Lajme

A do t’u kthehen qytetarëve 40 milionë euro që iu morën për pagesën e faturave të rrymës në veri

Autori: Gazeta inFokus 13:37 | 12 October 2021

Dëmi i shkaktuar konsumatorëve të pjesëve tjera të Kosovës si rrjedhojë e energjisë elektrike, të cilat nuk iu faturuan konsumatorëve të katër komunave në veri të Kosovës, është përcaktuar nga eksperti financiar Riza Blakaj, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas vendimit, ZRRE detyrohet që të ndërmarr veprime që e shtyjnë KEDS-in, të kthejë në afat prej 15 ditëve të gjithë shumën qytetarëve që ua mori për rrymë në veri, në rast se nuk ka ankesë në Apel.

Mirëpo nga KEDS të hënën e mohuan se do të jenë të obliguar ta bëjnë këtë gjë.

-Advertisement-

Sipas zëdhënësit, Viktor Buzhala, të gjitha vendimet i takojnë ZRRE-së.

Nga ZRRE në seancën e mbajtur konsideruan se një kërkesë e tillë është e papranueshme.

“Konsiderojmë se kërkesa e tillë është e papranueshme dhe si e tillë duhet të hedhet si e palejueshme, pasi që ZRRE vepron vetëm si organ administrativ i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe detyrat e saj janë të përcaktuara me Ligjin për Energji”, tha Ymer Fejzullahu, i autorizuar nga ZRRE.

Suzana Gashi, drejtoreshë e Departamentit për Çështje Juridike, ka thënë në Info Magazinë të Klan Kosovës, që një vendim i tillë shkel disa të drejta të cilat janë të paraqitura në raportin e Avokatit të Popullit.

“Këtë vet pala e paditur nuk e ka mohu, vet pala e paditur e ka pranu që u faturu, esenca ka qenë që një faturim i tillë nuk ka qenë i ligjshëm”, tha ajo.

Qeveria e vendit me 6 maj të këtij viti, ndau 11 milionë euro KOSTT-it, për pagës të rrymës banorëve të veriut të vendit.

Kujtojmë se Gjykata Themelore e Prishtinës të hënën ka vendosur ta anulojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për t’ua paguar rrymën katër komunave në veri të Kosovës gjatë viteve 2012-2017.

Kjo u bë, pas kërkesëpadisë së bërë nga Zyra e Avokatit të Popullit.

“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarr veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga 06.02.2012 e deri më 20.10.2017, në vlerën prej 40.855.480 milionë euro.”, thuhet në vendim./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera