Ekonomi

Si u keqpërdorën 15 milionë euro të Fondit për komunat e veriut? (Dokument)

Autori: Gazeta inFokus 12:56 | 03 March 2020

Mbi 2 milionë euro të Buxhetit të Kosovës ishin ndarë për të ndërtuar terrene sportive në katër fshatra të komunës së Leposaviqit e për ti ndërruar dyert e dritaret në Qendrën kulturore në këtë komunë.

Por me këto para është ndërtuar vetëm një lapidar dhe tri terrene sportive që lënë për të dëshiruar, shkruan gazeta inFokus.

Ndërkaq në Zveçan ishte planifikuar ndërtimi i një qendre rinore dhe shpronësimi i tokës në vlerë prej 355,600 euro. Mirëpo, prej se është blerë toka e deri më tani Komuna e Zveçanit nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të vazhduar me ndërtimin e qendrës rinore.

-Advertisement-

Janë këto vetëm disa nga projektet që u financuan nga paratë e grumbulluara në Fondin Zhvillimorë, i cili dedikohet vetëm për komunat veriore të Kosovës, e që nuk u përfunduan kurrë.

Auditori i përgjithshëm ka gjetur se miliona euro të këtij fondi nuk kanë shkuar për cfarë janë destinuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, shkruan gazeta inFokus.

Auditori ka gjetur se katër komunat e veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq nuk ishin mjaft efikase në vënien në dispozicion të projekteve të financuara nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit e në disa raste nuk ishin efektive.

Gjetjet tregojnë se Komuna e Leposaviqit kishte bërë gjashtë kërkesa për financim të pesë projekteve (njëri projekt ishte financuar në dy faza) gjatë viteve 2015-2018.

“Bordi i kishte miratuar të gjitha kërkesat, vlera e përgjithshme e të cilave ishte mbi 2 milion euro. Me këto mjete, ndër tjera, ishte financuar projekti Ndërtimi dhe renovimi i objekteve për aktivitete kulturore dhe sportive, (aprovuar në shkurt të vitit 2016) në vlerë prej mbi 220,000 euro prej të cilave, deri në kohën e raportimit, ishin shpenzuar 170,000 euro apo 77% e vlerës së përgjithshme të mjeteve”, thuhet në raportin e auditorit, shkruan gazeta inFokus.

Për ndërtimin e tri terreneve sportive ishin shpenzuar mbi 83,000 euro që do të thotë mesatarisht kosto për ndërtimin e një terreni ishte 27,700 euro.

“Përveç këtyre ishin edhe dy terrene për futboll të vogël për ndërtimin e të cilave komuna kishte shpenzuar mbi 95,500 euro (afër 47,000 euro për secilin) e ndërtimi i tyre nuk kishte përfunduar, ende kishte shumë punë të pakryera. Që nga viti 2016, gjendja fizike e tyre kishte degraduar dukshëm që si pasojë komunës mund t’i paraqitet nevoja për të shpenzuar në punë të cilat veçse janë kryer më parë dhe janë paguar”, thuhet në raportin e auditorit, shkruan gazeta inFokus.

Në bazë të fotografive shihet se ky projekt nuk është përfunduar plotësisht e nuk është në dispozicion të qytetarëve dhe nuk dihet se kur do të vazhdojnë punimet për punët e mbetura.

“Dy terrenet për futboll të vogël ende nuk ishin të gatshme për shfrytëzim kështu që nuk mund të flitet për plotësimin e nevojave të qytetarëve”.

Ndërkaq, ndërrimi i dritareve dhe dyerve, ulluqeve në qendrën kulturore nuk kishte ndodhur edhe pse vendimi për të ekzistonte. Shkaku për këtë ishte i panjohur për zyrtarët e komunës.

“Bazuar në po të njëjtën kontratë, Drejtoria për infrastrukturë kishte nxjerrë pastaj edhe një vendim për ndërtimin e një lapidari në vlerë prej 28,000 euro të cilin e kishte përfunduar dhe tani ishte në dispozicion të qytetarëve. Lapidari është i vendosur në një shëtitore në të cilën qytetarët kanë qasje”.

Shpronësimi i dyshimt i tokës për ndërtimin e qendrës rinore në Zveçan

Edhe më keq duket të jetë situata në komunën e Zveçanit.

Për 11 projektet e miratuara, Komunës së Zveçanit iu ishin ndarë mbi 3 milionë euro nga Fondi.

Pjesë e mostrës së auditimit në Komunë të Zveçanit ishin tri projekte “Ndërtimi i qendrës rinore dhe shpronësimi i tokës”, “Zhvillimi urban i zonës së re banuese-Korilje” si dhe “Ndërtimi i rezervarit të ujit të pijshëm”.

“Projekti Ndërtimi i qendrës rinore dhe shpronësimi i tokës në vlerë prej 355,600 euro ka të bëjë me shpronësimin e tokës me sipërfaqe prej 965m2, ku komuna planifikon të ndërtojë një qendër rinore. Procedura e shpronësimit kishte zgjatur rreth një vit e gjysmë, projekti ishte aprovuar në shkurt të vitit 2016 derisa shpronësimi kishte përfunduar në korrik të vitit 2017. Mirëpo, prej se është blerë toka e deri më tani Komuna e Zveçanit nuk kishte ndërmarrë asnjë hap për të vazhduar me ndërtimin e qendrës rinore”, thuhet në raportin e auditorit.

Kjo komunë nga buxheti vetanak nuk kishte ndarë mjete për këtë projekt, e as tek Bordi nuk kishte dorëzuar kërkesë për financim ndonëse i kishte krijuar parakushtet për zbatim, shkruan gazeta inFokus.

“Si rrjedhojë, projekti kryesor të cilin komuna kishte planifikuar ta vë në dispozicion të qytetarëve nuk ishte as në fazën fillestare të zbatimit. Kjo nënkupton se komuna për këtë projekt nuk ishte efektive sepse qytetarët aktualisht nuk kanë kurrfarë dobie nga ai dhe do duhet të presin edhe disa vite deri sa projekti të bëhet i qasshëm për ta”.

Komuna e Mitrovicës Veriore dhe Zubin Potokut duket se i kanë shpenzuar më drejtë paratë e Fondit Zhvillimor.

Auditori, në këto komuna nuk ka gjetur shkelje të mdha, megjithëse ka rekomandime për zyrtarët komunal që të respektojnë procedurat e përzgjedhjes së projekteve dhe afatet kohore për zbatimin e tyre.

ZKA ka vlerësuar se progresi është i limituar dhe mbetet hapësirë për menaxhim më të mirë dhe kontroll financiar gjatë zbatimit të projekteve të financuara nga ky fond.

Auditori ka rekomanduar katër komunat veriore  të përgatisin planet e tyre përkatëse të veprimit për zbatimin  e rekomandimeve të auditimit.

Sa para u mblodhën në Fondin Zhvillimor?

Sipas të gjeturave të Auditorit të Përgjithshëm, që nga themelimi i tij në vitin 2013 e deri me 19 shtator 2019 në Fond ishin mbledhur mbi 15.6 milion euro dhe nga to ishin afër 11 milion euro të alokuara ndërsa ishin shpenzuar 8.6 milion euro, shkruan gazeta inFokus.

“Komunat kishin filluar të shpenzojnë mjetet e Fondit në vitin 2016 kur në Fond ishin në dispozicion mbi 8.5 milion euro. Vitet vijuese Fondi ishte rritur edhe për afër 7 milion euro ndërsa deri më sot (shtator 2019) ishin shpenzuar 8.6 milion euro. Aktualisht, në dispozicion të komunave janë edhe afër 7 milion euro, nga të cilat 3 milion euro tashmë janë të alokuara, dhe mbesin 4.6 milion euro për të cilat komunat do të duhet prezantojnë projekte dhe të garojnë mes vete për të siguruar financim”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas Ligjit të Buxhetit5, të gjitha të hyrat publike të mbledhura nga mallrat e importuara nga bizneset e regjistruara në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, e që janë të destinuara për konsum në këto komuna, do të mblidhen në Fond, shkruan gazeta inFokus.

Mjetet nga Fondi do të transferohen tek komunat përfituese pas miratimit të projekteve specifike nga Bordi i cili përbëhet nga tre anëtarë: përfaqësuesi i BE-së, përfaqësuesi i Ministrisë së Financave (MF) dhe përfaqësuesi i komunave veriore.

Sipas Termave të Referencës6, përmes Fondit financohen projektet e ndërlidhura me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës publike (rrugë, shkolla, spitale etj.), mbështetje të bizneseve, fermerëve dhe shoqërisë civile, promovimin e të drejtave, edukimin, qasjen në kujdesin shëndetësor dhe transport. Secili nga këto projekte është i rëndësishëm për qytetarët prandaj komunat duhet të kryejnë analiza të mirëfillta para se të vendosin se ku do të investojnë mjetet që i kanë në dispozicion, kur përcaktojnë cilat janë projektet më të nevojshme, cili projekt ka prioritet ndaj projektit tjetër./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera