Ekonomi

Digjitalizimi bankar në hap me Evropën

Autori: Gazeta inFokus 13:55 | 06 July 2018

Niveli i digjitalizimit të shërbimeve bankare në Kosovë vlerësohet të jetë i ngjashëm me atë të Bashkimit Evropian. Sot, sistemi bankar në vend  është zhvilluar aq shumë teknologjikisht, ku pothuasje të githa shërbimet bankare realizohen përmes platformave elektronike. Me gjithë zhvillimet teknologjike, sektori bankar i Kosovës evidenton numrin më të lartë të punëtorëve, në kuadër të industrive tjera financiare në vend, me 3363 të punësuar

Pranonin depozita të klientëve, jepnin kredi, bënin transfere financiare, depozitonin para të gatshme. Vetëm këto shërbime i kryenin për klientët bankat komerciale në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës në vend.
Por, rreth 19 vite më pas sektori bankar i Kosovës ka bërë revulucion në këtë drejtim, si rezultat i investimeve të bëra nga bankat në teknologjinë informative, duke zhvilluar kanalet elektronike të ofrimit të shërbimeve për klientët.
Sot, sistemi bankar i Kosovës është zhvilluar aq shumë teknologjikisht, ku pothuasje të githa shërbimet bankare realizohen përmes platformave elektronike.
Zhvillimet më të hovshme në sektorin bankar të Kosovës kanë ndodhur në 5 vitet e fundit, përkatësisht nga viti 2013 e këndej, ku klientëve u ofrohen një qasje shumë e lehtë në shërbimet e ofruara.
Me gjithë zhvillimet teknologjike, sektori bankar i Kosovës evidenton numrin më të lartë të punëtorëve, në kuadër të industrive tjera financiare në vend, me 3363 të punësuar, ku vetëm nga fundi i vitit 2017 e deri më tani numri i punëtorëve në këtë sektor është rritur për 44.

Digjitalizimi ndër vite

-Advertisement-

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka konfirmuar se bankat komerciale në Kosovë në vazhdimësi kanë investuar në zhvillimin e platformave   digjitale me anë të ofrimit të shërbimeve elektronike, duke u ofruar një qasje me të lehtë klientëve në shërbimet e ofruara.
Sipas tij, bankat gjatë viteve kanë zhvilluar kanalet elektronike te ofrimit te shërbimeve, duke filluar nga disa banka që nga vitet 2005 dhe 2006 me ane te ofrimit të e-bankingut, e cila është përcjellë edhe nga bankat tjera ne sektorin bankar.
Vitet e fundit, si thotë ai, duke filluar nga viti 2011 disa banka kanë filluar të aplikojnë M-banking, duke u avancuar në vitin 2013, ku edhe fillon një orientim i bankave në zhvillimin e kanaleve elektronike.
‘Aplikimi i pikave të shitjes (POS-ve) ka filluar nga viti 2008. Zonat 24/7 nga disa banka ka filluar atë aplikohet nga viti 2015 duke u zgjeruar ne vazhdimësi. Pra, marrë në përgjithësi procesi i zhvillimit teknologjik është proces i vazhdueshëm, që ka filluar në vitet 2005 – 2006, për të vazhduar me vitin 2010 dhe për të arritur në pikën ku tashmë niveli i digjitalizimit të shërbimeve bankare është i ngjashëm me atë të Bashkimit Evropian’, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se vitet 2013-2017 kondiderohen vitet ku kemi zhvillime te hovshme dhe shume pozitive ne sektorin bankar.

56 degë me shërbime 24/7

Bazuar në të dhënat e fundit në dispozicion, janë gjithsej 56 degë të bankave që  ofrojnë shërbimet e klientëve të ashtuquajtura 24/7. Aplikimi i këtyre shërbimeve, ku klientët mund të shkojnë në bankë dhe të kryejnë punët bankare pa prezencë fizike të zyrtarëve të bankës ka filluar me ritëm të shtuar gjatë periudhës së fundit, në 4 – 5 vitet e fundit. ‘Sigurisht se kjo ndërlidhet edhe me madhësinë e bankës dhe kompleksitetin që ka. Është për t’u kuptuar që fillimisht me këtë sistem kanë filluar bankat e mëdha sistemike, më konkretisht ato që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Ajo që është për t’u shënuar me këtë rast është se edhe bankat tjera jo sistemike, përfshirë edhe ato vendore kanë filluar të aplikojnë këtë shërbim për klientët e tyre, që deri më tani përbëjnë 6 sosh’, ka nënvizuar kreu i BQK-së.
Sipas drejtuesve të Bankës Qendrore zhvillimet teknologjike shkojnë krahas edukimit financiar që kanë  klientët, pasi që, si thonë ata,  qëllimi kryesor i bankave është që sistemet digjitale që jetësohen të përdoren nga klientët. ‘Bazuar në informatat përkatëse si dhe takimet e rregullta që kemi me banka, vërehet një rritje e qëndrueshme dhe vazhdueshme e përdorimit të platformave bankare, ku shërbimet kryhen edhe nga shtëpia. Kjo edhe për shkak se kostot e kryerjes së një shërbimi përmes platformave online janë pak të kushtueshme se sa kryerja e atij shërbimi përmes mënyrës klasike – arkëtarëve në banka’, shprehet guvernatori Mehmeti.

Krahasimi me rajonin

 Sa i përket ofrimit të shërbimeve të pagesave, bankat në Kosovë mund të krahasohen me vendet e rajonit dhe qëndrojnë në nivele të ngjashme. Statistikat krahasuese me vendet e rajonit nga raporti vjetor i BQK-së të vitit 2016, tregojnë për një përmirësim të pozitës krahasuar me vendet fqinjë.
Në Kosovë viteve të fundit vërehet një rritje e përdorimit të instrumenteve elektronike të bazuar në kartela për kryerjen e pagesave. Nga të dhënat e fundit statistikore, vërehet rritje në numër dhe vlerë të kredit transfereve, të cilat paraqesin një alternativë për kryerjen e pagesave pa para të gatshme.
Nga të dhënat e BQK-së vërehet se Kosova ka një trend në rritje të numrit të kartelave në përdorim dhe numrit të transaksioneve përmes instrumenteve të pagesave elektronike, e cila në disa kategori qëndron më lartë se disa prej vendeve të rajonit, megjithëse thuhet se  është e nevojshme të bëhet më tepër në zvogëlimin e përdorimit të parave të gatshme dhe shfrytëzimin e instrumenteve të pagesave elektronike për të ndjekur standardet e vendeve të BE-së.
‘Krahas zhvillimeve ne shtetet e BE-së si dhe iniciativave në shtetet e rajonit, edhe në Kosovë ka nevojë për adaptimin e infrastrukturës rregullative me qëllim që t’u jepet hapësirë operimi edhe akterëve tjerë jo banka për ofrim të shërbimeve të avancuara elektronike e sidomos në fushën e pagesave. Në këtë relacion sa i përket zhvillimeve në infrastrukturën e pagesave të shpejta “Instant Payments”, Kosova në raport me disa nga vendet fqinjë ka shënuar ngecje.   Vendet si Maqedonia dhe Serbia janë fazën finale në zhvillimin dhe aplikimin e pagesave të shpejta derisa Shqipëria dhe Mali i Zi nuk kanë filluar ende’, ka potencuar Mehmeti.

Sektori me numrin më të lartë të punëtorëve

Digjitalizimi i shërbimeve bankare ka pasur ndikim të kufizuar në numrin e të punësuarëve në sistemin bankar.
Numri aktual i punëtoreve në sektorin bankar të Kosovës është 3,363 dhe evidenton numrin më të lartë të punëtorëve në kuadër të industrive tjera financiare në Kosovë. Numri aktual i punëtorëve, krahasuar me numrin e punëtoreve në funde të viti 2017 është për 44 punëtorë më i lartë.
Sipas statistikave të BQK-së, me gjithë zhvillimet e hovshme teknologjike, në periudhën dhjetë vjeare (2008-2018), ulja mesatare e numrit të punëtorëve në këtë sektor është vetëm 0.64%.
Ndërsa gjatë viteve 2010-11 në sektorin bankar të Kosovës është shënuar trend i rritjes vjetore të numrit të punësuarëve me 151, përkatësisht 118 punëtorë.

Qeveria premton përkrahjen e ideve inovative

Zëvendësministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli, pranon se sektori bankar në Kosovë është e vërtetë se ka modernizuar shërbimet në Republikën e Kosovës. Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës nuk do të hezitoj ta përkrahë çfarëdo ideje inovative në sektorin bankar, inovacion i cili do të shtonte vlerë në zinxhirin e gjithmbarshëm të ekonomisë kosovare.
‘Ne më shumë do të ishim të interesuar të përkrahnim ndonjë iniciativë nga biznese lokale, të cilat do të prodhonin solucione inovative për sektorin bankar kosovar dhe pse jo i njëjti inovacion të eksportohet gjithandej. Pra, në përgjithësi duke pasur parasysh buxhetin e limituar, shpresojmë të përkrahim inovacione lokale për konsum lokal dhe ndërkombëtar. Kësisoj, investimi i fondeve publike do të bëhet i arsyeshëm dhe fitimprurës për Republikën e Kosovës dhe taksapaguesit e saj’, ka pohuar Cakolli.

MST: Historia digjitalizimit

Drejtues së Shoqatës së Bankave të Kosovës kanë treguar se Industria bankare në Kosovë që nga viti 2001 dhe deri në këtë periudhë, vazhdimisht ka shënuar rritje në pothuajse të gjitha vlerat e saj, gjë që sipas tyre tregon se industria bankare ka themeluar baza të shëndosha të funksionimit, duke ofruar siguri dhe besim tek klientët. “Industria bankare vazhdimisht ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit përmes procesit të huadhënies duke qenë profitabil dhe me një portfolio të shëndoshë, gjë që ka bërë që edhe numri i bankave që funksionojnë në treg të rritet”thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Bankave.  Sipas tyre, Bankingut elektronik në Kosovë ka një histori relativisht të re të zhvillimit të saj. “Sigurisht në fillimet e saja, Bankingu elektronik numëron jo numër te madh të klientëve si dhe vëllim jo të lartë të transaksioneve ne këto platforma. Kjo për arsye të hezitimit të tyre, penetrimit të ulët të internetit në familjet Kosovare apo edhe zhvillimit jo të madh bankar të këtyre platformave të Bankingut elektronik” thonë ata.

Por, me shtrirjen e hovshme të internetit në familjet Kosovare e që sipas statistikave nga “Internet World Stat” për vitin 2017 diku rreth 80.4% e familjeve Kosovare disponojnë qasje në internet, ky fakt solli një zhvillim të shpejtë të produkteve elektronike nga bankat në Kosovë, zhvillim i cili po vazhdon edhe sot me ofrimin e produkteve elektronike më të avancuara dhe lehte të qasshme nga Klientët.  “Sigurisht që bankat  komerciale kanë investuar kohë të konsiderueshme dhe resurse në edukimin e klientëve  për përparësitë e shfrytëzimit të bankingut  elektronik.  Shërbimet bazike elektronike kanë qenë ofrimi i platformës për shikimin e llogarive, transfere brenda bankës dhe ndër bankare, debit kartela me mundësi te tërheqjes në bankomat. Industria bankare në Kosovë vazhdon të zgjerohet dhe të reflektoj nivel të lartë të qëndrueshmërisë në të gjitha aspektet, përfshirë nivelin e lartë të kapitalizmit, pozitën e fuqishme të likuiditetit si dhe cilësinë e mirë të portfolios kreditore. Sipas të dhënave momentale, industria bankare në Kosovë përbën 67.5 përqind të aseteve totale të sektorit financiar”thuhet më tutje në përgjigjen e Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Bankat, në hap me kohën

Ibish Mazreku, njohës i sistemit bankar dhe njëherit prorektor në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, thotë se sot pas një periudhe 19 vjeçare mund të konstatojmë që sistemi bankar është në hap me kohën dhe të gjitha trendët në ofrimin e shërbimeve bankare përmes inovacioneve të ndryshme, të cilat edhe njihen si FINTECH. ‘Fintech-u ka të bëje me të gjitha inovacionet në financa përmes teknologjisë. Në çfarë mënyre ofron shërbime tek ne nga sektori bankar. Fillimisht shumë shërbime dhe transaksione mund të kryhen përmes e-bankingut, tablet apo mobil të cilët përdorin internetin si; përcjellja e llogarisë për të gjitha transaksionet, pagesat e ndryshme si ato individuale apo të biznesit, pa pasur nevojë të jesh prezent në radhë si më parë’, thotë Mazreku.

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy