Akuzohet për vjedhje të rrymës, Ramiz Kelmendi nuk paraqitet në gjykatë
Autori: Gazeta inFokus 12:13 | 11 September 2018
Ka dështuar fillimi i shqyrtimit gjyqësor në rastin në të cilin deputeti aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramiz Kelmendi, është duke u ngarkuar me akuza për vjedhje të rrymës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, gjykimi ndaj Kelmendit ka filluar sipas aktakuzës së prokurorisë e cila pretendon se në vitin 2012, kompania ETC, të cilën e drejton Kelmendi, për shkak të dyshimit se prej datës së pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, ka keqpërdorur energjinë elektrike, duke dëmtuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në shumën prej 22.801.19 euro.
Shkak i shtyrjes së seancës së kësaj të marte ishte mungesa së të akuzuarit Kelmendi.
Gjykatësi Rrustem Begolli, e njoftoi prokurorin Shkelzen Ibrahimi dhe dëshmitarët Sheqri Demiri dhe Hajrullah Pronaj, se në gjykatë, më 10 shtator 2018 është pranuar një shkresë nga përfaqësuesja e ndërmarrjes “ELKOS GROUP”, të cilën e drejton Kelmendi, me të cilën ka kërkuar që të shtyjë këtë seancë, me arsyetimin se i akuzuari në javën e ardhshme do të bëjë një ndërhyrje kirurgjike dhe për këtë duhet të pushojë.
“Me anë të kësaj parashtrese ju njoftoj se i pandehuri Ramiz Kelmendi, javën e ardhshme do ti nënshtrohet operacionit për transplantim jashtë vendit, andaj sipas udhëzimeve të mjekut i duhet të pushoj dhe të përgatitet psiqikisht. Për këtë arsye kërkoj nga Gjykata shtyrjen e seancës së dt.11.09.2018”, thuhet në parashtresën të cilën e ka dorëzuar në gjykatë përfaqësuesja e Elkos Group.
Ndryshe, në prill të këtij viti, pavarësisht se Prokuroria e Apelit, kishte kërkuar që për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale, të pushohet procedura ndaj pronarit të kompanisë “Elkos”, njëherësh deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj tij.
Kjo gjykatë, me aktvendim e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e të akuzuarit Kelmendi për hudhjen e aktakuzës dhe pushimin e procedurës ndaj tij të ushtruar kundër ish-Prokurorisë Komunale në Prishtinë si dhe gjithashtu si të pabazuar e kishte vlerësuar edhe kërkesën e Prokurorisë së Apelit për pushimin e procedurës ndaj të akuzuarit Kelmendi.
Sipas aktvendimit të gjykatësit Rrustem Begolli, që e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kjo gjykatë ka gjetur se pretendimet e Prokurorisë së Apelit nuk qëndrojnë me arsyetimin se vepra penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 253, paragrafi 2, pika 1. lidhur me paragrafin 1 të KPK-së, është e dënueshme nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe bazuar në nenin 90, paragrafi 1, nënparagrafi 4, është pesë vjet nga kryerja e veprës penale së dënueshme më shumë se tre vjet burgim, ndërsa sipas nenit 91, paragrafi 6 të KPK-së “ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit (ndalesa absolute mbi ndjekjen penale).
“Pas analizimit dhe shqyrtimi të shkresave të lëndës, gjykata ka gjetur se kërkesa e të pandehurit në këtë fazë të procedurës penale për hedhje të aktakuzës nuk mund të aprovohet, për arsye se gjendja faktike për ekzistimin ose jo të veprës penale, do të vërtetohet pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, në të cilin shqyrtim duhet të merren në pyetje dëshmitarët Shaqir Demiri dhe Hajrullah Pllana, punëtorë të KEK-ut, distrikti në Prishtinë”, thuhej në aktvendim.
Gjithashtu, aty thuhet se në procedurën e provave do të bëhet shikimi i disa procesverbaleve, rrjedha e njehsorit të energjisë elektrike aktive, disa raporte, fatura e departamentit të faturimit dhe inkasimit e të tjera.
Sipas këtij aktvendimi, gjykata duhet të konstatojë se kush ka qenë përgjegjës në kohën e kryerjes së veprës penale, pasi që në seancën e dytë, të mbajtur më 23 prill 2018, i akuzuari Ramiz Kelmendi, ka deklaruar se në atë kohë përgjegjës kanë qenë Driton Rrahmani dhe Agron Bajraktari. Për të vërtetuar pretendimin e të akuzuarit, në aktvendim thuhet, se gjykata duhet t’i marrë në pyetje Rrahmanin dhe Bajraktarin.
Prokuroria e Apelit kishte dal kundër ish-Prokurorisë Komunale në Prishtinë, e cila më 12 dhjetor të vitit 2012, kishte ngritur aktakuzë ndaj pronarit të kompanisë “Elkos”, njëherësh deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, i cili akuzohet për vjedhje të rrymës.
Prokurori i kësaj prokurorie, Enver Sokoli, më 22 shkurt të këtij viti, i është drejtuar Gjykatës së Apelit, me propozimin që aktakuza ndaj Ramiz Kelmendit të ndryshohet, të hudhet poshtë dhe të pushohet procedura penale.
Në këtë shkresë të prokurorit, drejtuar Gjykatës së Apelit, që e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, ky propozim arsyetohej me faktin se në këtë çështje ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, pasi që nga ngritja e aktakuzës, më 12 dhjetor 2012, e deri te veprimi i parë i gjykatës së shkallës së parë, më 21 dhjetor 2017, kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet.
Kjo Prokurori, siç thuhej në shkresën e saj, konsideronte se në rastin konkret ka ardhur deri te parashkrimi absolut i ndjekjes penale, për të cilën edhe gjykata e shkallës së dytë kujdeset sipas detyrës zyrtare.
“Duke pasur parasysh nenin 106, par1, pika 1.5 të KPRK-së, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse ka kaluar 3 vjet nga kryerja e veprës penale, e dënueshme me më shumë se 1 vit burgim, ndërsa neni 107, par8 të KPRK-së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit, meqenëse, dyshohet se vepra penale është kryer deri me datë 30.06.2011, e deri me datën e sotit nuk ka aktgjykim të formës së prerë dhe se prej datës së kryerjes së veprës penale ka kaluar më shumë se 6 vjet, konsideroj se në rastin konkret ka ardhur deri te parashkrimi absolut i ndjekjes penale dhe në këtë mënyrë konsideroj se është shkelur dispozita e ligjit penal, për të cilat shkelje edhe kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare”, thuhej ndër të tjerash në shkresën e prokurorit të shtetit, Enver Sokoli drejtuar Gjykatës së Apelit.
Kurse, në bazë të vendimit të 26 shkurtit 2018, të Gjykatës së Apelit, që gjithashtu e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë kishte marrë vendim me anë të së cilit kishte aprovuar ankesën e Kelmendit dhe kishte anuluar vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer rastin në rivendosje.
Sipas Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsyetim bindës, kur ka hedhur poshtë pretendimet e Kelmendit se për akuzën e prokurorisë, nuk është ai përgjegjës, por nëse ka përgjegjësi penale këtë duhet të kenë personat përgjegjës të kompanisë së tij.
“Gjykata e shkallës së parë përkundër asaj që i pandehuri ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës, me pretendim se për të gjitha pikat e biznesit të tij janë angazhuar personat e autorizuar me kontrata pune, e të cilat sipas të pandehurit duhet të japin përgjegjësi, nëse ka përgjegjësi penale në rastin konkret, e ka refuzuar kërkesën e të pandehurit pa një arsyetim bindës, por vetëm duke konkluduar se për ekzistimin apo jo veprës penale në fjalë do të vërtetohet në shqyrtimin kryesor”, thuhej me tej në vendimin e Apelit.
Sipas Gjykatës së Apelit, veprimet për të cilën akuzohet Kelmendi është një vepër që mund ta kryejnë edhe shumë persona tjerë.
“Kolegji penal i kësaj gjykate, vlerëson se konkludimi i gjykatës së shkallës së parë në rastin konkret nuk është i drejtë, për shkak se gjykata nuk është lëshuar fare në faktet kyçe që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë nëse është kryer vepra penale e vjedhjes së rënd nga i pandehuri apo jo, sepse sipas dispozitave ligjore veprimet inkriminuese të pretenduara në aktin akuzues janë veprime që mund t’i kryej çdo person që do të thotë poseduesi i njësorit, mirëpo në rastin konkret nuk përjashtohet mundësia që kryerës i kësaj vepre penale të jetë edhe personi tjetër i cili vepron në interes të shfrytëzuesit të njësorit, pra personi i cili ka autorizim përkatës për përkujdesje në lami të caktuara. Duke pasur parasysh faktin se i pandehuri është pronar i kompanisë “Elkos” përfshin disa pika punuese në tërë territorin e Kosovës, si dhe duke pasur parasysh edhe faktin se nëpër të gjitha pika e tij punuese i ka të angazhuar personat përgjegjës, gjë që ofron edhe prova konkrete në këtë rast dhe atë kontratat e punës, atëherë del se përgjegjës për veprimet e pretenduara inkriminuese mund të bien në barrën e personave përgjegjës të cilët posedojnë kontrata të punës dhe në bazë të kontratave kanë përgjegjësi për punën e tyre, prandaj kjo gjykatë vlerëson se pretendimet ankimore te të pandehurit në këtë drejtim janë të bazuara”, thuhej në vendimin e Apelit, të 26 shkurtit 2018.
Gjykata e Apelit, po ashtu kishte kërkuar nga gjykatësi i rastit që t’i evitojë shkeljet e gjetura nga kjo gjykatë, që të vlerësojë kundërshtimet dhe ankesën e Kelmendit dhe të ketë parasysh propozimin e Prokurorisë së Apelit.
“Ne rivendosje gjyqtari i çështjes duhet t’i eviton shkeljet e theksuara më lartë, të vlerësoj edhe provat e ofruara nga i pandehuri dhe si pas nevojës të ketë parasysh edhe pretendimet tjera ankimore në ankesë, si dhe propozimin e Prokurorit të Prokurorisë së Apelit, e pastaj të merr vendim të drejtë dhe të bazuar konform dispozitave ligjore”, thuhej në përfundim të Gjykatës së Apelit.
Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mbajtur seanca fillestare më 21 dhjetor 2017, dhe shqyrtimi i dytë më 29 janar 2018, në të cilat Kelmendi e kishte mohuar fajësinë dhe kishte kërkuar që gjykatësi Rrustem Begolli ta hedh aktakuzën ndaj tij.
Gjykatësi Begolli, më 29 janar 2018, kishte refuzuar kundërshtimet e Kelmendit dhe në këtë mënyrë kishte konfirmuar aktakuzën.
Sipas arsyetimit të vendimit të Begollit që e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhej se pas analizimit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjykata ka gjetur se kërkesa e të pandehurit Kelmendi në këtë fazë të procedurës penale për hudhje të aktakuzës, nuk mund të aprovohet, për arsye se gjendja faktike për ekzistimin ose jo të veprës penale, do të vërtetohet pas shqyrtimit gjyqësor.
Kundër këtij vendimi, Kelmendi i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit me pretendimin se shkalla e parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.
Kelmendi kishte propozuar që Apelit ta ndryshojë vendimin e gjykatësit Begolli dhe ta hedh aktakuzën si të pabazuar.
Kelmendi në kundërshtimet e tij kundër aktakuzës kishte theksuar se e gjitha kjo është shkaktuar nga zyrtarët e KEK-ut, të Distriktit në Prishtinë, me qëllim që atij t’i shkaktohet dëm dhe të njolloset emri i tij.
Ndërkaq, në seancën e shqyrtimit të dytë, prokurori Menduhi Kastrati, i cili e kishte ngritur aktakuzën ndaj Kelmendit, kishte thënë se kundërshtimet e Kelmendit kundër aktakuzës janë të pabaza dhe kishte kërkuar nga gjykatësi Begolli që të refuzojë kundërshtimet e Kelmendit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar parashtresën e të akuzuarit që ka të bëj me kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës. Ne kemi analizuar parashtresën e të akuzuarit dhe në seancën e sotme gojarisht deklarohemi duke e kundërshtuar të njëjtën parashtresë. I akuzuari në parashtresën e tij i ka bashkangjitur disa prova që nuk janë në relevancë, si p.sh ka paraqitur listë me cilën dëshmohet se ka qenë deputet i legjislaturës së 4, pastaj, një kopje të numrit të biznesit, një informacion mbi regjistrimin e biznesit, transaksionet e konsumatorit, të lëshuar nga pala e dëmtuar dhe po ashtu një kontratë pune të një punëtori që punon në kuadër të biznesit të tij”, kishte thënë prokurori Kastrati.
Kastrati kishte deklaruar se aktakuza ka prova të mjaftueshme të bashkëngjitura që vërtetojnë dyshimin e bazuar, me ç’rast i ka kërkuar gjykatës që të vendos me aktvendim për refuzimin e kërkesës për kundërshtim të provave dh hedhjen e aktakuzës.
Sipas aktakuzës së 12 dhjetorit 2012, të cilën gjithashtu e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, Kelmendi akuzohet për veprën penale “vjedhje e rëndë”, për shkak të dyshimit se prej datës së pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë Kosovë, pronë e Kelmendit ka bërë keqpërdorim të energjinë elektrike.
Prokuroria pretendon se kur punëtorët e KEK-ut kanë shkuar për të bërë kontrolle në atë kompani kanë hasur se i pandehuri me qëllim të vjedhjes ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, duke mos regjistruar dy të tretat e energjisë, pasi aty janë gjetur dy transformator të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, ndërsa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.
Në bazë të aktakuzës, me këto veprime, dy të tretat e energjisë elektrike nuk ishte regjistruar, me ç’rast KEK-ut i është shkaktuar dëm në vlerë prej 22.801.19 euro.
Të tjera
-
Bedri Hamza iu premton rahovecasve lidhje të kësaj komune me Autostradë
Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza,...
-
KFOR-i thotë se situata përgjatë kufirit Kosovë-Serbi është e qetë
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmua...
-
Përurohet QKMF-ja në Mamushë, Kurti: Do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore
Sot është bërë përurimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në M...
-
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova
Autoritetet e Kosovës ia kanë refuzuar kërkesën për azil Sitora Atomamado...
-
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri nga ta lëndohet nga mjeti i mprehtë
Një përleshja ka ndodhur sot në sheshin ‘Adem Jashari” në Skenderaj, ku d...
-
Erëra të forta e shi orët në vijim, komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët: Reduktoni lëvizjet
Komuna e Prishtinës ka dalë me një paralajmërim për orët në vijim për shkak t...
-
Fitoi me çmim më të lartë prej 300 mijë eurove, Bulliqi e shpërblen me tender milionësh biznesmenin e afërt me VV-në
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka shpërblyer edhe njëhe...
-
Krasniqi: Sfidat e mësimdhënësve do të përfundojnë pas 9 shkurti me PDK-në në krye të Qveverisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me Abelard ...
-
KFOR-i as pohon e as mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
Radio Evropa e Lirë) – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka...
-
Të shtunën ndërpritet për një orë trafiku nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë e deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik
Ministria e Infrastrukturës njofton se nesër në trasenë e Zgjerimit të Rrugës...
-
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri të Gjuhës Shqipe
Sot është dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili 116 vite më parë u unifik...
-
Konjufca pret në takim delegacionin nga Azia Jugore, diskutuan për rritje bashkëpunimi mes të dyja vendeve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delega...