Lajme

Ramadani: Gabimet e Fatos Lubonjës te arti i politikës dhe politika e artit

Autori: Gazeta inFokus 22:58 | 07 August 2018

Ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, nuk e kishte pritur mirë analisti politik, Fatos Lubonja i cili e kishte kritikuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, se iu kishte gëzuar ndërtimit të një baze ushtarake, ndonëse është artist – e që sipas Lubonjës, artistët janë pacifistë.

Megjithatë, kundër këtyre konceptimeve të Lubonjës mbi artistët dhe politikanët, ka dalë njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, i cili për artin thotë se në rrethana të caktuara shërben si forcë ndryshuese dhe i cili “mund të përkthehet në rezistencë kundër shtypjes dhe të inspirojë edhe përpjekje të dhunshme në rrethana të caktuara”.

Lubonja, sipas Ramadanit, nuk arrin po ashtu ta shohë edhe anën artistike të politikanëve të cilët e konsolidojnë vendin e tyre me marrjen e vendimeve frytdhënëse.

-Advertisement-

Më poshtë keni shkrimin e plotë të Ramadanit:

Pak për Lubonjën

Ditën e djeshme u përhap lajmi se NATO po planifikon të ndërtojë një bazë ushtarake në Kuçovë të Shqipërisë. Nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i Fatos Lubonjë që tha se “Shqipëria do të bënte gabim sikur të pranonte një gjë të tillë”.

Mes tjerash, ai tha që “Edi Rama është një artist qesharak sepse artistët nuk ndërtojnë baza ushtarake”.

Në këtë prononcim të Lubonjës mund të identifikohen një sërë gabimesh.
Gabimi numër një është kur ai thotë që “Edi Rama është qesharak sepse pretendon të jetë artist, e në anën tjetër po ndërton baza ushtarake. Artistët janë kundër luftës.”

Ideja se artistët janë a-priori kundër luftës është e pabazë dhe madje qesharake. Nuk ka një lidhje intrinsike mes artistit dhe paqes. Madje lehtë mund të argumentohet se arti është rrezik për “rendin aktual të gjërave”.

Çfarë e bën skandaloze një deklaratë të tillë është vetë fakti që kërkon nga një lider shtetëror të mendojë si artist e jo si politikan që synon të maksimalizojë interesat shtetërore në harmoni me vlerat liberale dhe demokratike. Kjo tregon për joseriozitetin e Lubonjës.

Por të kthehemi prapë tek karakteri politik i artit. Kënga, letërsia, piktura e skulptura janë të lidhura me revolucionet politike që liberalizuan botën. Me të drejtën për të thënë gjithçka në publik pa u përndjekur e burgosur.

Nën pretekstin e fiksionit dhe imagjinatës, arti është në gjendje të thotë gjithçka dhe është i pandashëm nga liria e shprehjes dhe nga të drejtat e njeriut, të fituara në dy shekujt e fundit.

Kësisoj, arti ia mundëson njeriut të shtrojë pyetje që institucione të caktuara nuk duan t’i dëgjojnë në gjuhë eksplicite politike e filozofike. Arti është në të njëjtën kohë filozofik, demokratik dhe politik dhe si i tillë ka hisen e vet në shumën e vlerave dhee besimeve, dhe në relacionet ndërmjet tyre.

Arti ka kapacitete kreative që sapo të lirohen, mund të transformojnë botën përreth. Kjo është arsyeja e cenzurës: një mekanizëm për të futur në karantinë forcën ndryshuese të artit. Cenzura është ajo që e bën artin edhe më radikal sepse e bën më të vetëdijshëm artistin për kapacitetet e tij transformuese.

Arti mund të përkthehet në rezistencë kundër shtypjes dhe të inspirojë edhe përpjekje të dhunshme në rrethana të caktuara. Lubonja është i njëjti njeri që akuzon Ismail Kadarenë se nuk e ka përdorur letërsinë e tij si rrugë për disidencë ndaj aparaturës enveriste.

Po të mos kishte arti forcë ndryshuese, një akuzë e tillë nuk do të mund t’i bëhej Kadaresë (edhe pse për ketë tashmë ka studiues seriozë që thonë diçka ndryshe në krahasim me Lubonjën). Shkurt, arti është shumë më shumë se paqe.

NATO është organizata që mbron liritë dhe të drejtat e njeriut së paku në vendet e saj anëtare. Artisti nuk duhet të ketë frikë nga kjo.
—————-

Inkonsistenca e tij e dytë dhe më serioze është se ai flet ditë e natë se si në Shqipëri nuk ka ndryshuar mentaliteti i kohës së partisë, se si ende politikanët e Shqipërisë janë enveristë edhe sot. Ai flet poashtu flet pareshtur për nevojën për t’i ikur hijes së enverizmit.

Ndërkohë që pikërisht komentet e tij janë shenjë se ai është zgjatim i botëkuptimeve të cilat ai pretendon se i lufton. Refuzimi për t’u integruar më shumë në organizatat euro-atlantike që mbrojnë demokracinë, liberalizmin dhe të drejtat e njeriut është një rrem enverist që ka frikë nga thellimi i ndërveprimit me botën e lirë.

Demokracitë perëndimore fatkeqësisht nuk ekzistojnë në një vakum idealist ku nuk ka nevojë për ushtri e polici. Krejt e kundërta. Ato ekzistojnë në një rend ndërkombëtar ku intereset e akterëve të ndryshëm prodhojnë tensione që duhen menaxhuar e zgjidhur, herë me dialog, herë me forcë (si në Kosovë). Si të tilla, atyre u duhet edhe NATO-ja që mban barazpeshën e sigurisë.

Integrimi i shtuar është konsolidim i vendit të cilin Shqipëria është duke e bërë në mesin e vendeve demokratike dhe liberale. Kjo nuk duhet t’i pengojë Fatos Lubonjës që e paraqet veten si as të lirisë e demokracisë.

NATO nuk është thjesht një kazermë ku banon një ushtri e papërnunar politikisht. NATO është një organizatë që mbron vlerat më të larta njerëzore, pa të cilat bota do të ishte vend shumë më i keq.

Lubonja thotë se integrimi i mëtejshëm në NATO e bën Shqipërinë më të cenueshme përballë sulmeve terroriste dhe tregon për mungesën e tij të informacionit. Përkundrazi, me këtë lëvizje Shqipëria e ulë rrezikshmërinë e sulmeve të tilla. Shqipëria është veçse pjesë e agjendës anti-terror të NATO-s.

Për më tepër, ajo është vendi i vetëm në rajon me Qendër Nacionale për Deradikalizim dhe që e ka pasur performancën ndërkombëtarisht të vlerësuar. Më tej, nuk ka një korrelacion të drejtë mes anëtarësisë në NATO dhe sulmeve terroriste.

Gjermania ka bazë amerikane në territorin e saj, por Franca është vendi që është sulmuar më së shumti nga terroristët. Turqia është vend i NATO-s, por është qesharake të thuhet se është sulmuar nga terroristët për shkak që është vend anëtar në NATO.

Por hajde ta zëmë se rritet rreziku për sulme të tilla! Lubonja paska një kanar një-dimensional të sigurisë. Duke vënë theksin veç në rrezikun e terriorizmit, Lubonja injoron faktin se prania më e madhe e NATO-s në vend i jep siguri më të madhe Shqipërisë dhe zbon rreziqet nga sulmet e akterëve tjerë. NATO ofron një komoditet afatgjatë strategjik në të ardhmen.

Integrimi i avancuar i Shqipërisë në konglomeratin e institucioneve euro-atlantike është edhe një trend solid dhe pozitiv rajonal. Vetëm shikoni situatën gjeo-politike para 30 viteve dhe krahasone me të tanishmen!

Në vitin 1990, përjashto Greqinë, secili vend në regjion ishte komunist ose socialist. Ballkani ishte i zhytur në tensione të papara. Për një dekadë kishin ndodhur 4 konflikte brutale.

Lubonja duhet ta ketë parasysh se shtetet ishin të paintegruara në NATO dhe BE. Ishin neutrale dhe përveç problemeve mes vete, asgjë nuk i lidhte. Sot harta gjeo-politike është ndryshuar ndjeshëm.

Pas përfundimit të luftërave me ndërjmetësim dhe intervenim të NATO-s, vendet e rajonit janë më demokratike, më liberale dhe të gatshme të braktisin pozicionin e neutralitetit dhe të integrohen në BE dhe NATO.

Dikush futet më parë në NATO e pastaj në BE, dikush më parë në BE e pastaj në NATO, varësisht prej dinamikave e trendeve të brendshme dhe kompleksitetit të kontesteve bilaterale.
Por habitë fakti se si Lubonja injoron faktin se asnjëherë në shekullin e fundit nuk ka pasur më pak tensione bilaterale sesa tani. Poashtu, asnjëherë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë qenë më demokratike e më të lira se sot.

Mali i Zi e Shqipëria veç janë në NATO, ndërkohë që Maqedonia mori këto ditë ftesën për anëtarësim. Mali i Zi i shpëtoi dominimit rus dhe tani është një zonë nën kontrollin e NATO-s. Maqedonia dhe Greqia zgjodhën problem e vjetër rreth emrit. Kjo tregon për kapacitetet reformuese të BE-së dhe NATO-s.

Jo rastësisht Rusia u mundua që të bllokojë gjetjen e zgjidhjes për emrin. Asaj nuk i pëlqen integrimi i Ballkanit në BE dhe NATO. Afrimi i tij me BE-në do të thotë nullifikim i levave të saj të ndikimit.

Për këtë arsye, Greqia dëboi dy diplomatë rusë nga vendi për shkak të interferimit negativ në procesin e rëndësishëm për paqe mes dy vendeve. Kjo marrëveshje i hap rrugë integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Lubonja nuk duhet të shpërfillë këto zhvillime dhe mendimin e tij ta organizojë në vakum historik.

Prandaj Rusia tash ka intensifikuar për të bllokuar hyrjen e saj në NATO dhe Zoran Zaev tashmë edhe publikisht po akuzon qarqet e financuara nga Rusia për sabotim të integrimit të vendit në NATO. Lubonja duhet të ketë parasysh këto trende kur bën analiza.

Kjo për shkak që hyrja e Maqedonisë në NATO e rrit presionin edhe mbi Serbinë. Ajo po rrethohet me vende të NATO-s gjithnjë e më shumë dhe po e bën të paqëndrueshëm pozicionin e saj të neutralitetit. Përmes integrimit, Ballkani Perëndimor po ridefinon konfiguracionin e vet socio-politik.

Graviteti gjeo-politik po lëviz në favor të NATO-s. Serbia shumë shpejt do të rihartojë strategjinë e saj militare në kuadër të përpjekjeve për t’u sinkronizuar me NATO-n. Ndikimi rus do të jetë edhe më i menaxhueshëm se deri më tani. Mbase Lubonja nuk dëshiron të dëgjojë as për këtë.

Janë pikërisht këto trende ato që kanë çuar cilësinë e marrëdhënieve në nivele të papara në 100 vitet e fundit në rajon. Është po ky momentum që po krijon një klimë të përshtatshme për të zgjidhur një herë e mirë edhe çështjen e Kosovës, pavarësisht lojërave me fjalë të liderëve politikë dhe panikut që ka kapur opinion-bërësit.

Pra integrimi në BE dhe NATO është një proces demokratizues dhe pacifikues, me standarde liberale. E gjithë kjo kur tranzicioni social, politik dhe ekonomik është ende duke vazhduar. Në vend se Lubonja të mobilizojë mendimin e tij në shërbim të transformimit vleror, ai ka zgjedhur të bëhet forcë stagnuese.

Në vend se të ofrojë komplementaritet intelektual për proceset institucionale në të cilat po kalon Shqipëria, ai po shfaqë tendenca regresive. Në kohën kur Shqipëria duhet të lëvrojë hapjen e saj ndaj botës, Lubonja flet për neutralitet dhe mosinkuadrim të shtuar të Shqipërisë. Konstatimi i tij se NATO sjell rreziqe është logjikë enveriste e mbështjellur me mëlmesa sofistikuese.

Propozimi i NATO-s për bazë ushtarake Shqipëria është dëshmi që kjo e fundit ka plotësuar një sërë kriteresh të sigurisë. Kjo tregon për kredibilitetin e saj në NATO. Lubonja duhet që këtë frymë pro-demokratike e pro-liberale ta përkthejë në një ndërmarrësi qytetare që konsolidon demokracinë në Shqipëri, e jo të bëhet pengesë.

Lubonja është një ilustrim i prekshëm se si kritika a-priori e secilës praktikë institucionale të shndërron në nihilist që mohon çdo realitet e çdo arritje të shtetit. Lubonja është personi që ka bërë thirrje që Shqipërisë të mos i hapen negociatat e për anëtarësim.

Dalja kundër bazës ushtarake në Kuçovë është veç vazhdimësi e qasjes së tij të varfër intelektuale e politike.

Duke u vetëparaqitur non-stop si kritik i pushtetit, ai është izoluar në një bunker të tij të mendimit që mundohet të dëbojë rreziqet. Fatmirësisht numri i bashkëmendimtarëve të tij nuk është i lartë.

I gjithë ky diskutim nxjerr në sipërfaqe dy gjëra që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Dërdëllitjet e tij në lidhje me proceset e integrimit janë simptoma të limiteve refleksive të Lubonjës.

E para, Lubonja nuk po e kupton politikën e artit, në atë që ai nuk arrin të identifikojë potencialet subverzive të artit dhe kështu e privon atë nga fuqia transformuese sociale.

E dyta, ai nuk e kupton as artin e politikës, në atë se si një politikan duhet të jetë kreativ në konsolidimin e shtetit që ai drejton, se si të rrisë sigurinë e shtetit të tij, se si të forcojë aleancat e shëndosha dhe të demokratizojë administratën shtetërore përmes reformës esenciale të Vetingut që substancialisht përmirëson performancën e organeve shtetërore.

Por konkluzioni më i rëndësishëm këtu është fakti se nëse dikujt vazhdon t’ia errësojë mendjen hija e lisit gjigand të diktaturës enveriste, ai është Fatos Lubonja.

Lubonja në vend se të na përndritë, ai është shndërruar në një përçues të asaj hije që përhapë terr në raport me proceset vitale të integrimit në BE dhe NATO.

Në këtë kuptim, ai nuk është as kritik, as filozof, as intelektual e as artist

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera