Fokus

Afro 600 mijë euro shtesa për mjekët që punojnë vetëm në sektorin publik, ata përfituan nga 900 euro për 6 muaj

Autori: Gazeta inFokus 18:38 | 22 August 2024

Muaji korrik duket se ishte goxha i mirë për stafin mjekësor që punojnë vetëm në institucionet shëndetësore publike në vend.

Kjo sepse atyre iu pagua përnjëherë shtesa prej 900 euro të cilën nuk e morën qysh nga muaji janar.

Shtesa e cila në muaj është 150 euro dhe u fillua me vendimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia me 4 mars të këtij viti por që mjekët do të përfitonin edhe për 2 muajt e kaluar, pra që nga fillimi i vitit 2024.

-Advertisement-

Se kjo shtesë u pagua përnjëherë për 6 muaj pra për periudhën Janar – Qershor 2024, për Gazetën Infokus e ka konfirmuar, Luljeta Muçolli, Zyrtare e Lartë Ekzekutive në Thesarin e Kosovës në kuadër të Ministrisë së Financave.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi bashkëngjitur gjeni Vendimin Nr.29.III.2025 i datës 04.03.2024 nxjerre nga Ministri i Shëndetësisë  cili  mbështetet në Rregulloren (QRK) Nr.02/2023 per Shtesat e Nëpunësve te Sistemit Shëndetësor. Thesari konfirmon se me pagën e muajit Korrik,2024 janë realizuar kompensimet në mënyrë retroaktive për stafin shëndetësor që punojnë vetëm në institucionet shëndetësore publike, për periudhën Janar-Qershor,2024”, ka thënë Muçolli për Infokus.

Ajo ka dhënë detaje se kjo shtesë u është dhënë deri më tani 624 mjekëve, listë kjo e cila është sjellë nga institucione të ndryshme shëndetësore publike në vend për mjekët që nuk punojnë edhe në Klinika Private.

E këto shtesa buxhetit të shtetit i kanë kushtuar hiq më pak se mbi 549 mijë euro, shkruan Gazeta Infokus.

“Deri më tani Shuma mujore 150 euro për 6 muaj 900 euro është  kompensuar vetëm për institucionet shëndetësore të cilët kanë sjellë të dhënat për mjeket që shërbejnë në institucionet  shëndetësore  (varet prej institucionit se çfarë shume ka sjellë për pagesë), por jo më shumë se 900 euro për nëpunës shëndetësor ku vlera  totale e kësaj pagës është 549,975.00 euro ndërsa  numri i mjekeve përfitues në muajin Korrik 2024 është 624 mjekë”. Numri i mjekeve përfitues është vetëm i Institucioneve që i kanë sjellë kompensimin ne muajin Korrik,2024, ndërsa pjesa tjetër e institucioneve shëndetësore të dhënat  i kane sjellë me pagën e këtij muaji Gusht ,2024”, ka deklaruar Muçolli në përgjigjen për Infokus.

Vendimi i të parit të shëndetësisë parasheh që këto shtesa për mjekët që janë pjesë vetëm e sektorit publik në vend të jipen deri në fund të vitit 2024 pra në muajin dhjetor.

Pra bazuar në këtë vendim deri në fund të vitit kjo shtesë pritet që buxhetit të shtetit ti kushtojë më shumë se 1 milionë euro, por edhe më shumë nëse rritet numri i mjekëve në listat që institucionet shëndetësore publike do ti dërgojnë Ministrisë së Financave./Gazeta Infokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera