Fokus

Adresimi vjetor i Osmanit në Kuvend: E duartrokitur nga LVV-ja, e injoruar nga LDK-ja dhe e bojkotuar nga PDK e AAK-ja

Autori: Gazeta inFokus 11:16 | 15 December 2022

Vetëm partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, duket se i bëri përshtypje fjalimi vjetor i presidentes, Vjosa Osmani në Kuvend. Grupi parlamentar i pozitës ishin të vetmit që u ngritën në këmbë dhe duartrokitën adresimin e saj.

E ndonëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, vendosi të qëndrojë në Kuvend, injorimi për këtë fjalim ishte më se i dukshëm. Të pa interesuar për të dëgjuar se çfarë kishte për të thënë presidentja e duke injoruar tërësisht në fund duartrokitjet, deputetët e LDK-së, ish kolegët e Osmanit kaluan në seancën tjetër.

Ata le që nuk u ngritën në këmbë mirëpo as nuk e panë të arsyeshme që të duartrokisnin pas fjalimit.

-Advertisement-

FJALIMI I SAJ I PLOTË: VIDEO

Sot, Osmani, përfundoi adresimin e saj vjetor përballë deputetëve, derisa ishin vetëm grupi parlamentar i pozitës ata të cilët në fund të fjalimit u ngritën në këmbë duke duartrokitur fuqishëm.

Osmani në adresimin e saj u injorua nga LDK-ja mirëpo dy partitë e tjera opozitare e bojkotuan fare fjalimin. Partia Demokratike e Kosovës, njoftoi para seancës se deputetët e saj nuk do të jenë në këtë seancë duke e quajtur të dështuar punën e presidentes.

“I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotëri Konjufca, të nderuar zv. Kryeministra, të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, shumë të nderuar deputetët të Kuvendit të Republikës së Kosovës e të dashur qytetarë”, kështu e nisi Osmani fjalimin e saj, ani pse nuk u nderua nga shumica e deputetëve të opozitës.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte pjesë e kësaj seance, arsyeja mund të jetë sepse sot në orën 13:00, pritet të niset për në Pragë ku do të dorëzojë aplikimin e Kosovës si anëtare e BE-së.

Ani pse kreu i tyre mungoi, në Kuvend gjendeshin pjesa tjetër e kabinetit qeveritar. Mirëpo fjalimi i Osmanit duket se nuk i bëri shumë përshtypjeve as ministrave për të cilët në shumicën e kohës gjatë adresimit së Osmanit, më interesant ishin telefonat mobile të tyre. Ani pse nuk e dëgjuan nuk hezituan të duartrokisnin dhe të ngriteshin në këmbë.

Si do që të jetë, presidentja përfundoi punën e saj për të cilën obligohet në bazë të Kushtetuës, e që është adresimi i saj të paktën një herë në vit, përballë deputetëve.

Ajo foli për shumë tema e zhvillime në të cilat u gjend Kosova së fundi. Edhe pse nuk ishin në seancë ajo i bëri thirrje indirekt edhe opozitës që në kohëra të vështira, në kohëra krize, duhet të jenë të bashkuar.

“Përderisa këto sfida globale të sigurisë globale të sigurisë kanë krijuar sfida në ekonomi dhe në sigurinë energjitë, t’i kujtojmë sfidat e çdoditshme më të cilat përballet qytetari ynë dhe të mendojmë nëse veprimi ynë politik ka qenë i mjaftueshëm për ta. Në situata të tilla të rënda të gjithë duhet t’i tejkalojmë dallimet e përditshme e ti bashkojmë forcat e mendjet në mënyrë që masat që ndërmerren të kenë në fokus vetëm e vetëm interesin qytetar në përballje me këto kriza. Pavarësisht sfidave, ky vit solli konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të shtetit, të institucioneve të tij, të gatishmërisë së tyre për tu dalë zot kërkesave të qytetarëve”, tha Osmani.

Derisa foli edhe për dhunën në familje e vrasjen e grave, duke bërë thirrje që të luftojmë e të raportojmë dhunën.

Ndërsa për zhvillimet e fundit në veri, Osmani pati disa mesazhe të fuqishme dejt Beogradit nga foltroja e Kuvendit.

Osmani tha se Serbia e Vuçiq e dinë shumë mirë se prania e ushtrisë serbe në Kosovë ka marrë fund më 12 qershor 1999.

“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund më 12 qershor 1999. Më 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste te Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i Millosheviqit”, ka theksuar Presidentja Osmani./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera