Sport

Agim Ademi uron gazetarët e sportit për Ditën Botërore të Gazetarisë Sportive

Autori: Gazeta inFokus 12:52 | 02 July 2022

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sot ka uruar gazetarët e sportit me rastin e Ditës Botërore të Gazetarisë Sportive, shkruan Gazeta Infokus.

I pari i FFK-së, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se vazhdimisht përpiqet që të jetë i afërt dhe i hapur me gazetarët sportivë.

“Si president i FFK-së në vazhdimësi jam përpjekur të jem i hapur, i afërt dhe mbështetës i gazetarëve sportivë, ndonëse në raste të caktuara disa ndoshta pa fajin e tyre, nuk iu kanë përmbajtur misionit i cili u takon – pasqyrimit të vërtetës.

-Advertisement-

Sidoqoftë, unë dhe FFK-ja si institucion, do të vazhdojmë të ruajmë dhe të zhvillojmë raportet e bashkëpunimit me mediat në përgjithësi dhe do të përkujdesemi që gazetarëve sportivë t’u krijojmë kushte sa më të mira në stadiume dhe në ngjarje sportive”, ka shkruar Ademi.

Gjithashtu, në këtë postim ai ka shkruar se i inkurajon gazetarët sportivë që të vazhdojnë pasqyrimin real të të arriturave në sport, por edhe shpërfaqjen e problemeve apo ngecjeve.

“Sporti ka qenë segment i rëndësishëm i rezistencës dhe shtetndërtimit, derisa pas shpalljes së pavarësisë është treguar si ambasadori më i mirë i vendit, duke i pasqyruar vlerat e shoqërisë sonë. E në këtë aspekt rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe gazetarët sportivë.

Edhe një herë urime, shëndet e suksese për të gjithë Ju të nderuar gazetarë sportivë!”, ka shkruar ndër të tjera i pari i FFK-së./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera