Sport

Ardian Nuhiu zbulon përparësinë që ka Drita përballë Feyenoordit

Autori: Gazeta inFokus 22:26 | 21 July 2021

Trajneri i skuadrës së Dritës, Ardian Nuhiu, ka dalë në konferencë për media para ndeshjes me Feyenoordin, shkruan Gazeta inFokus.

Shefi i shtabit teknik te gjilanasit ka thënë se ballafaqimi me gjigantin holandez do të jetë eksperiencë e mirë për të si trajner dhe për ekipin.

Me pas ai ka zbuluar përparësinë që ka skuadra e tij kundrejt Feyenoordit.

-Advertisement-

“Do të jetë një eksperiencë e mirë, si për mua si trajner e po ashtu edhe për ekipin tim. Më vjen mirë që këta futbollistë arritën të sjellin këtu një ekip të madh siç është Feyenoordi. Ne kemi përparësi sepse ne dimë gjithçka për Feyenorrdit. Kemi analizuar shumë ndeshje të tyre, si në aspektin ekipor e po ashtu edhe individual për çdo futbollistë. E dimë që bëhet fjalë për një skuadër shumë të fortë. Kanë lojtar cilësorë, sidomos sulmuesit e krahut e po ashtu edhe në mesfushë e mbrojtje janë të fortë. Kanë lojtarë të rrezikshëm”, deklaroi Nuhiu.

Tekniku shkupjan tutje ka shtuar se janë të përgatitur maksimalisht dhe se është sportive të shpresojnë në rezultat pozitiv pavarësisht kundërshtarit të fortë.

“Është sportive që të shpresojmë. Jemi të përgatitur maksimalisht. E dimë që kemi përballë një ekip të fortë. Në futboll ndodhin gjithmonë befasi. Por asnjëherë nuk do të dorëzohemi. Do ta vlerësojmë kundërshtarin, por asnjëherë nuk do ta nënvlerësojmë kualitetin që kemi. Do të japim më të mirën. Presim dhe shohim. Formacionin do ta zbulojmë në ditën e ndeshjes, në varësi të kundërshtarit. Do të shohim”, përfundoi Nuhiu.

Drita dhe Feyenoordi do të takohen nesër në duelin e parë të rrethit të dytë në Conference League.

Ndeshja luhet nga ora 21:00 dhe zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera