Lajme

Banorët në veri thonë se vërshime si këto të fundit s’ka pasur që mbi 40 vjet

Autori: Gazeta inFokus 19:29 | 21 January 2023

Vërshimet në Kosovë dhe dalja e lumenjve nga shtrati sollën probleme të shumta për qytetarët edhe në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe.

Ismet Zaimoviq nga komuniteti boshnjak jeton në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai është një prej banorëve të shumtë të kësaj komune, të cilëve iu përmbytën shtëpitë, duke iu shkaktuan dëme të mëdha.

Ky 83-vjeçar, gjatë gjithë jetës së tij ka jetuar pranë urës së re të Lumit Ibër që gjendet afër vendit të njohur si Shkëmbi i Dudës. Por, ai tha se situatë të tillë, të shkaktuar nga reshjet, nuk ka parë në dhjetëra vite.

-Advertisement-

“[Vërshime] ndodhën edhe dy vjet më parë, por kurrë nuk ka qenë kështu. Mëngjesin e sotëm zjarrfikësit na nxorën nga shtëpia. Ka shumë ujë brenda, dyshemeja është ngritur, ka dëme, frigoriferët, ngrohëset termale, gjithçka është shkatërruar”, tha Zaimoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregoi se ka gjetur strehim të përkohshëm, duke shtuar se askush deri më tani nuk ka evidentuar dëmet, pasi nuk mund të shkojë deri te shtëpia.

“Së pari, një dollap kushton 3 mijë euro dhe tani po prishet, parketi, gjithçka është shkatërruar”, tha Zaimoviq, duke kujtuar se hera e fundit kur situata kishte qenë e ngjashme kishte qenë para më shumë se 40 vjetësh.

“Qysh në vitin 1979, kur uji hyri nga dritarja”, kujtoi ai.

“Unë kam vetëm pension, nuk e di se si do t’ia bëjmë. Diga tani është duke u lëshuar në [Liqenin] Ujman, por është dashur ta bëjnë më herët, para se të ndodhte kjo”, theksoi ai.

Shtëpia e Katarina Axhançiq, nga komuniteti serb, e cila jeton në Lagjen e Boshnjakëve, është përmbytur krejtësisht. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se të enjten në mëngjes nuk ka shkuar në punë, pasi e ka vërejtur se niveli në Lumin Ibër, i cili gjendet në afërsi të shtëpisë së saj, ishte duke u rritur ndjeshëm.

“Niveli i ujit po rritej dhe Ibri filloi të dilte nga shtrati. Shpresuam se nuk do të ishte vërshim i madh. Ishte rrezik më i madh dy vjet më parë, por atëbotë uji arriti vetëm deri në oborr”, tregoi Katarina.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera