Bankat të gatshme ta rrisin kreditimin për bujqësinë
Autori: Gazeta inFokus
15:48 | 06 June 2018
Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi, flet për mundësinë e rritjes së kreditimit nga bankat komerciale për sektorin e bujqësisë në Kosovë, sidomos pas themelimit të Fondit Garantues për kreditë bujqësore, si dhe për uljen e informalitetit në këtë sektor
Subvencionet dhe grantet për sektorin e bujqësisë në Kosovë kanë ndikuar që të rriten sipërfaqet bujqësore në vend, të zvogëlohet gradualisht importi, të rritet eksporti i produkteve bujqësore, si dhe të krijohen vende të reja të punës. Kështu ka theksuar sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi, ndonëse ka pranuar se importi i produkteve bujqësore është dukshëm më i lartë se sa eksporti.
Sipas Halimit, Kosova brenda një viti importon rreth 660 milionë euro prodhime bujqësore, përderisa eksporton vetëm 45 milionë euro. Prandaj, sipas tij, ky sektor nuk mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet subvencioneve dhe granteve, por duhet shikuar edhe mundësitë e kreditimit nga sektori bankar.
Bankat komerciale në vend, sipas tij, sidomos pas sigurimit themelimit të Fondit Garantues për kreditë bujqësore, në bashkëpunim me Thesarin Amerikan, janë të interesuar në zgjerimin dhe mbështetjen më të lartë të sektorit bankar nëpërmjet kredive, me ç’rast në vazhdimësi ka pasur rënie të kamatave për kreditë bujqësore, si dhe procedura më të lehta për marrjen e këtyre kredive.
Bujqësia shihet si një sektor potencial për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përkatësisht për rritjen e prodhimit vendor si dhe hapjen e vendeve të reja të punës. A mjafton buxheti që ndahet për Ministrinë e Bujqësisë për t’i arritur këto synime?
Halimi:Buxheti i ndarë për sektorin e bujqësisë, si një sektor me rëndesi të veçantë për çdo vit po shënon rritje, gjë e cila po ndikon edhe në rritjen e prodhimit, si dhe avancimin e sektorit. Por, duhet ta kemi parasysh që çdo rritje e buxhetit ndikon në zhvillim sa më mirë të këtij sektori, respektivisht nëse merret parasysh oferta buxhetore që Qeveria, përkatësisht Ministria ofron për sektorin. Nëse më pas e krahasojmë këtë ofertë me kërkesat që vijnë nga ky sektor, pa dyshim themi se buxheti aktual është shumë i vogël dhe i pamjaftueshëm. Këtë fakt mund ta argumentojmë edhe me shembuj tjerë: Nëse marrim numrin e përgjithshëm të ekonomive familjare bujqësore në Kosovë, që është mbi 130,000, kurse ne me buxhetin aktual mund t’i shërbejmë më pak se 40,000 fermerë. Gjithashtu sa i përket kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese ende ka shumë hapësirë për t’u investuar dhe për t’u përmirësuar.
25 milionë euro subvencione, 27 milionë euro grante
Sa keni buxhet në dispozicion për subvencione bujqësore për vitin 2018 dhe cilat kultura bujqësore janë me prioritet për subvencionim?
Halimi: Buxheti i ndarë për subvencione për vitin 2018 është 25 milionë euro, ku janë të përfshira 22 kultura/kategori bujqësore si: Gruri, fara e grurit, misri, elbi, thekra, vreshtat, luledielli, perimet në fushë të hapur,pemishtet ekzistuese, bujqësia organike, lopët qumështore, dele dhe dhi, bletë, pula vojse, thëllëza, dosa, qumësht, therje të raportuara të gjedhit, fidanë, peshkataria dhe verërat. Gjithashtu për vitin 2018 kemi edhe 27 milionë euro për grante.
Cilat kanë qenë efektet në bujqësi në pesë vitet e fundit nga subvencionimi që i është bërë nga Ministria?
Halimi: Ndikimi i subvencioneve dhe granteve vërehet dukshëm viteve të fundit, veçanërisht në rritjen e sipërfaqeve bujqësore, zvogëlim të importit dhe rritje të eksportit të produkteve bujqësore dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.
Me patate përmbushen nevojat e brendshme
Me cilat produkte bujqësore Kosova i plotëson nevojat e brendshme dhe nuk ka nevojë për import?
Halimi: Nga kulturat bujqësore të cilat kultivohen në Kosovë, të ndara sipas kategorive, duke filluar nga drithërat plotësohen nevojat me grurë 79% dhe misër 87%, nga perimet, patatja i përmbushë nevojat me 100%, speci 86% dhe domatja 62%, kurse sa i përket pemëve dhe vreshtave, kumbulla i plotëson nevojat me 97%, dredhëza me 84%, rrushi i tryezës 73% dhe molla me 69%. Kulturat tjera bujqësore kanë përqindje më të ulët sa i përket plotësimit të nevojave me prodhime bujqësore, mirëpo mund të themi se me rritjen e përkrahjes së sektorit të bujqësisë edhe plotësimi i nevojave për produkte tjera është duke u rritur.
Kur flasim për sektorin e blegtorisë mund të themi se 62% plotësohen nevojat me mish gjedhi, ndërsa për qumështin dhe produktet e qumështit të lopës 81%, kurse për kafshë të imëta përkatësisht mishin e dhenve dhe dhive 99%.
Cilat produktet bujqësore eksportohen jashtë vendit, në çfarë sasie dhe cila është strategjia qeveritare për rritjen e këtyre eksporteve?
Halimi: Në krahasim me vlerën e importit, vlera e eksportit është mjaftë e ulët. Në kuadër të eksportit të produkteve bujqësore, për vitin 2016, ashtu si edhe ne vitin 2015 më së shumti janë eksportuar ose vlerë me të lartë të eksportit kanë pasur pijet, pije të ftohta, pije alkoolike (alkoole), dhe uthulla nga kapitulli 22, me afro 17 milionë euro dhe me pjesëmarrje prej 38% në totalin e eksportit. Me vlerë më të ulët vijnë perimet dhe disa perime rrënjë dhe arra që kishin vlerën 5 milionë euro dhe me pjesëmarrje prej 11% në eksportin e produkteve bujqësore.
Ndërsa me 9% e eksportit i takon kapitullit 11, ku janë të përfshira produkte të përziera industriale, niseshte. Këto produkte nga tre kapitujt e përshkruar më lartë përbëjnë 58% të eksportit, pjesa tjetër e vlerës që janë në sasi më të vogël, apo 42% i takojnë kapitujve tjerë.
Vlera më e madhe e eksportit ka qenë nga ujërat, përfshirë ujërat minerale dhe ujërat e gazuar që kishin vlerë 4.8 milionë euro, që në eksportin e produkteve bujqësore në kapitujt (01-24) ka pjesëmarrje prej 10.6%. Pas këtij produkti radhiten: Birrë e bërë nga malti në shishe në vlerë prej 3.8 milionë euro dhe me pjesëmarrje 8.4%; miell prej grurit të fortë 3.8 milionë euro dhe me 6.7% pjesëmarrje në eksport; çokolata të mbushura kanë pasur vlerë 2.2 milionë euro ose me 4.9% pjesëmarrje. Produktet tjera që janë radhitur sipas vlerës së produkteve të eksportuara janë: Patate të reja 1.8 milionë euro, apo 4.9% pjesëmarrje në eksport, duke vazhduar me pemët manore: Mjedra, manaferra dhe pemë të imta të tjera të këtij grupi që kishte eksport në vlerë prej 1.8 milionë euro dhe me pjesëmarrje në eksport prej 4% dhe speca të përpunuara që kishin vlerë 1.3 milionë dhe pjesëmarrje në eksport
45 milionë euro eksporti vjetor i prodhimeve bujqësore
Sa është vlera e përgjithshme e eksporteve të prodhimeve bujqësore dhe ku eksportohen kryesisht ato?
Halimi: Vlera e përgjithshme e eksporteve të prodhimeve bujqësore për vitin 2017 ka qenë 45 milionë euro dhe kryesisht eksportohen ne vendet e CEFTA-s, 29.2 milionë euro, në vendet e BE-së 11.9 milionë euro dhe në vendet tjera 4 milionë euro.
60 milionë euro importi i prodhimeve bujqësore
Sa është vlera e importeve të produkteve bujqësore dhe si të bëhet zëvendësimi i këtyre produkteve me ato vendore?
Halimi: Vlera e përgjithshme e importit të produkteve bujqësore në vitin 2016 ka arritur shumën prej rreth 658 milionë euro, ndërsa produktet që janë importuar më së shumti e që janë të ndara nëpër kapituj të caktuar janë të përshkruara si në vijim: Nga kapitulli 02, Mishi dhe organet e ngrënshme kishin vlerën prej 57 milionë euro, pijet (alkoolike dhe jo alkoolike), apo 11% e importit. Pason importi nga kapitulli 04-Produktet e qumështit, vezët, mjalti me vlerë të importit 41 milionë euro dhe që ka pjesëmarrje 6% në import, kapitulli 21- Gatesa të ndryshme të ushqimit ka pasur të importuar produkte me vlerë prej 58 milionë euro ose 9% e totalit të importit.
Përmes subvencioneve dhe granteve, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka për qëllim që të reduktoj importin e produkteve bujqësore nga i cili ndikohen edhe çmimet e produkteve vendore.
Meqenëse prodhimtaria vendore nuk po i plotëson nevojat e konsumit, një pjesë e madhe e produkteve importohet prej shteteve tjera për të përmbushur nevojat vendore. Edhe pse eksporti ka shënuar rritje, sasia e lartë e importit ende mbetet e lartë dhe është duke ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas statistikave të Ministrisë, sa është numri i kosovarëve që merret me bujqësi dhe sa është sipërfaqja e tokës që punohet çdo vit, e sa mbetet djerrinë?
Halimi: Numri i kosovarëve që merren me bujqësi, bazuar në të dhënat e regjistrimit të bujqësisë, është 362.700 mijë veta. Sa i përket sipërfaqeve të shfrytëzuara të tokës bujqësore janë 415.8 mijë hektarë, prej të cilës pjesa më e madhe i përket livadheve, kullosave dhe tokë e punueshme-ara (duke përjashtuar perimet) ndërsa toka djerrinë llogaritet të jetë 4728 hektarë.
Sa është numri i përgjithshëm i punëtorëve të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe a ka pasur rritje të interesimit ndër vite për t’u marrë me bujqësi?
Halimi: Numri i përgjithshëm i punëtorëve të angazhuar në sektorin e bujqësisë është 15,900, që krahasuar me vitet paraprake ky numër është rritur për 12%, apo për 1,700 veta.
Së fundi shihet një interesim më i madh i bankave për ta përkrahur bujqësinë nëpërmjet kredive. A është diskutuar me drejtues të bankave, fermerë, se si të rritet përkrahja për këtë sektor?
Halimi: Agro kreditë njihen si kredi jo performuese, për këtë arsye kreditimi ka një kosto të lartë nga bankat dhe institucionet mikro-financiare (IMF) për fermerët. Ky nivel i ulët i kreditimit vë në pah qasjen konservatore të sistemit bankar kundrejt sektorit të bujqësisë. Tani, me rastin e sigurimit të produkteve bujqësore, bankierët janë të interesuar në zgjerimin dhe mbështetjen më të lartë edhe të kësaj lëmie. Në këtë pikë vlen të theksohet se MBPZHR është ndër institucionet e para vendore që ka filluar me themelimin e fondit garantues për kreditë bujqësore, në bashkëpunim me thesarin Amerikan dhe është zbatuar për disa vite rresht, ku si rezultat i këtij fondi kemi pasur edhe një ulje të lehtë të shkallës së interesit për kreditë bujqësore, si dhe procedura të lehtësuara për marrjen e këtyre kredive për fermerë.
Më herët ishte propozuar që normat e interesit në kreditë bujqësore të subvencionohen, përkatësisht garantohen nga shteti, në mënyrë që kamatat të jenë më të lira. A ka diçka konkrete në këtë drejtim?
Halimi: Kamatat në kredidhënie për sektorin bujqësor janë të larta në krahasim me kreditë e sektorëve tjerë dhe me vendet e regjionit, megjithëse në vitet e fundit u karakterizua me rënie të normës së interesit falë Fondit garantues si program i përkrahjes së MBPZHR i cekur më lartë.
A mund të pritet që Qeveria e Kosovës t’i garantoj kreditë bujqësore tek sektori bankar, njejtë siç veprojnë edhe shumë shtete tjera në rajon e Evropë?
Halimi: MBPZHR në vitin 2011 ka kryer një studim të arsyeshmërisë së themelimit të përhershëm të një fondi garantues, por në mungesë të bazës ligjore dhe kufizimeve buxhetore, nuk ka qenë e mundur jetësimi i këtij fondi dhe momentalisht Qeveria nuk ka mundësi t’i garantoj kreditë bujqësore.
Sa mund të zhvillohet bujqësia nëse përpos granteve qeveritare përkrahet edhe nëpërmjet kredive të favorshme nga sektori bankar?
Halimi: Me qëllim të shtimit të efektivitetit në fermë, fermerët kanë nevojë sistematike të zgjerojnë nivelin e financimit të investimeve të tyre. Investimet e tilla në ferma dhe fermerë, mundësojnë rritjen e produktivitetit, përgatitjen për sezonin e ri bujqësor dhe njëkohësisht në zvogëlimin e eksportit.
A ekziston ndonjë strategji në Ministrinë e Bujqësisë se si sektori i bujqësisë të formalizohet, duke e zvogëluar informalitetin që vlerësohet se është shumë i lartë?
Halimi: Ministria e Bujqësisë vazhdimisht merr hapa përmes subvencioneve, granteve, projekteve dhe iniciativave të ndryshme, të cilat ndikojnë në zvogëlimin e informalitetit. Gjithashtu edhe nëpërmjet shërbimeve këshillimore tenton qe ta rris vetëdijen e fermerëve për luftim te informalitetit.
Sa është vlera vjetore e donacioneve për sektorin e bujqësisë dhe kush janë donatorët kryesorë?
Halimi: Vlera e përgjithshme e projekteve për vitet 2014-2020 është: 38.9 milionë euro, përderisa donatorët kryesorë janë vendet e BE-së: CNVP & SIDA, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), USAID dhe Banka Botërore.
Grafikat:
25 milionë euro është buxheti i ndarë për këtë vit për subvencionimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.
27 milionë euro janë paraparë buxhet për grante këtë vit për sektorin e bujqësisë.
Përmbushja e nevojave të brendshme me produktet bujqësore
100% patatja
79% gruri
87% misri
86% speci
62% domatja
84% dredhëza
73% rrushi
69% molla
45 milionë euro është eksporti i përgjithshëm vjetor i prodhimeve bujqësore.
66 milionë euro është importi i përgjithshëm vjetor i prodhimeve bujqësore.
362.700 kosovarë merren me bujqësi.
15900 punëtorë vlerësohet se janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë në Kosovë dhe punësimi në këtë sektor vlerësohet se është rritur për 12%.

T� tjera
-
Parashikimi i motit për të shtunën
Të shtunën parashikohet mot kryesisht me diell, me përjashtim për në orët e m...
-
Xhavit Haliti: Po të liroheshin Thaçi dhe të tjerët me protesta, do të mblidheshin një milion njerëz në rrugë
Ish-deputeti i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka komentuar vendimet e veçanta të Ko...
-
Kurti: Dokumentimi i krimeve të luf*tës i domosdoshëm për zbardhjen e së vërtetës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar raportin e punës së Instituti...
-
Komandanti i KFOR-it takohet me gjeneralin amerikan në Prishtinë, diskutohet siguria në Kosovë
Komandanti i KFOR-it, Roberto Vergori, është takuar sot në kampin “Film City”...
-
“Sa shumë marrëzi e sa pak marre” – Dakaj për arsyetimin e Ramës rreth skandalit me shiritin që kushton 12 euro e paguhet 3.500 euro
Gazetari Shkëlzen Dakaj ka reaguar ashpër ndaj sqarimit të kryetarit të Prish...
-
Një person gjendet pa shenja jete në Prishtinë, policia nis hetimet
Një person është gjetur pa shenja jete të premten mbrëma në Prishtinë, shkrua...
-
Djali i Anton Qunit betohet si ushtar i Kroacisë: Dritoni do të mbetet përfaqësues i traditës shqiptare
Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Quni, ka bërë të ditur se djali i t...
-
Ymeri: Prokuroria e vërtetoi se ka pasur manipulime në çmimet e energjisë elektrike – u tregtua sikur në “pazar”
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, në EURO n’T7 ka thë...
-
Ganimete Musliu nuk e përjashton kandidimin për kryetare të PDK-së: Ka ardhur momenti që partia të udhëhiqet nga një grua
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se ...
-
Kurti pranoi paportin vjetor të punës së Institutit të Krim*eve të Kryera gjatë Luf*tës në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot Institutin e K...
-
Presidentja Shiroka Pula takon kryetarët e komunave, iu premton përkrahje
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar sot m...
-
Ndryshimet në pozitat udhëheqëse të Policisë, Musliu kërkon dokumentacion zyrtar: Ende nuk kam marrë përgjigje
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar...

































