Lajme

Begaj: Rrugëtimi 110-vjeçar i Forcave të Armatosura ka qenë i vështirë dhe i mbushur me sfida

Autori: Gazeta inFokus 13:38 | 04 December 2022

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar 110-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Begaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rrugëtimi i Forcave të Armatosura ka qenë i vështirë e i mbushur me sfida.

“Përjetë mirënjohës arkitektëve të pavarësisë, të cilët në ato ditë të vështira, kur vihej në pikëpyetje ekzistenca e shtetit të sapoformuar, me guxim, mençuri dhe atdhetarizëm të lartë, themeluan një nga shtyllat e domosdoshme të garantimit të pavarësisë së shtetit Shqiptar. 4 dhjetori i vitit 1912 shënoi themelimin Forcave të Armatosura në historinë e shtetit dhe kombit tonë. Rrugëtimi 110 vjeçar i Forcave të Armatosura ka qenë i vështirë dhe i mbushur me sfida”, ka shkruar Begaj në Facebook.

-Advertisement-

Ai tha se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë vijnë në këtë 110-vjetor të themelimit, si një forcë moderne, anëtare e NATO-s dhe aleate e besueshme, e aftë të përmbushë misionin e saj kushtetues dhe detyrimet Euroatlantike, e angazhuar në një sërë misionesh në mbrojtje të paqes dhe sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon e në botë.

“Arritjet e deritanishme janë rezultat sa i përkushtimit dhe mundit të përbashkët, aq edhe i mbështetjes së vyer e të pazëvendësueshme të miqve dhe aleatëve tanë të NATO-s. Mirënjohja dhe vlerësimi ynë është maksimal për ndihmën e dhënë për transformimin, modernizmin, trajnimin, edukimin dhe rritjen e kapaciteteve tona ushtarake, falë bashkëpunimit tonë të ngushtë në tre dhjetëvjeçarët e fundit”, ka shtuar ai.

Ai tha se në një kohë me sfida të shtuara ndaj sigurisë dhe paqes, është i domosdoshëm më shumë përkushtim, përgjegjshmëri dhe angazhim i pakursyer nga të gjithë ne.

“Jam i bindur se angazhimi dhe detyrimi ynë do të vijojë të mbetet i shenjtë ndaj Atdheut, Nderit dhe Detyrës. Gëzuar 110-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura”, ka vazhduar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera