Fokus

ALARMANTE: Banorët e Pejës pa ujë për pije në temperatura mbi 35 gradë, kryeshefi i “Hidrodrinit” thotë se problemi mund të zgjasë 3 muaj

Autori: Gazeta inFokus 15:44 | 21 June 2024

Qytetarët e Pejës në temperatura mbi 35 gradë celsius po përballen me reduktime të furnizimit me ujë për pije disa herë gjatë ditës.

Kështu kanë deklaruar banorët të cilët kanë kontaktuar redaksinë e Infokusit, sipas të cilëve në këto temperatura super të larta jetën po ua vështirëson mungesa e ujit.

E kjo sipas një banori të Pejës po ndodhë sidomos në zonën e ish fabrikës së bukës, në banesat kolektive.

-Advertisement-

“Kemi ndërprerje të ujit disa herë gjatë ditës. Po është shumë problem me i përballu këto temperatura pa ujë. Mbi 35 gradë e pa ujë disa herë gjatë ditës, po bëhet e papërballueshme. Nuk e dimë ku është problemi mirëpo ne po e kemi shumë të vështirë”, ka thënë ky banor. (Emër i njohur për redaksinë)

E në lidhje me këtë Gazeta INFOKUS ka kontaktuar me kryeshefin e “Hidrodrinit”, Dri Cena i cili ka thënë se qytetarët janë të njoftuar për reduktimet të cilat sipas tij janë vetëm dy herë në ditë.

Sipas Cenës reduktimet më të mëdha janë në fshatra derisa ka shtuar se e e gjithë kjo erdhi si pasojë e thatësisë, e që qytetarët do të përballen me këtë problem edhe për 3 muaj.

“Po qytetarët janë të njoftuar me orarin e reduktimeve, është dy herë në ditë, kjo ka ndodhur për shkak të thatësisë, mungesës së reshjeve të shiut, është problem që na përcjell vazhdimisht gati çdo verë e që nuk kemi se si me e zgjidh ndryshe. Pas 3 muajsh mund të rregullohet ndoshta kur të kthehet edhe niveli në burime”, ka thënë Cena.

Madje për muajin korrik kryeshefit të Hidrodrinit paralajmëron edhe rritje të reduktimeve nëse vazhdojnë të jenë temperaturat e larta.

“Fillimisht reduktimet kanë filluar në disa pjesë ku kemi pasur problem e ku e kemi pa të nevojshme besoj që pas një muaji nëse vazhdon kjo thatësi, rriten reduktimet, për zonat e tjera jo për këto që janë aktualisht. Aktualisht reduktime ka në Lugun e Leshanit, Tërstenikut, dhe rajoni i fshatrave në drejtim të Gorazhdecit”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur nëse reduktime të tilla ka edhe në qytet, Cena ka thënë që ka në disa pjesë por që sipas tij po mundohen ti menaxhojnë.

Ai ka thënë se reduktimet në qytet janë vetëm si pasojë e prishjeve të cilat nuk mund të rregullohen pa u ndalur uji. Cena i ka quajtur qytetarët të paduruar dhe të pakuptueshëm.

“Ka në disa pjesë mirëpo po mundohemi me i menaxhu. Janë për shkak të prishjeve sepse s’kemi qysh me punu pa e ndal, e kuptoj që është kohë e nxehtë edhe por s’kemi çfarë të bëjmë. Po janë pak të pakuptueshëm edhe të padurueshëm. Pak është problem kjo punë”, ka thënë kryeshefi i Hidrodrinit.

Ndërsa sipas njoftimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, reduktimet dy herë brenda ditës janë në Rajonin e Lugut të Leshanit, që përfshin 11 fshatra, lugu i Tërstenikut që përfshin 8 fshatra dhe rajoni i fshatrave në drejtim të Gorazhdecit që përfshin 6 fshatra.

Ata kane njoftuar se reduktimet nga sot do të vazhdojnë me orar nga ora 7:00 deri në orën 13:00.

“Përkundër sfidave serioze me furnizim, si pasojë e keqpërdorimeve të shumta të ujit për pije, rritjes së kërkesës për ujë, shkaku i ngritjes së temperaturave dhe rënies së sasisë në burime, NJOFTOJMË konsumatorët e Pejës, se VAZHDOJNË reduktimet e ujit për pije në zonat, ku po aplikohen nga data 19.06.2024, porse nga sot 21.06.2024 me ORAR TË NGUSHTUAR nga ora 07:00 deri në ora 13:00”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kujtojmë se kjo ka qenë java me temperaturat më të larta që nga fillimi i vitit e që pritet një verë tejet e nxehtë./Gazeta Infokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera