Fokus

Çfarë ndodhi me rastin e kërcënimit që Besnik Bislimi tha se iu bë nga Abelard Tahiri i PDK-së? Flasin nga prokuroria

Autori: Samire Jaha 15:06 | 27 December 2022

Në seancën e 10 nëntorit të Kuvendit të Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kishte deklaruar se është kërcënuar nga shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Në lidhje me këtë Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur menjëherë hetimet, të paktën kështu kishte konfirmuar për Infokus po në këtë ditë, Laureta Ulaj, zëdhënëse e kësaj prokurorie.

“Referuar pyetjes suaj, iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë çështje”, kishte deklaruar Ulaj për Infokus.

-Advertisement-

Derisa me datën 5 dhjetor, Gazeta Infokus ka kërkuar sërish të dijë se deri ku kanë shkuar hetimet për këtë rast. Mirëpo nga prokuroria, përgjigja ishte shumë e shkurtër.

Sërish zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, për Infokus ka treguar që ky rast po vazhdon të jetë ende nën hetime duke mos dhënë ndonjë detaj tjetër apo informacion shtesë.

“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se është ende nën hetim”, janë përgjigjur shkurt nga prokuroria, pas kërkesës të vazhdueshme nga Infokus për informacione në lidhje me këtë rast.

Ndryshe gjatë seancës së 10 nëntorit, zëvendëskryeministri Bislimi kishte kërkuar nga prokuroria që të marrë masa në lidhje me këtë rast.

“Ish ministri i Drejtësisë dhe deputeti nga kjo foltore u kthye me një sërë akuzash, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni me stilin e një banditi që i vendos shurdhues armës. U kthye nga unë me një sërë kërcënimesh dhe nga foltorja e tij me sharje dhe mendoj që do të ishte mirë që prokuroria me marrë masa për rastin”, tha Bislimi në seancën e Kuvendit.

E përkundër kësaj akuze deputeti Tahiri kishte mohuar të ketë bërë një gjë të tillë.

Ai gjatë seancës kishte reaguar duke thënë se “qeveria është çoroditur”.

“Vërtet është një çoroditje e kësaj qeverie. A jeni duke e pa sjelljen e këtij [Bislimit] sjelljen e kësaj [Haxhiut], këta e kanë një siklet shumë të madh, kanë një problem tepër të madh. Këta janë në një siklet që as vendi vend nuk po i zen. Ky edhe flet akuza të pa baza, del në foltore, flet të pavërteta, ky me të vërtetë është në gjendje të rëndë edhe psikike, prandaj ne i kërkojmë fokus angazhim e punë kësaj Qeverie në krye të detyrave të saja”- tha ai./Gazeta Infokus/

Bislimi tha se u kërcënua nga Tahiri, ky i thotë se ka probleme psikike

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera