Lajme

Bashkimi Evropian merr vendimin për të hequr dorë nga nafta ruse

Autori: Gazeta inFokus 22:48 | 05 February 2023

Evropa vendosi të dielën të ndalë naftën ruse e produktet e tjera të rafinuara të saj, duke ulur varësinë energjetike nga Moska, me synimin për të reduktuar më tej të ardhurat nga karburantet fosile të Kremlinit. Ky hap është pjesë e masave për të ndëshkuar Moskën mbi agresionin e saj në Ukrainë.

Ndalimi i naftës ruse i shtohet një tjetër mase të marrë së fundmi, asaj për t’i vendosur çmimit të saj një tavan, gjë për të cilën ra dakord Grupi i Shtatëshes (G7). Qëllimi është që nafta ruse të vazhdojë të shkojë në vende si Kina dhe India, por të shmanget një rritje e papritur të çmimeve, që do të dëmtonte konsumatorët në mbarë botën. Po kështu do të reduktoheshin fitimet që financojnë luftën e Moskës në Ukrainë.

Nafta është çelësi për ekonominë sepse përdoret për të mbajtur në punë makina, kamionë që transportojnë mallra, pajisje bujqësore dhe makineritë e fabrikave. Çmimet e naftës janë ngritur për shkak të një rritje të kërkesës pas pandemisë së COVID-19 dhe kufizimeve në kapacitetet e rafinimit të saj, duke kontribuar në rritjen e inflacionin në mbarë botën.

-Advertisement-

Sanksionet e reja pritet të krijojnë pasiguri mbi çmimet në një kohë kur Bashkimi Evropian, që përbëhet nga 27 vende anëtare, do të përpiqet të gjeje burime të tjera furnizi me naftë, me shumë gjasë nga SHBA-të, Lindja e Mesme dhe India për të zëvendësuar naftën ruse, e cila në një moment, përmbushte 10% të nevojave të përgjithshme të Evropës për naftë. Ardhja naftës nga këto vende do të kërkojë më shumë kohë, për shkak të distancës, krahasuar me kohën që nevojitej për të ardhur nga portet e Rusisë.

Çmimet gjithashtu mund të rriten edhe për pasojë të ringjalljes së kërkesës nga Kina ndërsa ekonomia e këtij vendi po rimëkëmbet pas përfundimit të kufizimeve drastike të lidhura me COVID-19.

Tavani mbi çmimin e naftës nuk do të krijonte menjëherë pasoja sepse është vendosur rreth atyre niveleve në të cilat ajo tregtohet aktualisht. Problemi kryesor i Rusisë tani do të jetë gjetja e klientëve të rinj, jo shmangia e tavanit të çmimeve. Megjithatë, kufiri synon të parandalojë përfitimet që do të siguronte Moska nga çdo rritje e papritur e çmimeve të naftës dhe produkteve të rafinuara të saj.

Analistët thonë se fillimisht mund të ketë një rritje të çmimeve ndërsa tregjet vetërregullohen në raport me ndryshimet. Por ata thonë se embargoja nuk duhet të shkaktojë një rritje të çmimit, nëse çmimi tavan funksionon siç duhet, dhe nafta ruse vazhdon të shkojë në vendet e tjera.

Rusia fitoi më shumë se 2 miliardë dollarë nga shitja e naftës në Evropë vetëm gjatë muajit dhjetor, pasi kompanitë importuese u furnizuan me sasi të mëdha në pritje të vendimit për ndalim.

Evropa ka ndaluar tashmë qymyrin rus dhe shumicën e naftës së papërpunuar, ndërsa Moska ka ndërprerë shumicën e dërgesave në gaz natyror./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…
-Advertisement-

Të tjera