Lajme

99 arsyet pse Mimoza Shahini hyri në politikë

Autori: Anita Krasniqi 13:47 | 18 September 2019

Prof. Dr Mimoza Shahini është kandidate për deputete e nominuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shahini punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është profesoreshë në universitetin e Prishtinës dhe të Mitrovicës.

Ajo ka numëruar 99 arsyeje përse hyri në politikë, shkruan Gazeta inFokus.

-Advertisement-

Profesoresha ka trajtuar problematikat më të mprehta sociale, ekonomike e politike me të cilat përballet shoqëria kosovare në tërësi.

Duke filluar nga prindërit të cilët sakrifikojnë jetën për fëmijët e tyre, e duke kaluar te fëmijët gjatë zhvillimit të tyre, Shahini preku temat më të ndjeshme me të cilat përballen këto kategori.

Ajo pati edhe arsyeje për të sapo diplomuarit, të cilët kanë pengesa gjatë studimeve dhe qasjes në punë.

Por as kategorinë e të moshuarve Shahini nuk e la anash.

Njëra ndër arsyejet që ajo hyri në politikë është “për të gjithë të moshuarit që kanë listë në shitoren e bukës”.

E krejt në fund, ajo përmendi se së bashku me kandidaten për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmanin, mund t’i arrij synimet e saj si deputete e ardhshme në Kuvendin e Kosovës.

Lexoni 99 arsyet pse Mimoza Shahini hyri në politikë:

1. Për ju prindër që sakrifikoni jetën tuaj për fëmijët.

2. Për ju që rritët të vetme fëmijët tuaj pa asnjë mbështetje nga shteti.

3. Për të gjithë prindërit që nuk arrijnë ta mbyllin muajin.

4. Për të gjithë ju të moshuar që pensioni nuk ju mjafton as për ilaqe.

5. Për ty nënë që çdo ditë mendon se çfarë mund të gatuash sot për fëmijët e tu.

6. Për çdo fëmijë të abuzuar që përdoret për “Lajm”.

7. Për ty që u braktise në moshën 8 vjeçare nga babai pas vdekjes së nënës dhe duhet të bëje bukën duke hipur në një karrike të vjetër se nuk arrije të përzieje brumin e bukës për të gatuar për vëllezërit e ty.

8. Për ty djali i vogël që ruaje rendin në dyqanin e bukës, dhe askush nuk e vinte re që ishe i turpëruar për ti treguar shitëses që të shihte listën e borgjit.

9. Për të gjithë ju që sapo keni diplomuar dhe nuk e dini se çfarë të bëni me diplomën.

10. Për ju që kur ankoheni për kushtet në fakultet ju trajtojnë pa respekt.

11. Për ju që diplomuat në vendet më të zhvilluara të botës dhe sot nuk jeni të përfshirë në asnjë institucion.

12. Për ju që jetën e rrezikuat në luftë e sot nuk keni mundësi të mbani familjen.

13. Për ju që dhimbja dhe traumat e luftës ju detyruan të vrisni veten.

14. Për ty që e edukon brezin e ri me përkushtim dhe nënçmohesh nga injorantë me diplomë.

15. Për ju Profesor, që përkundrejt kontributit tuaj vdiqët si i panjohur.

16. Për çdo mergimtare që sakrifikoj per te mbeshtetur familjen ne Kosove.

17. Për të gjitha projektet e dështuara nga inkopetenca e institucioneve.

18. Për të gjithë ju që po kërkoni punë jashtë Kosove.

19. Për të gjithë kamarierët e diplomuar.

20. Për ju që rrini në rrugë duke pritur mos ju merr dikush në punë.

21. Për të gjithë ju që duhet të jepni mito për të hyrë në punë.

22. Për ju që duhet të punoni në një profesion që nuk është i juaji.

23. Për çdo prind që investimin më të mirë në fëmijën e tyre e vendosën në një biletë avioni për ta larguar nga Kosova.

24. Për çdo prind që më shikon në sy dhe më pyet “Po tani çfarë duhet të bëj” dhe unë nuk kam përgjigje se nuk ka shërbime për të mbështetur trajtimin e fëmijës.

25. Për ju që jeni të veçantë e të tjerët ju trajtojnë si “të sëmurë”.

26. Për shikimin e çdo nëne që nuk kishte të paguante autobusin për të ardhur deri tek mjeku për fëmijën e sëmurë.

27. Për shikimin e doktorit kur të thotë se nuk ka trajtim në Kosovë.

28. Për shikimin e turpëruar të infermieres kur të ofron letrën ku shkruhen ilaçet që duhet ti blesh jashtë spitalit.

29. Për ju që shisni cigare mbas shkollës për të mbështetur trajtimin e nënës që vuan nga kanceri.

30. Për ju që duhet të kërkoni ndihmë për mjekimin e familjarin tuaj të sëmurë.

31. Për ju që ndërsa merrni kimioterapi, mendoni se çfarë të shisni për të mbështetur trajtimin.

32. Për ju që mendoni të shisni edhe shtëpinë për trajtimin e familjarit tuaj.

33. Për ju që nuk keni mundësi ti blini fëmijës një palë syze.

34. Për ju që nuk keni mundësi të bleni aparatin e dëgjimit për fëmijën që nuk dëgjon.

35. Për të gjithë ju që me shërbeni si shëmbull në rrugëtimin tim.

36. Për ju vjehrri im Gani Shahini, që gjithë jetën ja kushtuat Kosovës, si në LDK, Pajtimin e gjaqeve e në shumë ndërmjetësime e në fund vdiqët nga një infeksion spitalor. Do doja qe te ishit krenar per mua.

37. Për ju kunati im që rininë tuaj më të mirë e kaluat në burgjet e Serbisë, e tani prisni një vend pune.

38. Për ju kunati im që gjithë jetën ja kushtove ndihmës ndaj njerëzve të varfër, përmes Kryqit të Kuq, dhe tre fëmijët i keni të papunë.

39. Për ju nipat e mi që të jetoni në një Kosovë më të mirë.

40. Për ju që drejtësia është selektive.

41. Për vështrimin e vajzës 8 vjeçare të abuzuar seksualisht nga mësuesi, i cili lirohet pas pak muajsh.

42. Për vështrimin e fëmijës së braktisur nga prindërit e papërgjegjshëm.

43. Për të gjithë fëmijët që duhet të rrinë në shtëpi në moshën 1-5 vjeçare se nuk ka çerdhe dhe kopësht.

44. Për vështrimin e fëmijës që po shet dhe nënçmohet nga ai që është ulur dy orë me një kafe.

45. Për të gjithë ju që zgjatni dorën çdo ditë për të kërkuar lëmoshë.

46. Për ju që morët rolin e babit të vdekur që në moshë të vogël dhe nuk njohët fëmijëri.

47. Për ty që për shkak të varfërisë të përdorën për trafikim njerëzor.

48. Për ty nënë, që tejkalove moralin e rrejshëm të bashkëfshatarëve të tu për të mbështetur vajzën tënde në të drejtën e saj për mbrojtje nga abuzuesi.

49. Për ju që denonconi burrin tuaj abuziv dhe gjykatësi ironizon.

50. Për ty polic që mbete në karrocë në krye të detyrës dhe askush nuk kujtohet të të mbështesë.

51. Për ju fëmijë e të rritur që kaloni në urën e Emshirit duke rrezikuar jetën në ditët e ftohta të dimrit.

52. Për ju që kur lindët vajza nuk jua uruan lindjen e tyre.

53. Për ju që gruaja është abuzive e nuk mund ta raportoni për shkak se paragjykoheni.

54. Për çdo burrë të dhunuar gjatë luftës, të cilit nuk ju dha e drejta kurrë për të folur as me bashkëshorten e tij për shkak të turpit.

55. Për ty nënë që tu desh të ballafaqoheshe me thashetheme e akuza të pashembullta ndërkohë që sakrifikoje për ti siguruar fëmijës tënd trajtimin e duhur.

56. Për ju që meritoni respekt, e trajtoheni pa dinjitet.

57. Për ju që jetën ja kushtuat familjes, dhe me vdekjen e burrit ju nxorrën nga shtëpia me një bohqe në dorë.

58. Për ju që me vdekjen e bashkëshortit nuk ju dha e drejta e pasurisë.

59. Për të gjitha ju që u diskriminuat brenda familjes suaj pse ishit “femër”.

60. Për ju që të vetme rritët fëmijët dhe vazhdimisht u përballët me paragjykime.

61. Për ty 5 vjeçar që gjykata vendosi të të kthente tek nëna abuzuese, pasi ajo veç ta kishte shpjeguar se bënte seks me para për të të blerë bukën që ti e haje.

62. Për të gjithë ju që në ditën e rrogës duhet të mendoni se a do të arrini ti lani borgjet e muajit.

63. Për ju që me karrocë prisni në treg gjithë ditën për të fituar sadopak për familjen tuaj.

64. Për të gjithë të moshuarit që kanë listë në shitoren e bukës.

65. Për ju të moshuar që rendni nga një kafe në tjetrën për ta gjetur sa më lirë.

66. Për ju që për të marrë një ndihmë sociale duhet të silleni nga një mjek në tjetrin.

67. Për ju që nuk e përdorni ndihmën sociale për të mbështetur trajtimin e femijës pasi ju nevojitet për të ushqyer familjen.

68. Për ju që tokën nuk e punoni se nuk keni me çfarë ta punoni.

69. Për ju që kaloni çdo ditë buzë tokës suaj të djerrë se nuk ka kush ta punojë.

70. Për të gjithë ju që ju dha mundësia të zgjidhni një vend jashtë Kosove, por e refuzuat që kontributin tuaj ta jepni këtu në vendin tonë.

71. Për ju që mësoni shumë e injorantët ju quajnë “të sëmurë”.

72. Për ju që studioni ditën e punoni gjithë natën për të mbështetur famijen dhe përfunduar studimet.

73. Për të gjithë studentët që universitetin e kanë vendin ku rriten profesionalisht dhe individualisht, dhe jo për të marrë një copë letër të quajtur DIPLOMË.

74. Për ty që të duhet të paguash nga xhepi yt për punë shkencore, se mbështetja financiare është për ata që i shërbejnë sistemit.

75. Për ty që kur shkon në provim, ballafaqohesh me kërkesa seksuale nga mësimdhënësi.

76. Për ju që nënçmoheni çdo ditë nga politikanë fodull dhe hipokrit.

77. Për ju që politikën e shihni si vendin e promovimit personal.

78. Për ju që në politikë keni hyrë aksidentalisht.

79. Për ju që për herë të parë zëri ju është dëgjuar në parlament.

80. Për ju që duhet të fikni televizorin, se fëmijët dëgjojnë gjuhë vulgare nga parlamentarët.

81. Edhe për ju që kur kritikova në internet, më thatë të kthehesha nga kisha ardhur.

82. Për ju që duhet të prisni me orë për të aplikuar në ambasada.

83. Për ju që duhet të mësoni gjermanisht, suedisht etj. për tu larguar sa më parë nga Kosova.

84. Për ju që rrezikuat jetën për të kaluar kufirin në një kërkim të një jetë më të mirë.

85. Për ju që jetoni ne diaspor dhe kur vini në Kosovë trajtoheni si të huaj.

86. Për ju që jeni lënë në harresë edhe pse kontribuat gjithë jetën tuaj.

87. Për ju që punoni ditë e natë për ti shpëtuar jetën të tjerëve dhe maltretoheni nga njerëz të frustruar.

88. Për ty shoqja ime që me përkushtimin tënd ndaj studentëve kontribuon që ata të marrin më të mirën e mundshme.

89. Për ty shoqja ime që nuk të mungon pasioni për te ndihmuar fëmijët në nevojë.

Për ty shoqja ime, ku interesi i fëmijëve vjen para interesit personal.

90. Për të gjithë ju që më bëni të ndihem krenare me arritjet tuaja.

91. Për ty bashkëshorti im që më mbështet dhe përkrah në këtë vendim.

92. Për ju djemt e mij që mendoni se mund të jem një politikane e drejtë.

93. Për ju prindërit e mij që u brengoset shumë kur morët vesh se dua të përfshihem në politikë.

94. Për të gjithë ju familjarët e mij që me besoni.

95. Për të gjithë ju që më përkrahni.

96. Për ju që më përshëndesni çdo mëngjes ndërsa shkoj në punë.

97. Se besoj në fuqinë e grave, përkundër paragjykimeve.

98. Se kam besim të plotë në Zj. Vjosa Osmani.

99. SEPSE E DUA KOSOVEN

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera