Sport

Bledi Shkëmbi deklarohet pas humbjes nga Drenica, ‘thumbon’ lojtarët e tij

Autori: Gazeta inFokus 17:43 | 02 May 2021

Skuadra e Ballkanit ka bërë një hap falës në garën për titull kampion, pasi është mposhtur në udhëtim te Drenica me rezultat 2-1, në sfidën e vlefshme për javën e 32-të në elitën e futbollit kosovar, shkruan Gazeta inFokus.

Në takimin e zhvilluar në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj, golat për ‘kuqezinjtë’ i shënuan Kreshnik Uka dhe Santos, ndërsa për ‘portokallinjtë’ realizoi Mevlan Zeka.

Pas përfundimit të ndeshjes ka folur trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi, i cili ka thënë se asgjë nuk funksionoi ndaj drenicasve.

-Advertisement-

Me pas tekniku shqiptar u shpreh se kanë nënvlerësuar kundërshtarin dhe kanë hyrë në lojë si fitues.

“Ishte ndeshje e vështirë, nuk funksionoi asgjë, një ndeshje e dobët. Siç duket nuk menaxhuam mirë këto dy ditë pas fitores kundër Llapit. U futem në lojë sikurse të fitonim ndeshjen, duke e nënvlerësuar kundërshtarin. Kjo ndeshje iku, duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës”, tha fillimisht Shkëmbi.

Për fund ai ‘thumboi’ lojtarët e tij për të cilët tha se duhet të ndryshojnë mendësi, pasi për të arritur rezultat pozitiv duhet të luajnë me shpirt dhe për ekip.

“Për te triumfuar kundër rivalëve, duhet të ndryshoj mendësi që të japësh 100% në fushë, nëse nuk luan me shpirt dhe nuk luan për ekipin, atëherë do jetë vështirë të arrihet te rezultati pozitiv”, ka thënë Shkëmbi pas ndeshjes për Art Sport.

Pas kësaj disfate, Ballkani e ka humbur pozitën e parë, duke zbritur në vendin e tretë me 67 pikë, dy me pak se Prishtina që kryeson dhe një me pak se Drita që renditet e dyta./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera