Sport

Challandes: Mezi pres të luajmë në shtëpi

Autori: Gazeta inFokus 10:31 | 11 July 2018

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, i shoqëruar nga ndihmësi i tij, Ramush Gashi, kanë vizituar sot stadiumin e Qytetit në Prishtinë, aty ku skuadra që ai drejton do t’i luajë ndeshjet e Ligës së Kombeve, që fillojnë në muajin shtator, shkruan GazetaFokus.

Në fakt, Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kësaj gare do ta luajë si mysafire kundër Azebajxhanit në Baku, më 7 shtator, derisa tri ditë më vonë do të jetë mikpritëse e Ishujve Faroe, në stadiumin që tashmë është afër të inaugurohet. Pas vizitës së sotme në stadium Challandes është shprehur i lumtur me atë çfarë ka parë, pasi punimet janë afër finalizimit.

“Jam shumë i kënaqur të jem në shtëpinë time, në stadiumin tonë. Shpresoj të kryhen punët në afatin e paraparë. Është kënaqësi e madhe që do të luajmë në shtëpinë tonë si për lojtarët ashtu edhe për mua. Mezi pres të luajmë në këtë stadium. Jam i sigurt se 12 mijë tifozë të flaktë do të jenë në stadium, ashtu siç na mbështetën në miqësoren  kundër vëllezërve tanë nga Shqipëria në Zvicër. Atje ishin mbi 18 mijë tifozë dhe ata ishin lojtari ynë i 12-të, prandaj edhe rezultati nuk na mungojë. Shpresoj se edhe këtu tifozët do të jenë lojtari ynë i 12-të, që do ta çojnë Kosovën përpara”, ka theksuar Challandes.

-Advertisement-

Sa i përket asaj se sa është e gatshme Kosova për ndeshjet e Ligës së Kombeve, Challandes është shprehur optimist, por ka kërkuar që kjo garë të mos shihet e lehtë.

“Ne i patëm tri ndeshje miqësore dhe në të gjitha patëm rezultate pozitive. Pashë një ekip që mund të bëjë shumë. Nuk pata mundësi t’i shoh të gjithë lojtarët, pasi Valon Berisha ishte i lënduar, derisa disa të tjerë shpresoj ta kem rastin t’i shoh ndërkohë. Por mos të mendojmë se ekipet që i kemi kundërshtarë në Ligën e Kombeve janë të lehta. Sigurisht se do të kemi shumë telashe, por unë besoj në futbollistët e mi dhe sigurisht se do të korrim rezultatet e duhura”, ka shtuar përzgjedhësi i Kosovës.

Tutje ai ka thënë se kualifikimi i Kosovës në Evropian apo Botëror do të ishte diçka e jashtëzakonshme, por sipas tij ende ka shumë punë për t’u bërë.

“Unë në kokën time e shoh Kosovën të kualifikuar, por në anën tjetër shoh që për të ardhmen e Kosovës duhet punuar shumë në mënyrë që ta bëjmë një kombëtare të fortë. Prandaj, duhet të ecim me këmbë në tokë dhe të mos mendojmë se Azerbajxhani, Ishujt Faroe e Malta janë ekipe të lehta për t’u kaluar. Duhet angazhim, punë dhe përkushtim në arritjen e objektivave. Detyra ime dhe e stafit tim është që ta përgatisim një gjeneratë për të ardhmen. Kam kontakte me trajnerët e U-19 dhe U-21, pasi atje është e ardhmja e Kosovës”, ka nënvizuar Challandes. /GazetaFokus.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera