Fokus

A ka Kosova para për formimin e Ushtrisë?

Autori: Mirlinda Bajraktari 19:59 | 20 September 2018

Shumë shpejt numri i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të dyfishohet.

Nga 1300 trupa të uniformuar sa numërohen aktualisht mund të bëhen 3000 sosh.

Por këta nuk do të shërbejnë nën emblemën e FSK.

-Advertisement-

3000 trupa do të nisin shërbimin si ushtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Kjo nëse merret vendimi politik për transformimin e FSK.

Muhabetet për formimin e ushtrisë së mirëfilltë kosovare në fakt ka kohë që kanë nisur.
Por transformimi ka edhe kosto financiare.

Shteti i Kosovës duket se nuk ka telashe për sigurimin e parave kur bëhet fjalë për formimin e Forca të Armatosura.

Planet financiare janë bërë tash e disa vite.

Miliona euro janë në dispozicion të kësaj pune.

“Buxheti i planifikuar aktualisht është si në vijim: Për vitin 2019 është mbi 56 milion euro, kurse për vitin 2020 mbi 61 milion euro”, ka deklaruar Ibrahim Shala, nga Ministria e Forcës e Sigurisë, transmeton Gazeta inFokus.

Krijimi i forcave të armatosura nuk pritet të rendoj financiarisht shtetin e Kosovës pasi planet për një gjë të tillë tashme janë hartuar në detaje.

Madje planifikimet janë bërë për një periudhë 10 vjeçare.

Kaq sa edhe pritet të zgjas transformimi.

Zëvendës Ministri i FSK-së, Burim Ramadani në një prononcim për inFokusin ka theksuar se buxheti që është paraparë nga qeveria kosovare nuk e dëmton buxhetin e vendit.

“Plani dhjetë vjeçar e ka të përcaktuar për secilin vit sa të shtohet shuma e të ardhurave. Çdo vit do të këtë buxhet shtesë me qëllim që me arrit kapacitetet profesionale, këtu bëhet fjalë për buxhet që nuk e ngarkon apo nuk bëhet barrë e qeverisë. Ky buxhet është i mjaftueshëm për t`a rritur kapacitetin e FSK-së për mandatin e ri” tha Ramadani.

Kurse njohësi i fushës së sigurisë Nuredin Ibishi ka deklaruar për Gazetën inFokus se shuma e planifikuar për ushtrinë mund të rritet nëse vërehet se nuk i plotëson kërkesat.

“Në planifikimin e buxhetit 10 vjeçar për FSK-në është planifikuar edhe një ndarje prej 10% më shumë në rast të formimit të ushtrisë. Kur është bërë rritja është paraparë një shumë e cila nuk e do ta pengonte buxhetin e vendit por edhe mjaftueshme për rritjen e kapaciteteve të FSK-së”, tha ai.

Në anën tjetër numri i ushtareve që do të jenë pjesë e ushtrisë pritet të dyfishohet me numrin aktual të pjesëtareve të FSK-së.

“Numri i trupave është menduar të jetë dyfishë sa janë trupa në FSK. Fillimisht nga 1300 do të jetë 3000. Prandaj edhe buxheti është i mjaftueshëm edhe për ngritjen e personelit por edhe kapaciteteve të tjera. Numri në vazhdimësi do të ndryshojë me pensionimin gradual me diplomimet në akademi ushtarake po ashtu edhe pjesëtarë të shteteve të tjera”, tregon Ibishi.


Në kuadër të kësaj shume janë të përfshira edhe shpenzimet për pajisje luftarake.

“Qysh në qeverisjen e kryeministrit Mustafa, pas shtimit të buxhetit për 10% janë planifikuar edhe mjetet e tjera si armët, maskat po ashtu edhe elemente të tjera. Por në rast se arrihet transformimi përsëri rishikohen kapacitetet financiare dhe shtohet nëse është e nevojshme”, tha Ibishi.

Një pako prej tri projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës është miratuar këtë javë në Qeveri për t’iu proceduar Kuvendit për miratim.

Një tentativë e tillë, por shihet si përpjekje e Qeverisë për kalim nëpër “rrugë të shkurtër” deri te formimi i Ushtrisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kjo pako përfshin projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Por, këto përpjekje, konsiderohen si vazhdimësi e nismave të mëhershme, të cilat në fund nuk rezultuan me formimin e Ushtrisë, pasi që për themelimin e një force mbrojtëse, do të nevojiten edhe ndryshimet kushtetuese.


Një iniciativë për transformimin e FSK në ushtri e ka ndërmarrë edhe Presidenti Hashim Thaçi dy vite më parë.

Presidenti Thaçi i kishte dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin për FSK-në.
Me anë të këtij ligji parashihej transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës.

Por edhe atëherë edhe tani zyrtarët e NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë shprehën qëndrimin se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, duhet të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera