Lajme

Dalin pamjet e momentit kur vetura goditi këmbësorët në Berlin

Autori: Gazeta inFokus 19:48 | 08 June 2022

Një vozitës me makinë ka përplasur sot një grup studentësh këmbësorë në një vend të popullarizuar për blerje në Berlin të Gjermanisë, duke lënë të vdekur një mësuese dhe nënë të tjerë të lënduar rëndë.

Gazeta Express ka siguruar pamje nga vendi ku ka ndodhur ngjarja e sotshme rreth orës 10:30. Qytetarët e lënduar shihen të shtrirë për tokë, pak momente pasi që vetura kishte përplasur ata, përderisa qytetarë të tjerë vrapojnë në mënyrë kaotike, duke u përpjekur që t’u dalin në ndihmë.

Në pamjet e siguruara nga gazeta, vetura e tipit “Renault” shihet e përplasur brenda një dyqani, pasi që kishte goditur xhamin e jashtëm për ekspozim nga ana e trotuarit.

-Advertisement-

Sipas deklaratës së policisë gjermane, i dyshuari së pari kishte përplasur njerëzit kalimtarë me veturë dhe pastaj ishte përplasur në dyqanin e lartpërmendur disa blloqe më larg. Kështu ka thënë për mediat zëdhënësi i policisë gjermane, Thilo Cablitz.

Një zyrtar i lartë gjerman për siguri, Iris Spranger, ka thënë se gruaja e vrarë është një mësuese, e cila gjendej për vizitë në kryeqytetin gjerman, bashkë me studentët e saj nga një shkollë e mesme në Hesse të Gjermanisë.

Gjashtë nga nëntë të lënduarit kanë pësuar lëndime të rrezikshme për jetë dhe tre të tjerë janë lënduar rëndë, ka thënë në anën tjetër zëdhënësi i shërbimit të zjarrfikësve, Adrian Wentzel.

Në afërsi ishte edhe aktori amerikano-britanik John Barrowman, i cili ngjarjen e dëshmuar e ka përshkruar me shprehjen “kërdi”.

Policia gjermane ka deklaruar se i dyshuari është një 29 vjeçar gjermano-armen, i cili jetonte në Berlin. Ai është arrestuar shpejt pas ngjarjes së shkaktuar, megjithatë policia ka thënë se po hetohen ende rrethanat, për të ardhur në një përfundim nëse ngjarja ishte e shkaktuar qëllimshëm apo aksidentalisht.

Ndërkohë, në media është raportuar se është gjetur një ‘letër rrëfimi’ e të dyshuarit në veturën ku kishte ndodhur aksidenti, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga autoritetet gjermane.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera