Sport

“Çfarë çmendurie me Kolo Muani…”/ Lautaro kujton finalen e Katarit me “Dibu” Martinez

Autori: Gazeta inFokus 13:45 | 19 December 2024

Dy vite më pare (më 18 dhjetor 2022), Argjentina realizoi ëndrrën e saj, duke ngritur Kupën e Botës në Katar, pasi triumfoi ndaj Francës në një finale dramatike, e cila përfundoi me penallti.

Protagonistët e këtij suksesi historik, pjesë e ekipit të Lionel Scaloni, kanë rikujtuar disa nga momentet kyçe të atij dimri të paharrueshëm: Emiliano ‘Dibu’ Martinez (portier i Aston Villa), Lautaro Martinez (sulmues i Interit), Alexis Mac Allister (mesfushor i Liverpool-it) dhe Enzo Fernandez (mesfushor i Chelsea).

Biseda mes shokëve të Albiceleste u përqendrua te momenti historik i finales: parada e ‘Dibu’ Martinez ndaj Kolo Muani gjatë kohës shtesë.

-Advertisement-

Ajo pritje, me këmbën e majtë dhe krahët e hapur për të mbuluar sa më shumë hapësirë, ruajti rezultatin 3-3 dhe i çoi argjentinasit drejt triumfit me penallti. Ai moment u konsiderua vendimtar dhe e bëri Martinez një nga heronjtë e finales.

“Ky është momenti më i bukur”, – kujton ‘Dibu’ Martinez, ndërsa Lautaro përgjigjet me humor: – “E ke përmendur tashmë”. Alexis Mac Allister shton: “E ke përmendur 50 herë, mjaft tani!”

Në një atmosferë plot të qeshura, Lautaro ironizon: “Ke shpikur 10 versione të ndryshme të asaj historie”. Edhe Enzo Fernandez nuk mbetet pas, duke e ngacmuar shokun e tij: “Çfarë do të shpikësh tjetër?”

Pas momenteve gazmore, toni bëhet më serioz dhe Lautaro pranon: “Por, vërtet ishte çmenduri…” Alexis Mac Allister kujton një episod nga stoli: “Isha në pankinë, pasi më kishin zëvendësuar, dhe po ju them se askush nuk reagoi. Sikur të gjithë ishin të shokuar”.

Martinez, në mënyrën e tij karakteristike, përfundon duke thënë: “Gjithsesi, kam bërë pritje më të mira në klubin tim”.

Sidoqoftë, për tifozët argjentinas, ajo pritje mbetet e paharrueshme dhe simbol i triumfit të madh të Albiceleste.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera