Lajme

Apeli ndryshon vendimin e Themelores, liron nga dënimi me 2 vite burgim të akuzuarin për korrupsion

Autori: Gazeta inFokus 09:31 | 08 July 2023

Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe ka liruar nga akuza Besim Tahirin i cili ishte dënuar me dy vite burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kurse drejtori i biznesit “Eurokod” sh.p.k  Hajredin Hajra ishte liruar nga akuza për veprën penale “Marrëveshjet për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender”.

Sipas Gjykatës së Apelit nuk është vërtetuar që i akuzuari Besim Tahiri përmes nënshkrimit të Aneks Kontratës për procedurë të prokurimit ne emër të punëve shtesë ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

 Besim Tahiri akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore nga 13 maji 2016 deri 10 tetor 2017, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë zhvillimit të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Dislokimi i varrezave nga traseja e Autostradës R6 segmenti C2 dhe C3”.

-Advertisement-

Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të datës 27 qershor të këtij viti ka aprovuar ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit Besim Tahiri avokatit Adem Vokshi dhe Senat Elshani dhe ka ndryshuar aktgjykimin  e gjykatës themelore në Prishtinë të datës 11 janar 2023.

Përmes aktgjykimit të Apelit është refuzuar si e pabazë ankesa e Prokurorisë Speciale ndërsa pika dy e dispozitivit të  aktgjykimit të Themelores është vërtetuar.

Lidhur me vendimin e Themelores, mbrojtësit e të akuzuarit Besim Tahiri kanë ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi dënimin me propozimin qe i mbrojturi i tyre të lirohet nga akuza ose që lënda të kthehet në rigjykim në shkallën e parë.

Ndërkaq Prokuroria e Apelit më parashtresën e datës 23 shkurt 2023 ka propozuar që aktgjykimi i ankimuar të anulohet sa i përket pjesës liruese për të akuzuarin Hajredin Hajra dhe çështja të kthehet në rigjykim, duke u refuzuar si e pabazuar edhe ankesa e mbrojtësve të të akuzuarit Tahiri.

Në vendim thuhet se Gjykata e Apelit pasi që ka studiuar aktgjykimin e ankimuar, pretendimet ankimore të Prokurorisë Speciale dhe pretendimet e mbrojtësve te te akuzuarit Tahiri avokat Adem Vokshi dhe Senat Elshani ka gjetur se ankesa e mbrojtësve te të akuzuarit Tahiri është e bazuar ndërsa ajo e Prokurorisë është e pa bazuar.

Sipas këtij vendimi Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se në këtë çështje penale provat që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor nga shkalla e parë vërtetojnë krejtësisht gjendje tjetër faktike nga ajo që gjykata e shkallës së parë ka konstatuar lidhur me përgjegjësinë e të akuzuarit Tahiri.

Kolegji penal i Apelit ka gjetur të bazuara pretendimet  e mbrojtës së të akuzuarit Tahiri se është tëresisht i gabuar konstatimi i gjykatës së shkallës së parë se lidhja e Aneks- Kontratës e datës 30 nëntor 2016 për procedurë të prokurimit në emër të punëve shtesë është bërë në kundërshtim me nenin 35 par.2.4 të LPP-së, se vlera e Aneks-Kontratës është vlere shumëfish më e lartë se që është lejuar me ligj.

“Ky konstatim për kolegjin është tërësisht i gabuar dhe i pabazuar pasi që vlera e aneks kontratës është vetëm 0.4% e vlerës së kontratës bazë dhe se i akuzuari Besim Tahiri përmes nënshkrimit të aneks- kontratës nuk ka konsumuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit i ka vlerësuar po ashtu si të bazuara pretendimet e të akuzuarit Tahiri dhe mbrojtësve te tij av.Adem Vokshi dhe Senat Elshani se gjykata e shkallës së parë ka bërë vërtetimin  e gabuar të gjendjes faktike dhe gabimisht ka shpallur fajtor të akuzuarin Tahiri për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ngase nga provat e administruara nuk është dëshmuar se i njëjti ka kryer veprën për të cilën ngarkohej.

“Të bazuara për kolegjin janë edhe pretendimet e mbrojtjes se në këtë çështje penale me asnjë provë nuk është vërtetuar se Besim Tahiri përmes lidhjes së kontratës me kohëzgjatje 2 vite i ka shkaktuar përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik fitues në shumën prej 772 mijë e 235 euro e 69 centë, se lëshimi i gabimeve teknike dhe mosrespektimi i procedurës nuk mund ti atribuohet të akuzuarit si vepër penale, ngase keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar e përcakton veprimi i caktuar dhe qëllimi i caktuar dhe çdo lëshim nuk përbën vepër penale”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në këtë rast  për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka qenë i akuzuar edhe Gëzim Osmani, ndaj të cilit kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi në seancën e mbajtur më 17 tetor e ka veçuar procedurën, duke njoftuar se gjykata ka pranuar ekspertizën e hartuar nga grupi i ekspertëve, ku është konstatuar se Osmani nuk është në gjendje ta përballojë gjykimin.

Aktakuza ndaj Besim Tahirit, Gëzim Osmanit e Hajredin Hajrës është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 maj 2021.

Besim Tahiri akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore nga 13 maji 2016 deri 10 tetor 2017, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë zhvillimit të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Dislokomi i varrezave nga traseja e Autostradës R6 segmenti C2 dhe C3”.

Sipas aktakuzës, duke vepruar në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë, ku ishte përcaktuar afati i kontratës 1 vit, ka nënshkruar kontratën me afat prej 2 vite, pastaj ka lejuar tejkalimin e numrit të njësive nga 40 në 474 varreza dhe ka lejuar tejkalimin e kontratës nga 60 mijë euro në 832 mijë e 235 euro e 69 centë, si dhe ka lidhë aneks-kontratën më 30 nëntor 2016 për këtë procedurë të prokurimit në emër të punëve shtesë, edhe pse ishte në kundërshtim me nenin 35, paragrafi 2.4. i LPP-së, ku vlera e kësaj aneks-kontrate është me vlerë shumëfishë më e lartë se që është e lejuar me Ligjin e Prokurimit Publik (neni 35, par. 2.4), krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772 mijë e 235 euro e 69 centë.

Me këtë, Tahiri akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Gëzim Osmani, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore 25 gusht 2016 e deri më 7 nëntor 2018, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, e ka keqpërdor pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij, të cilat ishin caktuar me vendimin me NR.Pro.35831, të 25 gushtit 2016.

Në aktakuzë thuhet se Osmani, në cilësinë e menaxherit të projektit, ishte i obliguar që të sigurohej se operatori ekonomik i përmbushte të gjitha obligimet e performancës apo dërgesës në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës, t’i dorëzojë raportet mbi progresin ose kompletimin e një kontrate siç kërkohet nga divizioni i prokurimit ose nga ZKA, të verifikojë sasitë e punëve të kryera, nënshkruajë ditarin e ndërtimit, librin e ndërtimit dhe situatat për pagesë.

Lidhur me këtë, thuhet se i kishte shkaktuar dëm Ministrisë së Infrastrukturës dhe përfitime operatorit ekonomik “Eurokod”, me të cilin rast janë pranuar punët edhe pse nuk ishin zbatuar pozicionet e përcaktuara në kontratë, si dhe ka tejkaluar kompetencat e menaxherit të projektit, duke kërkuar pozicione shtesë në emër të aneks-kontratës.

Kurse, thuhet se pas nënshkrimit të aneks-kontratës kishte lejuar që të bëhen hulumtime për varre në lokacione të cilat nuk ishin përcaktuar në kontratë, krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772 mijë e 235 euro e 69 centë.

Me këtë, Osmani thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Hajredin Hajra akuzohej se në cilësinë e drejtorit të biznesit “Eurokod” SH.P.K., me qëllim të pranimit të ofertës nga autoriteti kontraktues për aktivitetin e prokurimit me titull të kontratës “Dislokimi i varrezave nga traseja e Autostradës R6, segmenti C 2 dhe C 3”, më 17 qershor 2016, në Prishtinë, në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë kishte dorëzuar ofertën në bazë të një marrëveshje të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se marrëveshja për themelimin e grupit të operatorëve ekonomik “Eurokod”, SH.P.K dhe “Engenieering Group” SH.P.K, ishte bërë që të plotësohen kriteret formale, më saktë të përdorej referenca e “Engenieering Group”, kurse në zbatim të kontratës ishte përjashtuar operatori ekonomik “Engenieering Group” nga i pandehuri, me të cilin rast nuk e kishte lejuar të marrë pjesë në implementim të kontratës me numër MI/16/071/221, të 20 korrikut 2016, me qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore.

Me këtë, Hajra akuzohej se ka kryer veprën penale “Marrëveshjet për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender” nga neni 309, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit, kryerësi i së cilës dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera