Lajme

APK-ja gjeti konflikt interesi, ShSKUK-ja ia ndërpret kontratën e punës djalit të dajës së tani ish-drejtoreshës së Spitalit të Mitrovicës

Autori: Gazeta inFokus 14:24 | 08 November 2023

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka marrë vendim për ndërprerjen e kontratës së punës ndaj K.J., nga pozita deposit në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”, pasi që Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) për punësimin e tij, ka gjetur konflikt interesi.

“Betimi për Drejtësi” më 2 nëntor 2023 raportoi se Antikorrupsioni ka gjetur se tani ish-drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi-Buçinca, është në konflikt të interesit, pasi punësoi djalin e dajës.

Vendimi i ShSKUK-së të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, është marrë më 6 nënor 2023, pasi APK ka gjetur se punësimi i K.J., në Spitalin e Mitrovicës paraqet konflik interesi, pasi që, tashmë ish-drejtoresha Zhubi-Buçinca, kishte nënshkruar kontratën e punës për punëmarrësin- djalin e dajës K.J.

-Advertisement-

“Në bazë të vendimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (nr.1917/23 të datës 24.10.2023) drejtori Ekzekutiv i Spitalit të Përjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” – Mitrovicë, merr këtë vendim mbi ndërprejen e kontratës së punës K.J., i datës 06.11.2023. Ky vendim merret në bazë të vendimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit”, thuhet në vendimin e ShSKUK-së.

Në vendim, po ashtu thuhet se pala ka të drejtë të ankohet në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të Spitalit të Përgjithshëm në një afat prej 15 ditësh që nga data kur është marrë vendimi.

Në anën tjetër, Luljeta Zhubi-Buçinca të martën ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtoreshës ekzekutive në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Ajo, për “Betimi për Drejtësi”, tha se përkushtimi në profesionin e saj si infektologe e ka shtyrë të japë dorëheqje, ndërsa tha se ky vendim nuk ndërlidhet me atë për K.J.

“K.J. kontrata ju ka ndërpre me dt.06.11 dhe ju ka dërgu SHSKUK dhe Agjencionit Antikorrupsion. Dorëheqja ime nuk ndërlidhet më këtë. Unë kam respektu kërkesat e Agjencionit ndërsa dorëheqja ime ka aerye tjera sikurse që ju kam thënë, angazhim në profesion si infektologe”, tha ajo në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në vendimin e APK-së, thuhej se Agjencia ka kërkuar nga Spitali Rajonal në Mitrovicë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës që të shfuqizohet apo të anulohet akti i nxjerrë për rrethana të konfliktit të interesit dhe pastaj të njoftojë agjencinë për vendimin final në lidhje me rastin.

Tutje, në vendimin e APK-së gjithashtu bëhej e ditur se në gusht të vitit të kaluar në pozitën infermiere e përgjithshme me shkollim “Bachelor”, në spitalin e Mitrovicës është pranuar A.M e cila është gruaja e K.J., djalit të dajës së drejtoreshës së spitalit, por sipas agjencisë në këtë rast nuk përbën konflikt interesi pasi që lidhja familjare e drejtoreshën Zhubi, dhe A.M është e largët. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera