetë kreun e partisë në pushtet dhe njëherësh kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, Elezi ka thënë se Dejona Mihali është themeluesja dhe shefja e shërbimit sekret të LVV-së.

-Advertisement-

“Në fakt Dejona është jo vetëm shefja e grupit parlamentar të LVV, por gjithashtu është njeriu kryesor në LVV apo ndryshe mund të themi se është shefja edhe e Albin Kurtit”, ka thënë eksperti i sigurisë për Infokus.

Sipas tij, ajo ka punuar në Bankën Botërore, përkatësisht në departamentin i cili mbulonte aktivitetet ruse.

“Dejona Mihali ka punuar në Bankën Botërore, përkatësisht në departamentin i cili mbulonte aktivitetet ruse. Dejona kishte ideuar themelimin e një shërbimi sekret i cili do të operonte i mbuluar nga Rrjeti i Aksionit për Kosovën (KAN)”, ka thënë Elezi.

Përveç, Albin Kurtit dhe deputetëve të LVV-së, Elezi ngre dyshime duke thënë se Mihali aktualisht kontrollon edhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

“Dejona aktualisht kontrollon edhe AKI-në”, deklaroi ai për Infokus.

Deputeti Haki Abazi, të enjten në një konferencë të thirrur për media ngriti akuza të rënda për ngufatje të demokracisë brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në mesin e atyre që sipas Abazit po ngufatin zërin e deputetëve është edhe Dejona Mihali, të cilën ai e quajti “mashë të kontrollit” të deputetëve të mazhorancës.

“Unë e kam iniciuar krijimin e Komisionit për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Ajo është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së, duke mbivendosur mbi vullnet e çdo deputeti dhe pa legjitimitet. Mihali nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e garës së brendshme të VV-së, por është njeriu kryesor që kryeson, menaxhon dhe merr vendime brenda aty”, ka thënë Abazi para gazetarëve.

Ndryshe, aktivistja e LVV-së, Dejona Mihali, nuk është shumë emër i njohur për publikun, pasi nuk ushtron asnjë funksion publik në Qeverinë Kurti. Mirëpo, ajo është figurë e rëndësishme në LVV, pasi që është anëtare e kryesisë.

Ndërkaq, në ueb-faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje nuk jepen shumë informacione për rolin e Mihalit në parti. Si informacion për publikun është dhënë vetëm pozita e saj si ‘Koordinatore e Komiteteve‘, pozitë kjo të cilën e mban që nga viti 2016./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera