Lajme

Bullizmi në shkolla vazhdon të jetë një dukuri shqetësuese

Autori: Gazeta inFokus 08:05 | 07 March 2022

Bullizmi dhe përdorimi i dhunës ndërmjet nxënësve në shkollat e Kosovës, vazhdon të jetë një dukuri shqetësuese. Sipas ekspertëve, kohët e fundit ky fenomen theksohet edhe më shumë përmes rrjeteve sociale, sidomos nga nxënësit në shkolla. Ndërkohë, Ministria e Arsimit, ka bërë të ditur se sipas përgjegjësive institucionale i ka adresuar me kohë politikat për parandalimin dhe referim të dhunës në shkolla, përfshirë edhe bullizmin.

Gjatë vitit 2021, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 413 incidente të ndryshme në shkolla në nivel vendi. Dukuria e dhunës në shkolla ka vazhduar edhe gjatë fillimit të këtij viti, ndërsa ekspertët thonë se duhet të hartohen programe parandaluese të dhunës në shkolla, ku do të përfshihen edhe psikologët. Psikologu Ilir Havolli, tha për Radio Kosovën se këto programe kanë për qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt në shkolla.

“Kur themi programe parandaluese të dhunës në shkolla, nënkuptojmë një sërë veprimesh, të cilat udhëhiqen nga personeli shkollor, e që kanë për qëllim reduktimin dhe parandalimin e shfaqjes së sjelljeve të dhunshme në shkollë. Në mënyrë që të krijohet një mjedis shkollor i sigurt dhe mbështetës, këto programe duhet të ndërtohen në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet personelit shkollor, psikologëve, prindërve dhe komunitetit”, tha Havolli.

-Advertisement-

Ndërkaq, Rinor Qehaja, nga Instituti “Edguard”, tha për Radio Kosovën, se mos reagimi në parandalimin e akteve të dhunës në shkolla, shumë lehtë mund të përshkallëzohet deri në fatalitet, derisa tha se për të parandaluar këtë dukuri, duhet të përfshihen shumë institucione.

“Dhuna në shkolla ka trajta të ndryshme, dhe reagimi duhet të jetë shumë individual për secilin rast. Për këtë nevojitet një komunitet i përkushtuar i shkollës, që ka përkrahje institucionale. Ka disa faktorë që e bëjnë një shkollë më të sigurt, dhe ka plotë shkolla në vend që kanë dëshmuar se kjo është e arritshme. Mirëpo, duhet të kuptojnë që problemi nuk është i kufizuar dhe as nuk zgjidhet nga një hisedar i vetëm, por duhet një përfshirje konsistente dhe e strukturuar ndërinstitucionale në të gjitha nivelet”, tha Qehaja.

Ministria e Arsimit, ka theksuar se i ka adresuar me kohë politikat për parandalimin dhe referim të dhunës në shkolla, përfshirë edhe bullizmin. Këshilltarja për media në këtë ministri, Iliriana Pylla, tha për Radio Kosovën se veprimi në parandalimin e kësaj dukurie bie në fushëveprimin e institucioneve komunale.

“Me strategjitë që janë hartuar vit pas viti, punohet konkretisht në parandalim dhe edukim përmes disa aktiviteteve, duke përfshirë hartimin e kurrikulave shkollore, me qëllim të vetëdijesimit të nxënësve e mësimdhënësve…”, tha ajo

Ndërkohë, në një përgjigje për Radio Kosovën Policia e Kosovës ka thënë se në fillim të çdo viti shkollor harton dhe aktivizon Plane Operative, me qëllim të parandalimit të dukurive negative në shkolla dhe ngritjes së nivelit të sigurisë. “Po ashtu edhe nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventive në vazhdimësi, realizohen projekte të ndryshme sensibilizuese dhe parandaluese në shkolla”, thuhet në përgjigjën e Policisë. Ndërsa, nga rastet më të shpeshta të raportuara nga to përfshihen: lëndim i lehtë trupor, që janë 116 raste.

Gjithashtu, Këshilli i Prindërve ka bërë thirrje për më shumë angazhim konkret të strukturave për të rritur sigurinë në shkolla dhe rreth shkollave, derisa ka kërkuar që të shtohet edhe numri i psikologëve.

Ministria e Arsimit, thekon se një rol kyç kanë edhe familjet, që duhet të jenë të vëmendshëm ndaj fëmijëve të tyre, t’i kontrollojnë ata nëse mbajnë armë të ftohta, dhe të jenë bashkëpunues me shkollat dhe komunitetin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera