Ekonomi

Kosova “parajsë” e bankave, borxhlinjtë më të mirë në rajon

Autori: Sylejman Sylejmani 14:58 | 24 November 2018

Kosovarët mbajnë vendin e parë në rajon, si borxhlinj të mirë të bankave.

Nga mbi 3 miliardë euro sa kanë marrë hua në institucionet financiare, deri në muajin tetor të 2018, vetëm 2.7 për qind e qytetarëve nuk i kanë kthyer kreditë në kohë, shkruan Gazeta inFokus.

Megjithatë, sipas njohësve të ekonomisë kjo po del se nuk ndodhë për shkak të ndonjë mentaliteti të veçantë nga të tjerët, por nga kushtet e vështira për të marrë kredi nëpër banka.

-Advertisement-

Në përmirësimin e gjendjes së kredive të këqija, sipas profesorit universitar të ekonomisë, Berim Ramosaj ka ndikuar shumë politika konservative e BQK-së.

“Duke u nisur nga politika e BQK-së, autoritetit bankar që është në Kosovë, prej pasluftës e këndej ky insitucion ka qenë shumë konservativ në kuptimin e marrëdhënies që e ka me bankat komerciale dhe të tjera”, thekson Ramosaj.

Andaj kjo, sipas tij, ka reflektuar që edhe bankat e rendit të dytë dhe të tretë të kanë politika të kreditimit shumë konservative të kuptimit të asaj që nuk japin kredi pa dëshmi shumë të fuqishme, qoftë për pronarin qoftë për biznesin, qoftë për personin fizik apo juridik i cili në njëfarë forme dëshmon se është i gatshëm ta kthejë borxhin e kërcyer.

Edhe profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa thekson se bankat janë të detyruara të jenë konservative, për shkak se janë të imponuar nga BQK-ja.

“Bankat janë të detyruara të jenë konservative, apo thënë të jenë të kujdesshme, për arsye se banka qendrore ka imponuar një diciplinë të madhe në dhënjen e kredive dhe në qoftë se shkelin ato rregullat atëherë mund të marrin dënimeve nga banka qendrore. Gjithashtu është krijuar një sistem i mirë i informacionit i organizatave dhe njerëzve që marrin kredi. I kanë informatat, nëse njëra bankë ka dështu, atëherë të gjitha bankat e tjera e kuptojnë këtë gjë dhe nuk i japin kredi më”, tregon Mustafa.

Megjithatë, kjo politikë konservative përveç të mirave, sipas këtyre ekspertëve ka edhe shumë anë të tjera negative, shkruan gazeta inFokus.

Njëra prej tyre është se bizneset nuk mund të përfitojnë lehtë kredi, si dhe bankat ofrojnë më pak produkte.

“Efektet negative janë se nuk po plasojnë produkte shumë fleksibile për bizneset që ju mundësojnë bizneseve me hy në çdo kohë dhe në çdo formë në marrëdhënie huadhënëse dhe huamarrëse. E ka efektin negative se plasimi i kredive është në shkallë më të ulët, produkte kanë më pak dhe në njëfarë mënyre nuk ndihmojnë bizneset sa duhet”, thekson ai.

Ndërkaq zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti ka deklaruar për inFokus se përqindja e kredive joperformuese ka rënë dukshëm nga kjo periudhë e vitit të kaluar.

“Cilësia e kredive ka pasur përgjithësisht ecuri pozitive. Raporti i kredive joperformuese në muajin tetor 2018 ka qenë 2.7%, duke shënuar rënie nga 3.6% sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çka tregon se ecuria në cilësinë e kredive në sektorin bankar ka treguar përmirësim të theksuar përgjatë periudhës njëvjeçare”, ka thënë Ahmeti. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera