Lajme

Analistët: Kërcënimet e Listës Serbe, të motivuara nga strukturat paralele

Autori: Gazeta inFokus 07:54 | 29 August 2022

Pas kërcënimeve të Listës Serbe, se do të largohet nga institucionet e Kosovës nëse “nuk arrihet një zgjidhje kompromisi për targat dhe dokumentin e hyrje-daljes të Kosovës”, analistët vlerësojnë se këto thirrje, janë motiv për strukturat paralele në veri të vendit për të bërë rezistencë. Analisti Shqiprim Pula për Radio Kosovën thotë se Brukseli zyrtar, duhet t’i bëjë thirrje Listës Serbe, që të qëndrojë në institucionet e Kosovës.

Analisti politik, Shqiprim Pula, rreth kërcënimeve të Listës Serbe për dalje nga institucionet e vendit, thotë se kërcënime të tilla nuk do të duhej të bëhen. Sipas tij, kjo nuk i shkon në favor askujt. Ai sqaroi se komunat në veri të vendit duhet të pranojnë jetësimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentin për hyrje dhe dalje.

“ Në këtë rast Brukseli zyrtar do të bënte mirë që deri me datën 1 shtator, kur është edhe data për jetësimin e vendimeve, t’i bëjë ftesë që ato të qëndrojnë në institucione, të jenë të qetë dhe të pranojnë jetësimin e vendimeve në veri të vendit. Duhet të kuptohet që ato dy vendime kanë efekt të përgjithshëm, pra, nuk kanë efekt ndaj një grupi apo pakice të caktuar por janë thjesht shtrirje e autoritetit shtetëror”, tha ai.

-Advertisement-

Analisti tjetër, Gurakuq Kuçi, sqaron se nëse Lista Serbe del nga institucionet e vendit, atëherë vendet e saj mund të zëvendësohet me parti të tjera të serbëve, të cilët kanë garuar në zgjedhje.

“ Nëse Lista Serbe do të dilte, atëherë ka pasur edhe parti të tjera që kanë garuar në zgjedhje dhe ata do të mundë të zëvendësoheshin në Kuvend nga përfaqësuesit e radhës, sipas votave. Kërcënimi i tyre nuk është për herë të parë por që nuk mund të kenë ndonjë efekt që kanë pasur në të kaluarën, sepse qeveria e tanishme nuk varet nga votat e tyre. E vetmja gjë është që ata mund ta lënë komunën dhe komunat të shkojnë në zgjedhje të reja. Pra, kërcënimi i tyre është i pavlerë”, tha ai.

Ndaj kërcënimeve të Listës Serbe për dalje nga institucionet e vendit përmes një komunikate, ka reaguar edhe Partia e Serbeve të Kosovës ku thuhet se Lista Serbe nuk përfaqëson popullin serb të Kosovës.

Ish politikani Nenad Rashiq thotë se kërcënimi thjesht, është improvizim.

“ Ajo çka thonë ata është improvizim, sepse, si gjithmonë ata i rendisin interesat e veta dhe benifitet përpara interesave të popullit serb të Kosovës”, tha ai.

Beogradi zyrtar kundërshton vendimin e fundit të Kosovës për t’u lëshuar dokument për hyrje/dalje atyre që posedojnë dokumente serbe pas hyrjes në Kosovë. Ata posaçërisht janë kundër faktit që një gjë e tillë vlen për serbët në veri të Kosovës, ndërsa ky qëndrim është mbështetur në tërësi nga Lista Serbe.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera