Lajme

Alisa Jetullahu reagon pas deklaratës së Leart Hoxhës, paralajmëron padi për shpifje: Nëse e ka pasur për mua, le ta thotë publikisht dhe me fakte

Autori: Gazeta inFokus 13:28 | 15 June 2026

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete, Alisa Jetullahu, ka reaguar pas debatit të hapur në rrjete sociale dhe komenteve e sulmeve ndaj saj që pasuan  pas një deklaratë të gazetarit dhe kryeredaktorit të ATV-së, Leart Hoxha.

Gjatë një emisioni televiziv, Hoxha deklaroi se kishte njohuri për një rast kur një kandidate për deputete kishte shpenzuar rreth “çerek milion euro” për t’u bërë deputete, pa përmendur emër konkret.

Megjithëse në deklaratën e tij nuk u identifikua asnjë person, sipas Jetullahut, më pas në publik dhe në rrjete sociale u krijua një narrativë sipas së cilës deklarata ishte referencë ndaj saj, duke e kthyer atë në objekt kritikash dhe akuzash.

-Advertisement-

Në reagimin e saj publik, Jetullahu thotë se fillimisht nuk i kishte kushtuar rëndësi deklaratës, pasi emri i saj nuk ishte përmendur në asnjë moment.

“Derisa emër nuk përmendi, kjo deklaratë për mua nuk nënkuptonte asgjë, përveç njohjes së faktit se gazetaria sot ka probleme kur një kryeredaktor flet pa të dhëna konkrete në emision”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, vetëm më vonë ka vërejtur se deklarata po përdorej në mënyrë të organizuar për të aluduar se bëhej fjalë për të.

Për këtë arsye, Jetullahu i ka kërkuar publikisht Hoxhës që të sqarojë deklaratën e tij dhe të tregojë nëse ka pasur apo jo për qëllim ta përfshijë atë në pretendimet e bëra.

“Kërkoj nga Leart Hoxha ta konkretizojë deklarimin e tij. Ta thotë me emër nëse bëhet fjalë për mua. Kërkoj që të publikojë fakte, të dhëna dhe prova”, ka shkruar ajo.

Jetullahu ka paralajmëruar gjithashtu se, nëse Hoxha konfirmon publikisht se deklarata e tij ka qenë për të, atëherë do të ndërmarrë veprime ligjore për shpifje.

“Në momentin që ai e konkretizon se e kishte për mua, do të procedoj me padi për shpifje”, ka deklaruar kandidatja e LDK-së.

Në reagimin e saj, Jetullahu ka folur edhe për sfidat me të cilat, sipas saj, përballen gratë në politikë, duke thënë se gratë shpesh janë objekt sulmesh dhe paragjykimesh më të mëdha sesa burrat.

Ajo ka theksuar se angazhimi i saj në politikë lidhet me dëshirën për të kontribuar në përmirësimin e pozitës së grave në shoqëri dhe në institucione.

Në fund të reagimit, Jetullahu ka falënderuar qytetarët që e kanë votuar në zgjedhjet e fundit dhe ka deklaruar se ngjarjet e fundit vetëm sa e kanë forcuar bindjen e saj për të vazhduar angazhimin politik.

“Situata e fundit ishte vetëm forcim shtesë i bindjes sime se lufta ime për gra të forta dhe të barabarta duhet të vazhdojë dhe terreni, pa diskutim, është politika”, ka përfunduar ajo./Gazeta Infokus

Kur zjarri godet biznesin, sigurimi bën diferencën: si u rikthyen Swiss Roleta dhe Pine Hotel në funksion me SIGAL
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy