Lajme

“Bërnabiç e Petkoviç po propagandojnë duke deklaruar se Serbia është gati të dërgojë forcën e sigurisë në Kosovë”

Autori: Gazeta inFokus 10:22 | 10 December 2022

Dërgimi i 1 mijë pjesëtarëve serbë nga institucionet e sigurisë për në Kosovë, sipas ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Zdravko Ponos, do të ishte “një lajm i mirë”, por realiteti në terren, shpjegon ai, e pamundëson një gjë të tillë.

Rrëfimet e Petar Petkoviç’it e Ana Bërnabiç’it se udhëheqja e Serbisë është afër një vendimi për të kërkuar vendosjen e trupave të sigurisë serbe në Kosovë, duke pretenduar se jetët e minoritetit serb atje janë në rrezik, sipas politikanit serb është e pandershme.

“Fraza se ‘ne jemi një hap larg dërgimit të trupave serbë në Kosovë’ është puro propagandë. Sidomos formulimi se komandanti i përgjithshëm serb do të lëshonte urdhrin për dërgimin e forcave në Kosovë pa pëlqimin e Komandantit të KFOR-it në Kosovë është amatorizëm”.

-Advertisement-

Ponos, ka kritikuar ashpër edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, ka njoftuar përmes një fotografie në rrjetin të tij social në Instagram se ka mbajtur takim deri në mëngjes me ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviç.

“Fotografimi me ministrin e mbrojtjes dhe shefin e shtabit të përgjithshëm nuk ia bënë jetën më të sigurt serbëve në Kosovë. Revista Time nuk e shpalli Zelenskyn personalitet të vitit 2022, sepse postonte fotografi me rroba ushtarake. Moda nuk i ndihmon shumë ukrainasit kur ata vdesin”, ka thënë Ponos.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, gjatë ditës në një deklaratë për media nuk e ka anashkaluar mundësinë që Serbia duke iu referuar rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të dërgojë një numër të konsiderueshëm të forcës së sigurisë serbe në Kosovë.

Policia e Kosovës, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës ditëve të fundit, ka shtuar prezencën e saj në këtë zonë ndërsa pjesëtarë të Policisë kanë filluar patrollimin në këmbë, përkatësisht në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.

Megjithatë njësitet policore gjatë patrullimit kanë hasur në rezistencë të grupeve të ndryshme të armatosura dhe të maskuara.

Si pasojë e kësaj një polic i Kosovës gjatë patrullimit në Veri është plagosur.

Sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 thuhet në njoftimin e policisë, në fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit të banuar me shumicë serbe.

“Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”, thuhet në raportin e Policisë për media.

Rritja e forcave policore atje, ka ardhur pas rastit në zyrat e anëtarëve komunalë zgjedhorë, pasi përkundër se në përcjellje të policisë ata nuk u lejuan të futen në vendet e tyre të punës.

Në anën tjetër komuniteti ndërkombëtar, më saktësisht Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ambasadori amerikan dhe ai gjerman në Kosovë, kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në këtë fazë në Veri.

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera