Fokus

“Bukën çdo herë e marrim me vete, me këtë pagë nuk mbahet familja” – Punonjësit teknik të Kuvendit protestojnë për pagat 275 euro

Autori: Gazeta inFokus 13:43 | 09 July 2024

Prej 23 vitesh, Elhame Bislimi është punonjëse teknike në Kuvendin e Kosovës.

Përkundër gjithë kësaj përvoje, paga e saj është vetëm 275 euro.

“Me këtë pagë nuk mund ta mbash familjen. Ne çdo herë e marrim bukën me vete. Unë punoj qe 23 vite këtu. Më herët paga jonë ka qenë deri në mbi 500 euro, mirëpo ndër vite paga na është ulur dhe tash i marrin nga 275 euro”, ka treguar Bislimi.

-Advertisement-

 

 

 

Përgjegjëse për punonjësit teknik të Kuvendit të Kosovës është kompania private Schafberger.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tregon se Kuvendi ia paguan kësaj kompanie për çdo muaj nga 18 mijë euro.

Shumë pak nga këto para, ai tregon se shkojnë për punëtorët teknik.

“Kuvendi i Kosovës kompanisë i përcjellë 18 mijë euro brenda muajit për shërbimet që i kryejmë. Problemi është tek kompania që i kryen shërbimet, Kuvendi nuk është fajtor e as udhëheqës e saj. Nëse nuk reflekton pronari i kompanisë, ne sigurisht nga java tjetër me vendimin e punëtorëve do ta ndërpresim shërbimet tona. Shuma për të cilën e marrin punëtorët është 6 mijë euro që do të thotë tre herë më shumë merr buxhet pronari i kompanisë. Pronari i kompanisë brenda një muaji të fitojë nga ne 9 mijë euro dhe ne mos ta bëjmë së paku pagën tonë 450-500 euro. Kemi punuar si skllevër mjaftë dhe më nuk po mundemi t’ia dalim. Me 275 euro ne nuk mund të mbajmë një familjarë tonin e lëre më 3-4 anëtarë të familjës”, ka thënë Azemi.

Nëse situata nuk ndryshon, Azemi tregon se kanë marrë premtime nga Kuvendi se kontrata mund të ndërpritet.

Paga që po kërkohet për këta punonjës, është 405 euro neto.

“Ne punojnë që 20 vite këtu. Ne nuk po kërkojmë asgjë me shumë vetëm aq sa na takon neve me ligj. Neve operatori ekonomik nuk na është përgjigjur, nuk mundemi me punua më me 275 euro kur kemi me udhëtua dhe për ushqim nuk po na mjaftojnë. Paguhemi që 6 vjet me këtë pagë dhe na u ka rritë paga vetëm dy herë nga 20 euro, dy herë për tetë vite”, është shprehur kryetarja e sindikatës së Punëtorëve Teknik të Kuvendit, Nazife Krasniqi.

Kompania Schafberger ka kontrata për pastrimin edhe të disa prej institucioneve të tjera publike.

Nëse gjërat nuk ndyrshojnë, hapësirat e Kuvendit mund të mbesin të papastruara, e deputetëve do t’u pamundësohet puna. /Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera