Lajme

Aktakuzë për korrupsion ndaj u.d të drejtorit të Spitalit në Ferizaj

Autori: Gazeta inFokus 18:01 | 01 April 2022

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Halit Gërbeshit, ushtrues i detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo prokurori, raporton “Betimi për Drejtësi”.Më 14 janar 2022, Gërbeshi ishte suspenduar nga puna, nën dyshimin për korrupsion.

Kurse, më 15 jaanr 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, të njëjtit ia kishte caktuar një muaj arrest shtëpiak.

-Advertisement-

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga shtatori 2021 e deri në dhjetor 2021, në Ferizaj, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete.

Tutje thuhet se i njëjti, në muajin dhjetor të vitit 2021, në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, si person zyrtar, në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Spitalit, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.

Aktakuza thotë se me ndërmarrjen e këtij veprimi të paligjshëm, i njëjti ka furnizuar me derivate veturën e tij private të markës HUNDAY duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403 euro e 97 centë.

Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 i Kodit Penal.“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë”, thuhet në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera