Lajme

BE do marrëveshje në Ohër, pas Kurtit, Lajçak duhet ta dëgjojë edhe Vuçiqin

Autori: Gazeta inFokus 18:33 | 09 March 2023

Propozimi është pranuar nga Kosova dhe Serbia, e tash zbatimi i tij është sfida e radhës. Nga Brukseli është thënë se negociatat për zbatimin e planit do të jenë të rënda dhe se nuk është sekret që Asociacioni është pika më e vështirë. Lajcak të enjten pati takime me Presidenten Osmani dhe Kryeministri ku mori qëndrimet e palës kosovare rreth implementimit të Planit. “Shpresojmë se do të jemi në gjendje të kemi një letër, një dokument për të cilin do të pajtohemi me datën 18 në Ohër” ka thënë emisari I BE’së.

Niveli i parë, ai i pranimit të propozimit evropian, ka kaluar. Tani, Kosova dhe Serbia diskutojnë se si do të zbatohet propozimi i pranuar, që përmban preambulën dhe 11 nene. Kjo pritet të jetë në agjendën e 18 marsit në Ohër, ku takohen Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuciq.

Lajçak që qëndroi të enjten në Kosovë ka shpresa se pajtimi mund të ndodhë në Maqedoninë e Veriut.

-Advertisement-

“Ne duhet të pajtohemi se si duhet të implementohet. Përndryshe nuk do të jetë obligative. Patëm një bisedë konstrutkive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin. Gjithashtu takova edhe presidenten. Qëllimi kryesor i këtij takimi është se si Kosova e sheh implementimin. Ky takim përmbushi pritjet e mia në këtë kontekst”, tha Lajcak pasi doli zyra e Kurtit të enjten.

Ai njoftoi se të hënën dhe të martën do të qëndrojë në Beograd për të marrë edhe qëndrimin e palës serbe.

Kryeministri Kurti dje ka dhënë pikëpamjen e tij se si duhet të jetë ai që tani njihet si “plani i zbatimit” ose “aneksi”.

“Pritjet tona janë që do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e datës 18 mars në Maqedoninë e Veriut në Ohër dhe të shohim se si do të mund të ja bashkëngjisim përkufizim të dakorduar evropian dhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe nga efikasiteti”, ka thënë Kurti, pas një vizite në një biznes në Graçanicë.

Në takimin e 27 shkurtit mes Kurtit dhe Vuciqit, nuk u nënshkrua ndonjë marrëveshje, por megjithatë pati një dakordim që propozimi evropian më s’do të diskutohet.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se tash qëllimi kryesor është që të arrihet pajtimi rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes.

Sipas një zyrtari të Bashkimit Evropian, që ka folur më 2 mars me gazetarë, Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit.

Ky zyrtar ka sqaruar edhe dilemat që ai thotë se kanë lindur rreth nënshkrimit apo jo të Marrëveshjes, dhe interpretimit të palëve.

“Kemi pasur dy pjesë të dokumentit unik. Propozimin dhe aneksin [planin] për implementim. Nuk u diskutua për propozimin, sepse palët u pajtuan se nuk ka më nevojë. Fokusi ishte në implementim. Do të ishte ideale sikur të kishte pajtim për të dyja dokumentet, por kjo nuk ishte reale. Skenari më i keq ishte sikur të mos pajtoheshin për asnjërin”, tha ky zyrtar.

“Ky dokument, pa pjesën e implementimit, do të jetë vetëm një deklaratë politike. Diskutimi për implementim ishte i vështirë dhe nuk kemi shkuar larg. Nuk është sekret kur them se çështja e Asociacionit

[të komunave me shumicë serbe]

është më e vështira”, kishte thënë zyrtari i BE-së, të cilin e citoi Radio Evropa e Lirë.

Shefja e shtetit, Vjosa Osmani, ka takuar te enjten Lajcakun me të cilin ka folur rreth planit për zbatimin e marrëveshjes.

“Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës” thuhet në njoftimin e Presidncës.

Ashtu siç ndodhi me propozimin evropian, Ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi, ka shkruar se edhe plani i zbatimit do të jetë “merre ose lëre”.

“Zërat e fundit nga Brukseli: Të dyja palët kanë komentet e tyre, por zbatimi i aneksit, në fund të fundit, do të jetë “merre ose lëre”, për Kosovën dhe Serbinë. Nuk do të ketë nënshkrim në Ohër, por ka mundësi për një ceremoni të madhe në Paris ose në Bruksel. Blinken

[sekretari amerikam Antony Blinken]

dhe liderët kryesorë të BE-së mund të jenë të pranishëm. Një optimizën shumë i kujdesshëm në BE”, ka shkruar Selimi.

Ish-kryediplomatja Meliza Haradinaj – Stublla pret që diskutimet për planin e zbatimit të shkojnë njëjtë si diskutimet për propozimin evropian, ku duket se nuk janë marrë parasysh gjashtë kushtet e Kryeministrit Kurti për ta pranuar Asociacionin.

“Duke qenë se Qeveria nuk ka arritë t’i etablojë 6 kërkesat e Kosovës në Marrëveshjen Bazë, ndërsa Serbia ka arritë që të veçojë Asociacionin në epiqendër të saj, fatkeqësisht pres që e njëjta asimetri të reflektohet edhe në Planin e ri të Zbatimit”, ka thënë Haradinaj -Stublla për Gazetën Express.

Haradinaj – Stublla e thotë vazhdimisht se Kosova dhe Serbia nuk trajtohen si palë të barabarta dhe as pozicionet e tyre nuk merren njëjtë parasysh. Pret që problemet dhe paqartësitë e deritanishme, të jenë evidente edhe në zbatimin e planit.

“Edhe Marrëveshja Bazë edhe draftet e planit të zbatimit që kemi parë deri sot nuk sigurojnë një trajtim të barabartë të palëve, nuk ofrojnë zgjidhje për problemet reale që ndajnë normalizimin e dy shteteve, dhe nuk vendosin qartësi implementuese në nenet përbërëse. Ne shohim qysh sot kur ende nuk është nënshkruar asgjë, palët interpretojnë nenet e marrëveshjes ashtu siç u konvenon. Njëjtë do jetë zbatimi”, tha tutje ish-ministrja kosovare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera