Lajme

BE-ja beson se Thaçi do ta nënshkruajë letrën për vazhdimin e mandatit të EULEX-it

Autori: Gazeta inFokus 07:38 | 08 July 2020

Kanë kaluar tri javë prej kur ka skaduar mandati i EULEX-it në Kosovë, i cili është dashur të vazhdohet edhe përmes shkëmbimit të letrave mes BE-së dhe Presidentit të Kosovës, siç ka qenë praktikë në të kaluarën. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka nënshkruar këtë shkëmbim të letrave. Kjo ka bërë që të rritet shqetësimi në BE, megjithëse insistojnë se me apo pa këtë shkëmbim te letrave “EULEX-i ka në Kosovë mandat sipas së drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve të Kosovës”.

Në pyetjet e “Kohës” se në cilat provizione të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve të Kosovës besojnë se buron mandati i EULEX-it, edhe nëse ai më nuk konsiderohet me mandat ligjor nga Presidenti, në BE nuk kanë pasur ndonjë përgjigje të prerë.

Por, diplomatë të vendeve anëtare kanë pohuar se EULEX-i ka disa baza mbi të cilat e konsideron praninë në Kosovë me mandate të qartë. Një prej këtyre bazave konsiderohet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pastaj, një “Veprim i përbashkët” që ishte miratuar qysh në shkurt të vitit 2008, pak para shpalljes së pavarësisë si dhe “plani operativ”, po ashtu i miratuar nga BE-ja.

-Advertisement-

“As për Kosovën nuk do të ishte mirë sikur të përmendet si bazë kryesore Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të cilën, edhe ne edhe Kosova dëshiron ta shuajë. Kjo i vendos në pozitë jo të mirë shtetet që e kanë njohur Kosovën”, ka thënë një diplomat i një shteti anëtar të BE-së.

Në BE megjithatë, pohojnë se “ende besojnë se Presidenti Thaçi do ta nënshkruajë shkëmbimin e letrave” dhe rikujtojnë se EULEX-i në Kosovë nuk ka më mandat ekzekutiv, por është e domosdoshme prania e këtij misioni, për shkak se ka marrë detyra edhe lidhur me veprimet e “Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Edhe pse BE-ja insiston se EULEX-i ka mandat “në bazë të ligjeve ndërkombëtare dhe atyre të Kosovës”, disa diplomatë janë të shqetësuar për mungesën e shkëmbimit të letrave me Presidentin Thaçi për zgjatjen e mandatit. Sepse pas më shumë se 11 vjetësh mandate, fitohet përshtypja sikur ky mision më nuk është i pranueshëm prej kosovarëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera