Lajme

Biden uron Melonin, kërkon vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën

Autori: Gazeta inFokus 17:42 | 22 October 2022

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka uruar Giorgia Melonin, pasi ajo bëri betimin në postin e kryeministres të Italisë.

Lideri amerikan tha se mirëpret punën me Melonin në përpjekjet për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

“E përgëzoj Giorgia Melonin për zgjedhjen si kryeministre e re e Italisë”, tha Biden përmes një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë më 22 tetor.

-Advertisement-

Meloni është bërë kryeministrja e parë grua e Italisë.

“Italia është aleate vitale e NATO-s dhe partnere e ngushtë, teksa shtetet tona së bashku adresojnë sfidat e përbashkëta globale”, tha Biden.

“Si lider i G7-s, mirëpres avancimin e mbështetjes sonë për Ukrainën, që Rusia të mbahet përgjegjëse për agresionin e saj, në sigurimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike dhe të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike”, tha ai.

Meloni, partia nacionaliste e së cilës, Vëllezërit e Italisë, ka rrënjë neo-fashiste, udhëhoqi një koalicion të krahut të djathtë që fitoi zgjedhjet më 26 shtator.

Në krye të Qeverisë italiane ajo pason Mario Draghin, i cili udhëhoqi një qeveri të unitetit kombëtar dhe ishte mbështetës i sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit.

Pas shqetësimeve se Qeveria e krahut të djathtët e Melonit do të tërhiqet nga mbështetja e Ukrainës, kryeministrja e re italiane është zotuar se do të vazhdojë të mbështesë Kievin, pavarësisht kundërshtimeve nga disa anëtarë të koalicionit qeverisës./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera