Sport

Bayern-Icardi, Messi “drejtor sportiv” dhe PSG-Kroos, thashethemet e merkatos

Autori: Gazeta inFokus 13:44 | 08 November 2017

Merkatoja dimërore në futboll do thuajse edhe dy muaj për t’u çelur, por thashethemet mbi lëvizjet e mundshme të skuadrave më në zë në Europë nuk ndalen, edhe kur të tilla diskutime bëhen jo për janarin, por për merkaton e verës së ardhshme.

Raportimet më të fundit prekin skuadra si Bayern, Inter, Paris SG, Real e Barça në Spanjë, por pse jo edhe një ekip “të vogël” në letër si Evertoni.

Të gjigantët bavarezë të Bundesligës thuhet se aventurës së Lewandowskit po i vjen fundi dhe me të përfunduar ky sezon, polaku mund të largohet nga klubi gjerman. Sipas “Don Balon”, Bayern Munchen e ka zgjedhur që tani zëvendësuesin e tij: Mauro Icardin e Interit. Përpjekja do të jetë e vështirë, gjithsesi, pasi sulmuesi argjentinas po shkëlqen në këtë sezon te zikaltrit milanezë.

-Advertisement-

Por nga zikaltrit duket thuajse e sigurtë dëshira për të larguar sulmuesin brazilian të ardhur me shumë bujë, Gabigol. Për të po shfaq interes ekipi i Santosit, përfaqësuesi i të cilit Luiz Taveira thotë se “dyert janë të hapura” për një rikthim të sulmuesit në Brazil.

Nga Franca, edhe pse burimi është “El Chiringuito TV”, thuhet se Parisi synon një goditje të bujshme në mesfushë, e ai është Toni Kroos i Realit të Madridit. Edhe kjo lëvizje duket e destinuar të dështojë, duke ditur klauzolat e prishjes së kontratave që ka vendosur Florentino Perez, pikërisht për të mos humbur “thesarët” e çuar të “Los Blancos”-ve.

Por Reali, nga ana e tij nuk pret vetëm zërat për largime, teksa ka hedhur sytë drejt një përforcimi të mundshëm që mund të jetë Juan Manuel Mata i United. Sipas “Daily Express”, mesfushori spanjoll të cilit i skadon kontrata në fund të qershorit me “djajtë e kuq”, ka përfunduar në objektivat e klubit “merengues” që do të tentojë që në janar.

Ndërkohë te Barça, Lionel Messi nuk është vetëm udhëheqës në fushë, por po shfaq edhe rolin e “drejtorit sportiv”. Kjo sepse, nëse katalanasit do të dështojnë në përpjekjet për të sjellë në Katalonjë Coutinhon, “pleshti” ka individualizuar 3 alternativat e brazilianit. Ato janë Thomas Lemar i Monacos, Nabil Fekir i Lionit dhe Riyad Mahrez i Leicester.

Por thashethemi më i bujshëm i kësaj vjeshte duket se vjen nga Evertoni, e këtu nuk bëhet fjalë për futbollist por për trajner. Klubi britanik duket se ka në objektiv Diego Simeonen e Atletico Madrid. “Il Cholo” është nën kontratë me spanjollët deri në vitin 2020, e vështirë se do të bindet për t’i lënë madrilenët.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera