Lajme

A ka draft për Asociacionin, Kurti: Kam prezantuar draft-vizionin, mund ta thelloj atë nëse ka pajtueshmëri

Autori: Gazeta inFokus 14:02 | 08 June 2023

Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend u pyet nga deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi nëse ka filluar puna për hartimin e draftit të Asociacionit dhe nëse e ka formuar ekipin për ta bërë këtë punë

Kurti nuk tha që ka hartuar një draft të tij siç po i kërkohet nga ndërmjetësit, por tha se ka prezantuar draft-vizionin dhe se për ta thelluar atë fillimisht duhet pajtimi në parim nga pala tjetër.

“Unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të marrëveshjes bazike e në lidhje edhe me nenin 10 për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër që s’e pranoi fare dokumentin e më pas edhe të Brukselit zyrtar që vazhdon ta konsiderojë këtë çështje të hapur. Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit, pra është një çështje e hapur nga pikëpamja e Brukselit për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel dhe i cili përfaqëson shkronjën dhe frymën e Kushtetutës sonë”.

-Advertisement-

Por, Musliu sërish e pyeti se si do të duket statuti i tij.

Në përgjigje Kurti përsëriti se qëndrimi i tij për këtë çështje është publik në dy faqet e publikuara të draft-vizionit të tij të prezantuar në Bruksel.

“Në takimin e fundit më 2 maj unë kam prezantuar draft-vizionin për atë që thuhet në nenin 7 si nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb. Pra, unë kam prezantuar draft-vizionin e si duket ai më së miri e shpjegon teksti dyfaqësh. Pra, porsa të lexohet teksti kuptohet si do të duket në vijim dhe konkretisht unë jam inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare për tri arsye. E para; Kroacia ka dalë nga lufta gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë sikurse Kosova. E dyta; për shkak se Kroacia është shembull suksesi i vendit anëtar në BE dhe NATO. E treta; për shkak se Serbia e ka një marrëveshje tashmë me Kroacinë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ku përfshihen edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.

“Pra, si duket e kam dhënë vizionin. Ai është dy faqe dhe është publik dhe të gjithë mund ta lexojnë atë. Unë këtë mund ta thelloj, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që i kam thënë në Ohër më 18 mars, ne lirisht mund ta thellojmë tekstin, por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilave mund të gjendet mesatarja aritmetikore pa u pajtuar njëherë në pajtim”.

Ndërkaq, Musliu-Shoshi tha se aleatët kërkojnë propozim dhe jo vizion.

“Kemi obligime ligjore sepse jemi shtet i pavarur”, tha ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera