Lajme

Kjo është oferta e “komplikuar” e LDK-së nga e cila nuk po heq dorë

Autori: Gazeta inFokus 17:25 | 21 January 2020

8 janari si duket ishte dita e fundit kur LDK përgatiti ofertën për të nënshkruar marrëveshjen me Vetëvendosjes për koalicion.

Kjo pasi që nga ajo kohë, pavarësisht që pati edhe ofertë të re nga Vetëvendosje, ata nuk ndryshuan qëndrim, shkruan gazeta inFokus.

Madje, nga vendimi i tyre nuk u lëkundën as tash kur Albin Kurti edhe zyrtarisht u dekretua për të krijuar Qeverinë, e që ka kohë 15 ditë.

-Advertisement-

Por, cila është oferta nga e cila partia e Isa Mustafës asesi nuk po lëkundët?

Kjo është e ndarë në 5 pika në terësi, shkruan gazeta inFokus.

“1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

2. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:

a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

3. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

4. Si rezultat i kësaj marrëveshje:

a. Deri në zgjedhjen e Presidentit:
• VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq
• LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
b. Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:
• VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq
• LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.

5. Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme”./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera